Shezlongët e Shëngjinit dhe dhuna incivile

Jun 29, 2022 | 8:12
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

Capture

Në Shëngjin dikush u plagos me lopatë në kokë për një mosmarrëveshje shezlongësh. Ngjarja u shoqërua me plagosje e për rjedhim u mobilizua edhe policia. Po ashtu edhe mjetet e informimit publik.

Kjo ngjarje do të thotë që gjithë qytetarët të cilët atë ditë kishin shkuar të pushonin e të relaksoheshin, asistuan në një sherr me bazë dhunën incivile dhe sigurisht janë traumatizuar. Të mendosh në këtë rast edhe për të miturit që mund të kenë qënë dëshmitarë të saj! Shfaqja u shoqërua me një goditje lopate në kokë,  ndaj u bë kaq e njohur, sepse pa të, do të kishte ngelur vetëm në kufijtë e një zënke.

Dhe këtu është edhe problemi. Sa  zënka të kësaj natyre të cilat shprehin dhunë incivile ndodhin dhe nuk njihen?  Askush në është në gjendje ta thotë. Kjo edhe për faktin se dhuna incivile e cila nuk përfundon me dëmtime trupore, nuk përbën as vepër e as kundravajtje penale, pra nuk regjistrohet asgjëkundi. Ndërkohë ajo është e pranishme, tronditëse, e frikshme, ngjall pasiguri te më të dobëtit, pavarësisht se nuk ka lënë pasoja fizike. I pranishëm është edhe traumatizimi i atij që e sheh dhe viktimizimi i atij që e pëson. Ndërkohë ato shtohen, shtresëzohen për mungesë ndëshkueshmërie dhe kthehen në burim të shumë ngjarjeve kriminale.

Përveç kësaj, fakti që dhuna incivile nuk dënohet as ligjërisht e as nga shoqëria, krijon perceptimin e pandëshkueshmërisë duke ngjallur frikë, mungesë besimi dhe duke rritur në masë “ çunat problematikë” siç është shprehur një parlamentar. Mos ndëshkimi i tyre, u jep kurajo autorëve të përsërisin aktet dhe të tjerëve t’i imitojnë. Pra inciviliteti shtohet në forcë dhe përhapet në madhësi. Përveç kësaj, edhe ideja se këto akte që shqetësojnë publikun deri në pasiguri, janë të padënueshme, u japin kurajo autorëve të rrisin agresivitetin duke kaluar në krime të lehta e më pas të rënda.

Efekti i parë i dhunës incivile është shkatërrimi i komunitarizmit dhe ndrydhja e individit në anonimat, humbja e besimit te tjetri, duke e kthyer presionin pozitiv shoqëror në minimum ose inekzistent. Ndërkohë dihet që për arsye nga më të ndryshmet, vendi ynë nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë trashëgimi komunitarizmi të pasur. Askush ose pakkush në një pallat nëpër qytetet tona, do të merte kurajon e t’i kërkonte dikujt të mos bëjë zhurmë, të mos e shqetësojë, apo të mos degradojë ambientet e përbashkëta me plehra apo hedhurina, sepse do të kishte frikë se mos kërkesa do të merrej për keq dhe do të kërciste debati e më pas dhuna.

Pra dhuna dhe frika nga dhuna janë shumë të pranishme, aq sa shpesh lexojmë se shoqëria shqiptare qënka një shoqëri e dhunshme. Në fakt shoqëria shqiptare ende nuk e ka të institucionalizuar luftën kundër dhunës incivile para se ajo të kthehet në krim. Kjo sepse sipas sociologëve amerikanë Wilson dhe Kelling “ ka një linjë vazhdimësie me efekt spiral që të çon nga format më të vogla të cënimit të rendit publik ( të neglizhueshme) deri tek format më të rënda të prishjes së tij, madje deri në krim.”

Në këto kushte, puna e parë e organeve shtetërore është që përveç statistikave të krimeve në përgjithësi që masin kriminalitetin, duhet të masin edhe dhunën, viktimat e saj. Për këto të fundit meren statistikat e vjedhjeve ( sepse edhe vjedhja perceptohet dhunë) dhe të krimeve me dhunë duke u shtuar sondazhe mbi viktimat e dhunës incivile (apo të pa denoncuara) në rang individësh dhe familjesh. Në rastin e familjeve, në sondazh bëhet e mundur njohja e dhunës brenda familjes dhe jashtë saj. Pra mblidhen statistikat policore dhe të dhënat e mara nga sondazhet, pjestohen për një numër banorësh të një zone të caktuar dhe nxiret niveli i dhunës dhe i viktimave të saj në  zonën në fjalë. Studime të tilla quhen “Anketim i kuadrit të jetës dhe sigurisë” dhe zhvillohen një herë në vit. Më pas përcaktohen strategjitë e ndërhyrjes konkrete të cilat nuk janë vetëm policore.

Kurse si përkufizim, inciviliteti apo sjelljet jo civile duhen kuptuar si një tërësi dëmtimesh sociale të ndryshme që nuk e plagosin fizikisht një person, por përmbysin rregullat e jetës sociale të cilat lejojnë krijimin e besimit. Pra nisur nga ky përkufizim del qartë dëmi i madh që i shkaktohet shoqërisë pikërisht nga një sjellje e cila nuk trajtohen ligjërisht nga organet kompetente, por ngelen brenda konceptit të moralit publik. Por siç e thamë, ato mbeten burim i rëndë  për kriminalitetin.

Në disa vende perëndimore zgjidhja e problemit të dhunës dhe të incivilitetit ka disa dekada që është studiuar dhe janë dhënë përgjigjet institucionale për t’i luftuar. Ligjvënësit e tyre kanë mundësuar që të listojnë në kodin penal, si sjellje incivile që cënojnë rendin publik, një sasi syresh, përfshi dhe dhunën verbale. Shteti francez ka rreth 300 shkelje të tilla duke krijuar “ të drejtën incivile.” Disa nga sjelljet incivile të parashikuara nga kodi penal francez si shembull, janë: zhurmat, sherre me sharje ose natën që prishin qetësinë e tjetrit, braktisja, hedhja, derdhja e mbeturinave, plehërave, materiale të ngurta e të lëngta të dëmshme për shëndetin, bllokime të pjesëve të ndryshme të rrugëve publike nga braktisje hedhurinash apo karkasa automjetesh, dëmtimi me dashje i të mirave materiale të tjetrit, braktisja e kafshëve shtëpiake, jashtë qitja e kafshëve shtëpiake në ambiente publike, keqtrajtimi dhe ndërsimi i kafshëve të rrezikshme, pirja e duhanit në hapësira të palejuara, urinimi, zhgarravinat, degradimet e fasadave etj.

Gjithmonë, sipas eksperiencës së këtij vendit, çdo rast i konstatuar sipas listës më sipër ndëshkohet me gjobë, kurse ajo e cila ka të bëjë me sjelljen e dhunshme ndaj agjentit publik dënohet me një gjobë të lartë. Përveç gjobës, si proçedurë ligjore në rastet e konstatimeve të sjelljeve incivile, përdoret edhe  proçedura e quajtur “ Tërheqja e vëmendjes para ligjit”. Më konkretisht kjo procedurë ka të bëjë me thirrjen formalisht para Prokurorit të Republikës të autorit të sjelljes incivile, ku prokurori i tërheq vëmendjen qytetarit për aktin incivil të kryer. Kjo thirrje është e pa ankimueshme dhe nuk ndiqet nga një procedim penal, por ajo rregjistrohet në kartelën gjyqsore të shkelësit duke figuruar si preçedent penal.

Në kushtet kur në vendin tonë mungon “ e drejta e incivilitetit” , ligji për Pushtetin Vendor i njeh një rol primar Bashkisë si autoritet i sigurisë publike dhe nëpërmjet policisë bashkiake ajo mund të rrisë presionin dhe ndëshkimin për sjelljet apo dhunën incivile.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura