Sheshet e Pulia-s, destinacioni i 1 ton marijuanë të kapur në Jon. Policia pikas grupin kriminal vlonjato-fierak që nisi drogën

Aug 10, 2022 | 11:06
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Një grup kriminal që nga Policia e Vlorës pretendohet se vepron mes Vlorës dhe Fierit është mbajtur nën hetim prej afro një viti.

Këtij grupi, sipas të dhënave, i përket edhe i shpallur në kërkim nga operacioni “Syri” që u zhvillua tri ditë më parë në det të hapur nga Guardia di Financa, që mundi të bllokonte anijen me 1 ton kanabis. Policia bën me dije se i kërkuari dyshohet të jetë kreu i grupit, ndërkohë që sipas të dhënave pritet ndërhyrje për t’i sjellë në pranga edhe personat që janë mbajtur nën hetim.

Por, Policia e Vlorës dhe Prokuroria ende nuk kanë zbardhur faktin nëse mjetet e sekuestruara në shtëpinë e njërit prej të arrestuarve janë mjetet me të cilat është bërë nisja e lëndës narkotike, ndërkohë që Policia italiane ka theksuar se tri mjetet lundruese të ngarkuara me kanabis që mbërritën te mjeti që drejtohej nga dy ukrainasit janë nisur nga grykëderdhja e Vjosës rreth orës 3 të pasdites së 7 gushtit.

Autoritetet italiane tregojnë se mjetet kanë qenë të parkuara aty prej shumë orësh, çka do të thotë që skafet e drogës janë ngarkuar të paktën një natë më parë për tu lënë në pritje të skafistëve për të cilët Policia e Vlorës pretendon se i ka gjetur dhe tashmë i ka në pranga. Ditën e sotme ata pritet të dalin për masë sigurie në Gjykatën e Vlorës ku jo vetëm do të njihen me masën, por edhe do të qartësojnë pozitat e tyre në atë që konsiderohet një grup i madh kriminal që merret me trafikun e lëndëve narkotike.

DESTINACIONI I DROGËS SIPAS GUARDIA-S

Mijëra kilogramë marijuanë të sekuestruara në bordin e një veliere nga Shqipëria do të kishin shërbyer për të furnizuar jetën e natës puliaze.

Hetimet e GDF-së, e cila dje mbajti një konferencë për shtyp për sekuestrimin e drogës, janë fokusuar pikërisht në lidhjet mes krimit shqiptar dhe atij italian. Në aksion u arrestuan pesë persona, tre shtetas shqiptarë dhe dy shtetas ukrainas që ndodheshin në bordin e skafit të kapur në det, në brigjet e Capo di Leuca (Lecce). Natën mes 7 dhe 8 gushtit, një helikopter i Guardia di Finanza ka vënë re tri varka, 13 milje larg bregdetit shqiptar, nga të cilat janë transportuar thasët e marijuanës.

Pesë personat e arrestuar janë përgjegjës për trafik ndërkombëtar droge dhe sipas asaj që doli në këtë fazë të parë hetimore, nuk përjashtohet mundësia që droga e sekuestruar të përdorej për furnizimin e shesheve të farmacive në Pulia, veçanërisht për jetën e natës në resortet turistike. Hetimet do të vazhdojnë edhe falë telefonave të gjetur në skaf.

KUSH JANË TË ARRESTUARIT

Tre shqiptarët Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, që të tre banorë të lagjes “24 Maji” në Vlorë u bllokuan dhe arrestuan nga Policia. Dy ukrainasit Bychkovi Serhii 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç u arrestuan nga Policia italiane, të cilët kanë mundur të marrin edhe dëshminë e tyre menjëherë pas prangosjes.

Ata kanë dëshmuar se lëndën ua sollën tre shtetas shqiptar dhe se ishin thjesht transportues po nuk kishin lidhje me trafikun. Policia italiane bëri me dije se droga ishte ndarë në blloqe dhe çanta të ndryshme.

Nga ky operacion u sekuestruan 3 skafet me të cilat dyshohet se lënda narkotike është transportuar deri në thellësi të detit Jon ku është dorëzuar në anijen velierë në ujërat Santa Maria di Leuca në Lecce. Kështu, operacioni antidrogë nisi mbrëmjen e 7 gushtit në brigjet e Santa Maria di Leuca, kur një helikopter i Guardia-s, i cili kreu fluturimin për llogari të Frontex (Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare) vuri re tre persona në detin Jon, të cilët shkarkonin pakot në një varkë me vela.

Në bordin e anijes, e cila më pas u dërgua në portin e Città Bella, u gjetën 992 kilogramë kanabis, të ndarë në 153 pako, secila me peshë nga 6 deri në 8 kilogramë.

Dy ukrainasit deklaruan se u ishte premtuar një shumë e madhe parash për të kryer transportin e ngarkesës që do të sillej nga Shqipëria. Ata gjatë dëshmisë kanë pranuar se mjetin dhe porosinë ua kishte dhënë një shtetas italian, emri i të cilit ende nuk është bërë i njohur për mediat vendase.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura