Sheryl Sandberg, drejtoreshë operative e FB: Gra, mposhtni frikën!

Oct 20, 2013 | 16:05
SHPËRNDAJE

Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook-ut
Ne thelb te shumices zse pengesave që hasin gratë, qëndron frika. Frika se mos nuk pëlqehen nga të tjerët. Frika se mos bëjnë zgjedhje të gabuara. Frika se mos bëhen objekt i opinioneve negative. Frika nga paragjykimet. Frika nga dështimi. Dhe trinia e shenjtë e të gjitha frikërave: frika e të qenit një nënë, grua apo bijë e keqe…

Kështu, ju lutem, pyesni veten: Çfarë do të bëja po të mos kisha frikë? Dhe pastaj nisuni ta bëni”. Ky mesazh na vjen nga Sheryl Sandberg, gruaja e gjashtë më e fuqishme në botë sipas revistës “Forbes”. Ajo është drejtoreshë operative e Facebook-ut, rrjetit social që ka “çmendur” gjithë botën, dhe na vjen në shqip përmes librit “Të bëjmë përpara”, një botim i shtëpisë botuese “Pegi”, nën përkthimin e një aktivisteje për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, me ndihmën e së bijës, Anja Basha. “Të bëjmë përpara” është një libër për gratë që duan të arrijnë synimet e tyre në profesione të ndryshme dhe për burrat që duan të kontribuojnë në një shoqëri më të barabartë.

Libri hedh dritë mbi pengesat e shumta që i mbajnë femrat larg vendeve udhëheqëse në vendin e punës, si për shembull diskriminimi, seksizmi i hapur ose i fshehur dhe ngacmimi seksual. Analizohen edhe pengesat shoqërore, si për shembull fakti që gratë punojnë dyfish, brenda dhe jashtë shtëpisë, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë punën brenda shtëpisë. Së fundmi, ka edhe barriera të brendshme që femrat i ngrenë vetë, duke pranuar dhe bërë të tyren diskriminimin sistematik dhe rolet gjinore të shoqërisë.

Autorja shprehet se që të shohim ndryshim, gratë duhet të largohen nga këto role shoqërore dhe personale, duke u munduar të arrijnë pozicione lidershipi. Ajo mendon se duke pasur më shumë zëra femërore në vende të pushtetshme, do të ketë mundësi më të barabarta për të gjithë. “Një botë ndershmërisht e barabartë do të ishte ajo ku femrat do të udhëhiqnin gjysmën e shteteve dhe kompanive në botë, dhe ku meshkujt do të kujdeseshin për gjysmën e punëve të shtëpisë”, thotë ajo. Libri i Sandbergut frymëzoi lëvizjen “Lean in” (“Të bëjmë përpara”), që ka për qëllim të ndihmojë femrat të arrijnë qëllimet e tyre profesionale dhe personale, duke “bërë përpara falë ambicieve të tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura