Sherri që nisi në burg dhe më pas… Si tentuan të vrisnin kundërshtarin e tyre tre të rinjtë shkodranë!

Feb 22, 2021 | 13:30
SHPËRNDAJE

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, ku shënjestër ka qenë një 30-vjeçar që ndodhej në makinën e tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50, në afërsi të një pike karburanti në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër. Sipas njoftimit të Policisë së Shkodrës, është qëlluar në drejtim të mjetit ku ndodhej shtetasi Taulant Pepaj, 30 vjeç banues në lagjen “Skenderbeg”. Nga të shtënat nuk pati persona të plagosur.

Menjëherë pas të shtënave, autorët dhe shënjestra e atentatit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, aty kanë shkuar shërbimet e Policisë së Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke u vënë në ndjekje të autorëve. Sipas burimeve nga uniformat blu, në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja plumbash, të cilat janë sekuestruar si provë materiale. Po ashtu, efektivët kanë sekuestruar edhe pamjet e sigurisë të subjekteve aty ku ndodhën të shtënat me armë zjarri. Ndërkohë janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë që kanë qenë aty ku ka ndodhur ngjarja.

AUTORËT

Efektivët kanë arritur që të identifikojnë autorët e dyshuar. Kështu, personat e përfshirë në këtë ngjarje dyshohen të jenë shtetasit Esmeraldo Hato, person me precedent të mëparshëm kriminal dhe dy vëllezërit Sehar Xhenje dhe Shkëlzen Xhenje, po ashtu edhe këta me precedent të mëparshëm kriminal. Autorët e dyshuar kanë qenë me një mjet tip “Audi”, ngjyrë e zezë.

Policia është vënë në ndjekje të tyre, por autorët e dyshuar kanë arritur që t’i shmangen Policisë. Megjithatë efektivët kanë sekuestruar mjetin e autorëve të dyshuar, pasi ata e kanë braktisur në një rrugë të ngushtë dytësore në fshatin Grudë të njësisë Rrethina. Është e paqartë nëse nga ai vend janë larguar në këmbë apo ka qenë dikush tjetër me ndonjë mjet duke i pritur, por gjithsesi ia kanë dalë që t’i shpëtojnë ndjekjes së Policisë.

Pas sekuestrimit të mjetit, pritet që përmes gjurmëve në atë makinë, Policia të sigurohet edhe përmes provave shkencore për autorët. Sipas burimeve, autorët e dyshuar, dy prej tyre kanë qenë pa maskë, ndërsa njëri është me maskë në vendin e ngjarjes. Po ashtu, gëzhojat e plumbave të sekuestruara janë nga dy lloje pistoletash të ndryshme nga njëra-tjetra, çka tregon se është qëlluar nga dy armë të ndryshme.

KONFLIKTI

Nga sa mësohet, tre autorët e dyshuar dhe Taulant Pepa kanë pasur një konflikt në burg, teksa kanë qenë në të njëjtën kohë, duke goditur fizikisht njëri-tjetrin. Pasi kanë dalë nga burgu, e kanë vijuar përplasjen e tyre, kësaj radhe përmes armëve. Nga sa mësohet, shtetasi Taulant Pepaj në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017” është ndaluar si person i shpallur në kërkim. Në 12 tetor të 2017 Policia e Shkodrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka realizuar me sukses operacioni për kapjen e 30-vjeçarit. I riu në atë kohë dyshohej për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa ndaj tij u dha masa e sigurimit “Arrest ne burg” për ngjarjen e datës 25 qershor 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura