Shifrat në rritje, nis vaksinimi “derë më derë”. Ministria tenton të rrisë mbulesën vaksinale, duke u shkuar qytetarëve në shtëpi

Jan 22, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

Pas muajve e ditëve të hapura për vaksinim apo vaksinimit me detyrim për kategori të gjëra të popullsisë, sërish numri mbetet në nivele të pamjaftueshme për të sjellë stabilizim të shifrave COVID.

Banorë-të-Tiranës-me-maska-anti-COVID-19-kalojnë-vizat-e-bardha-Foto-Nesni-Bogdani-960x600

Kurba e infeksionit ka arritur majat me mijëra të infektuar çdo ditë.

Mutacionet e reja të COVID-19, veçse kanë shtuar pikëpyetjet te të dyzuarit.

Si ata e që kanë kaluar infeksionin e madje edhe janë vaksinuar, janë në të njëjtat pozita përballë “Omicron”, që nuk po kursen askënd.

Në këto kushte, Ministria e Shëndetësisë ka nisur ndjekjen e një tjetër linje, duke i lutur qytetarët të vaksinohen.

Ekipet e vaskinuesve do të dalin shumë shpejt në çdo derë, me urdhër të ministres Ogerta Manastirliu.

“Në takimin që zhvillova sot me drejtuesit e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik dhe të qendrave shëndetësore të Tiranës, kërkova intensifikimin e procesit të vaksinimit anti-covid ‘derë më derë’, për të siguruar që çdo qytetar që nuk ka mundësi të aksesojë qendrën shëndetësore, të ketë mundësi të vaksinohet në banesë”, deklaron ministrja, duke e parë të vetmen zgjidhje të situatës te forcimi i programit kombëtar të vaksinimit ndaj COVID-19.

MË SHUMË FATALITETE

E premtja ka sjellë më shumë viktima krahasuar me ditët e kaluara, ndërsa infektimet janë në të njëjtën trajektore. Mbi nëntë mijë teste të kryera, çereku i tyre rezultuan pozitivë dhe bashkë me këtë rritje ka ardhur edhe kërkesa për shërbime mjekësore.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 2, 670 raste të reja me koronavirus nga 9,485 teste të kryera. Aktualisht, në spitalet COVID po marrin trajtim 134 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje më të rënduar.

Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka gjashtë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: Dy qytetarë nga Saranda, 36 dhe 84 vjeç, dy qytetarë nga Tirana, 62 dhe 80 vjeç, një qytetar nga Berati 66 vjeç, një qytetar nga Gjirokastra, 67 vjeç”, nënvizon MSH në buletinin ditor të raportimeve.

Ndërkohë që mijëra qytetarë infektohen çdo ditë, gati po aq rezultojnë negativë. Ditën e djeshme, 2152 qytetarë u çliruan nga virusi, duke e çuar në mbi 216 mijë totalin e qytetarëve që e kanë kaluar së paku një herë virusin.

Në të dhënat zyrtare figurojnë 24 mijë e 105 raste aktive, 11 mijë prej të cilëve ndodhen në Tiranë.

Me rritjen e shifrave, ka pësuar trend rritës edhe kurba e infektimeve në qytete të mëdha, si Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora e Gjirokastra që numërojnë mbi një mijë të infektuar.

Por pavarësisht rasteve rekord të infektimeve ditore duhet nënvizuar se hospitalizimet janë disafish më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku në 20 janar të 2021 ishin 670 të infektuar dhe 279 pacientë të shtruar në spital, ndërsa në 2022 janë 2383 të infektuar dhe 134 pacientë të shtruar në spitalet COVID.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura