Shëtitorja në Durrës në terr, qentë terrorizojnë pushuesit

Aug 3, 2015 | 7:15
SHPËRNDAJE

Shëtitorja “Taulantia” të ofron në kulmin e sezonit turistik veç errësirë, qen agresivë dhe ndotje me mbetjet urbane e ujërat e zeza. Qytetarët, pushuesit e turistët që e frekuentojnë në mbrëmje të vetmen shëtitore të Durrësit shprehen të zhgënjyer, pasi sipas tyre nuk ofron as kushtet më minimale për një shëtitje të sigurt.

durres
Si pasojë e mungesës së infrastrukturës në drejtim të vendosjeve të koshave të mbeturinave e disiplinimit të ujërave të ndotura, po krijohet një imazh aspak mikpritës dhe i sigurt në këtë qytet turistik. Qytetarët bëjnë apel për marrjen e masave nga ana e institucioneve përkatëse, pasi shëtitorja edhe në pikun e sezonit turistik nuk të ofron aspak siguri.

Edhe në këtë sezon turistik veror mungon ndriçimi publik në shëtitoren e vetme të qytetit të Durrësit, “Taulantia”, duke bërë që mijëra qytetarë e turistë të huaj të shëtisin në terr. I vetmi ndriçim vjen vetëm nga ana e parkut të lojërave e bizneseve private që operojnë përgjatë shëtitores. Shkak për këtë situatë është bërë dëmtimi i rrjetit të ndriçuesve.

durres, shetirorja
Përgjatë gjithë gjatësisë së shëtitores janë vjedhur dhe dëmtuar shtyllat dekorative që shërbenin për të ndriçuar, ndërkohë që nga ana e pushtetit lokal nuk është marrë asnjë masë për zëvendësimin e tyre. Sikurse të mos mjaftonte kjo, shitësit ambulantë po përfitojnë për t’u furnizuar me energji elektrike, duke marrë korrent nga ai i ndriçimit publik.

Ky fenomen ekziston prej disa vitesh, fill pasi u realizua projekti për ndriçimin e “Taulantias”, në vitin 2005. Që pas kësaj periudhe, janë dëmtuar dhe vjedhur të gjitha shtyllat dekorative të ndriçimit, të vendosura mbi murin që ndan shëtitoren nga deti. Sapo të futesh në hyrje të “Taulantias”, përballesh me tabelën e parë, ku shkruhet “ndalohet shëtitja e qenve pa maska mbrojtëse”.

Por, pavarësisht këtij paralajmërimi, ajo nuk respektohet nga ana e qytetarëve, të cilët nxjerrin shëtitje qentë shtëpiakë. Këta të fundit në shumë raste janë tejet agresivë, madje ka pasur raste kur janë kafshuar qytetarët që shëtisnin përgjatë shëtitores.

Mësohet se vetëm përgjatë ditëve të fundit, dy qytetarë janë sulmuar dhe kafshuar rëndë nga qentë Pitbull, duke përfunduar në urgjencën e spitalit të Durrësit. LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura