SHFAQJA/ Zëvendësimi i Yllka Mujos me Margarita Xhepën dhe heshtja e të gjithëve

Dec 22, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Fundjavën e kaluar ishte premiera e shfaqjes, bazuar në veprën e Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Për vënien në skenë të pjesës është njoftuar thuajse 2 muaj më parë, kur u bë edhe konferenca për shtyp.

Margarita Xhepa
Margarita Xhepa

Rrugës, siç duket, trupa e aktorëve pati të papritura dhe ndryshe nga njoftimi fillestar se “… Doruntina” do të vinte në fund të nëntorit, erdhi një muaj më pas. Përveç kohës, njëra nga aktoret pjesëmarrëse u ndryshua. Yllka Mujo, në rolin e zonjës Mëmë, disa ditë përpara premierës u zëvendësua me Margarita Xhepën.

Kujtojmë që aktorja e zgjedhur për së dyti ka luajtur të njëjtin rol vite më parë, kur e njëjta pjesë është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga Pirro Mani. Për arsyet e këtij ndryshimi, nuk flet askush. E kontaktuar nga gazeta, aktorja Yllka Mujo mohon që ndryshimi të ketë ardhur si pasojë e ndonjë konflikti mes saj dhe ndonjërit prej pjesëtarëve të stafit.

“Nuk ka asgjë të çuditshme këtu, gjëra të tilla mund të ndodhin pa qenë nevoja të bëhen lajme. Unë mund të jem edhe sëmurë, kjo mund të jetë një arsye”, thotë Mujo, ndërsa kjo do të ishte vërtet një arsye, nëse do të ishte e vërteta. Regjisori Laert Vasili është gjithashtu i prerë dhe sigurisht pa përgjigje. Edhe drejtori i Teatrit, Bashkim Hoxha, nuk prononcohet.

Jo se vërtet ishte kaq e rëndësishme të gjendej shkaku. Më të rëndësishme e bën reagimet e të gjithëve, që dukej se po përpiqeshin të fshihnin ngjarjen që po të ishte servirur ashtu siç kishte ndodhur, do të ishte pa dyshim më pak tërheqëse sesa mbulimi i së gjithës me mister.

yllka mujo
Yllka Mujo

Konflikti kishte ndodhur dhe kjo kishte qenë arsyeja e largimit të Yllka Mujos nga shfaqja. Burime pranë Teatrit të Durrësit tregojnë për një përplasje mes Mujos dhe njërës prej aktoreve të tjera të trupës. Anën e kësaj të fundit ka mbajtur regjisori Vasili dhe zgjedhja për Yllka Mujon, siç hamendësohet, nuk ka pasur shumë alternativa.

Kjo mund të ndodhë shpesh në teatër, siç mund të ndodhë shpesh gjithandej, në cilindo profesion. Njëri do të mbaj anën e njërit. Sigurisht, në këtë rast do të ishte e pafalshme për regjisorin që të shfaqej palë e një aktoreje të panjohur dhe të mënjanonte Mujon, por janë ata vetë që duan ta lënë në heshtje. Të gjithë!

Në fund, të gjithë ankohen për të gjithë në ambientin e tyre (OK, OK ka përjashtime!) dhe nuk zgjidhet asgjë, asnjëherë. Ndërkohë që, nëse bëhej publik një vendim i padrejtë oSE një ngjarje e pa hijshme, do të penalizohej shfaqja dhe mirë do të bëhej. Që secili të mos veprojë si i teket, i bindur se nuk e prek asgjë (dhe me të drejtë) ca gjëra, edhe duhen thënë.

Sidoqoftë… “Doruntina” rikthen pas një mungese relativisht të gjatë aktorin Bujar Lako. Në role të tjera në këtë vepër interpretojnë aktorët: Luli Hoxha, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Eralda Caushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia, Xhejni Fama. Kostumografia i është besuar Stela Laknorit, ndërsa violina që do të shoqërojë shfaqjen është e Ambra Marjanakut.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura