Shija e karriges dhe vështirësia e detyrës

Nov 18, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PËLLUMB NAKOpellumbnako

Mëse natyrshëm ndodh që shija e pushtetit që të jep karrigia e një posti të rëndësishëm në administratë apo në organet e drejtësisë, të jetë në kontradiktë të plotë me vështirësitë dhe përgjegjësitë e mëdha që kërkon realizimi i detyrës. Për më tepër, kur për poste të tilla profesionisti i interesuar futet në një proces konkurrimi të zgjedhur në mënyrë vullnetare dhe në liri të plotë veprimi. Me siguri absolute vështirësia e detyrës është marrë në konsideratë me gjithë privimet, vështirësitë që pa dyshim ndikojnë, përveç të tjerave, edhe në mënyrën e ndërtimit të jetës private personale, familjare dhe në raport me të afërmit.

SPAK-u sapo ka mbushur dy vite të krijimit. Pikërisht në këto momente, gjithë prokurorët e këtij organi shpresëshumë, të vendosur në qendër të vëmendjes së opinionit publik, kanë bërë me dije se kërkojnë heqjen e kufizimit të mandatit të ushtrimit të detyrës prej 9 vitesh dhe lënien e tij pa kufizim. Sigurisht që kërkesa mbështetet me një sërë argumentesh të lidhura me efikasitetin e institucionit. Dhe thelbi i tyre konsiston në goditjen e kriterit të një mandati prej 9 vitesh, si të gabuar dhe heqja e tij do ta bënte këtë institucion më efektiv.

Motivet e kësaj kërkese mund të jenë shumë më shumë se ato të paraqitura në kërkesën e prokurorëve, por mjafton fillimisht të përmendim vetëm faktin e thjeshtë se afati 9-vjeçar i ushtrimit të detyrës së prokurorëve antimafie të vendit tonë është i pranishëm në ligj para se ata të bënin vullnetarisht kërkesën, ta pranonin këtë kusht dhe të konkurronin për të zënë karriget përkatëse, tregon se diçka nuk shkon. Afatin 9-vjeçar të misionit nuk e ka vendosur Parlamenti apriori, por e kanë paraqitur kolegët e prokurorëve të SPAK-ut, po ashtu juristë si ata, po ashtu të përgatitur si ata, po ashtu të ndershëm si ata, të gjithë produkt i reformës dhe që kanë pasur bindjen se krimi i organizuar mund të luftohet edhe kur prokurorët e SPAK-ut punojnë me mandat të kufizuar.

Një ndryshim i mundshëm kaq shpejtë i këtij kriteri, do të nxirrte edhe një herë në pah një nga problemet më madhore që ka vendi ynë siç është garancia ligjore. Ligjet ndryshojnë shpesh, duke krijuar pasiguri të përgjithshme dhe hera-herës personalizohen për të përjetësuar pushtetin e dikujt. Po ashtu, ndodh që menjëherë më pas, ato ose kthehen në bumerang për hartuesit, ose bëhen pengesë për ecjen para të institucionit. Në këtë aspekt, ndriçon si fanar ligji “Për Policinë e Shtetit” i vitit 2014. Ndërkohë, në rastin tonë, mandati 9-vjeçar i prokurorëve të SPAK-ut është produkt i një reforme që tundi malet dhe tani vetëm pas dy viteve, kërkohet ndryshimi i tij. Pra, ende pa u provuar nëse është efikas apo jo.

Por, janë edhe disa aspekte të tjera të propozimit, të cilat bien ndesh me motivimin e ndryshimit të mandatit dhe të bëjnë të mendosh se ai nuk lidhte shumë vështirësinë e misionit të SPAK-ut. Prokurorët kërkojnë vetëm ndryshimin e mandatit, sepse ndër të tjera, ata argumentojnë se nuk ka në qarkullim prokurorë që të plotësojnë kriterin tjetër, atë të 20 viteve vjetërsi. Përse nuk u sulmua edhe ky kriter, por vetëm ai i mandatit të tyre? Përse nuk u mendua që vjetërsia për shembull të jetë 15 vite? 5 vite më pak, nuk është ndonjë katastrofë. Ose aspekti tjetër. Përse nuk propozohen procedura më të përshpejtuara për të rekrutuar prokurorë të tjerë e për të plotësuar vendet ende bosh?

Në argumentet e renditura nga prokurorët e SPAK-ut, ishte edhe ai i organeve simotra të huaja, të cilat nuk kanë mandat të kufizuar. Sigurisht që çdo vend ka specifikat e tij ligjore dhe nuk është e thënë të ngjajë më dikë tjetër, por edhe e kundërta ka kuptim. Është mjaft e udhës që të shihen dhe të adoptohen praktikat më të mira botërore. Dhe në këtë drejtim, Italia e madhe fqinje tregon shumë edhe teorikisht edhe praktikisht, nisur nga fakti i bashkëpunimit të ngushtë me organet simotra të SPAK-ut në këtë vendi siç është DNA-ja(Direzione Nazionale AntimafiaDrejtoria Kombëtare Antimafie.)

Rastësia duket e hidhur për argumentet e rreshtuara nga SPAK-u. Nëse më 16 nëntor të këtij viti, në media pamë kërkesën e prokurorëve të SPAK-ut, rastis që një ditë më parë, në portalin italian “ilfattoquotidiano.it” të thuhet: “Janë shefat e pjesës më të madhe të zyrave gjyqësore të Jugut ata që kanë paraqitur kërkesë pranë Këshillit të Lartë të Magjistraturës për t’u ulur në karrigen e Prokurorit Kombëtar Antimafie dhe Antiterrorizëm. Cafiero de Roha, prokurori që largohet nga detyra e marrë që nga 16 nëntori i vitit 2017, është duke përfunduar mandatin e tij prej katër vitesh dhe nuk mund të kandidojë për një të dytë(ka mbushur moshën për pension).

Dhe bëhet fjalë pikërisht për prokurorin Cafiere de Raho, i cili plot një vit më parë, sipas zyrës së shtypit të SPAK-ut zhvilloi një takim me homologun e tij shqiptar ku u fol edhe për “Memorandumin e mirëkuptimit” ndërmjet SPAK-ut dhe DNA-së. Pra, dy institucione të ngjashme, njëra me mandat të kufizuar dhe shumë efikase dhe tjetra me mandat të kufizuar, por ende në hapat e para kërkon mandat të pakufizuar. Një tjetër prokuror i DNA-së do të vijë së shpejti dhe ai do të vazhdojë njëlloj si paraardhësi bashkëpunimin me SPAK-un, sepse nuk ndihet i demotivuar nga kufizimi i mandatit, njëlloj si 6 prokurorët e tjerë të DNA-së para tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura