Sherri për paratë/ I penduari nxjerr sekretet, si zbuloi “bandën e Rinasit”

Mar 1, 2017 | 13:48
SHPËRNDAJE

Autorët e grabitjes së rreth 7 milionë eurove në rrugën Tiranë-Rinas, në zonën e Qafë-Kasharit, kanë pasur kontradikta mes tyre në lidhje me ndarjen e parave që përfitonin nga krimet, raporton “Panorama”.

Jetmir (Admir) Çerpja
Jetmir (Admir) Çerpja

“I penduari” Admir Çerpja ka treguar para prokurorëve të Krimeve të Rënda se ka pasur mosmarrëveshje së fundi me të arrestuarin Dash Kupa, në lidhje me shumën e parave që ka përfituar pas grabitjes së ndodhur në rrugë pranë aeroportit.

“Nga deklarimi i shtetasit Admir Çerpja, ai e ka pranuar faktin se ka marrë pjesë në të dyja ngjarjet e vjedhjes së datës 03.12.2015 dhe 09.02.2017, duke sqaruar edhe rolin e tij (si informator) dhe të personave të tjerë të përfshirë në këto ngjarje.

Po ashtu, ai ka deklaruar se në këto ngjarje ka qenë edhe shtetasi Dash Kupa. Ai ka deklaruar se si rezultat i këtij bashkëpunimi ka përfituar nga vjedhja e parë vlerën monetare prej 70000 paund, të cilët i ka shpenzuar, ndërsa për vlerën monetare të përfituar nga vjedhja e dytë ai ka deklaruar se ashtu siç e kishte marrë e mbante të fshehur, të vendosura në një tenxhere hermetike dhe të groposur afër banesës së tij në Bathore”, thanë burimet e Prokurorisë.

Pikërisht në lidhje me këtë shumë të përfituar prej tij për rolin e informatorit që kishte kryer, duket se Admir Çerpja ka qenë i pakënaqur.

SHERRI PËR PARATË

Gjatë hetimit, prokuroria bën me dije se anëtarët e grupit të grabitjeve kanë pasur kontradikta mes tyre, jo vetëm pas grabitjes së fundit, por edhe më herët. Këto kontradikta duket se kulmuan pas kapjes së anëtarëve të grupit, të cilët njëri pas tjetrit nisën të dëshmojnë në polici e në prokurori, duke treguar “fajet e tyre dhe të shokëve”.

Nga të gjithë personat e arrestuar deri tani, të vetmit që nuk kanë pranuar të flasin e të japin shpjegime janë Ernest Kupa dhe Dash Kupa, të dy të afërm të Ilir Kupës, shqiptarit të njohur për arratisjen nga burgu në Greqi.

Mësohet se në dëshminë e tij, Admir Çerpja ka thënë se në grabitjen e 9 shkurtit roli i tij ka qenë të qëndronte në vëzhgim te rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë, e të njoftonte grupin kur aty të kalonin makinat e blinduara ku ndodheshin paratë.

Pas kësaj ngjarjeje, Çerpja ka thënë se Dash Kupa i ka dhënë rreth 70 mijë paund, ndërsa ka pretenduar se ideja e fshehjes së parave në tenxhere me presion ka qenë pikërisht e të arrestuarit të fundit (Dash Kupa).

Admir Çerpja, i cili pritet të marrë statusin e të penduarit, ka thënë se Dash Kupa ka qenë ai që ndante paratë pas secilës grabitje, duke i faturuar atij rolin e organizatorit në aktivitetin kriminal bashkë me të kërkuarin Admir Murataj.

ROLET NË GRUPIN E GRABITËSVE

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vetëm pak ditë që ka marrë në dorë dosjen e grupit të grabitësve, por bazuar në provat e mbledhura më herët nga Prokuroria e Tiranës dhe veprimet e kryera së fundi dyshon se Admir Murataj dhe Dash Kupa janë organizatorët e dy grabitjeve të ndodhura në Qafë-Kashar-Rinas.

Sipas informacioneve policore, njohja mes këtyre dy personave dyshohet se ka nisur që në burgjet greke, ku ka qenë i dënuar edhe Dash Kupa për akuzat e grabitjes. Prokuroria ka dyshime se janë këta dy të dyshuar, Admir Murataj dhe Dash Kupa, që kanë gjetur personat e tjerë me të cilët kanë kryer grabitjet.

Dy organizatorët dyshohet se kanë siguruar edhe armët, si dhe mjetet për të lëvizur nga vendi i ngjarjes, para, gjatë dhe pas secilës nga grabitjet. Informacioni për lëvizjet e mjeteve të transportit të parave, mënyrën e organizimit të tyre dhe shumat e parave që mjetet transportonin, burimet thonë se siguroheshin nga Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlikaj, Neim Avdulaj dhe Admir Çerpja, personi që ka prezantuar informatorët me grabitësit.

Pas dhënies së informacionit, prokuroria tregon se grabitësit i kanë shpërblyer me shuma të mëdha parash të dyshuarit Fatjon Xhyliu (ishpolic privat), Ditjon Memlikaj )ish-komandi) dhe Admir Çerpja (informator). Mendohet se paratë në formën e shpërblimit pas çdo grabitjeje i shpërndante Neim Avdulaj, edhe ky ish-komando, person i njohur më së shumti me Ditjon Memlikën e Fajton Xhyliun.

GRABITJET

Një shumë prej 3.8 milionë eurosh është grabitur në rrugën Tiranë-Rinas në zonën e Qafë-Kasharit, më 3 dhjetor 2015. Eskorta e policisë private u përball me një pritë me 4-5 persona të armatosur, që duke u hequr si policë ndaluan mjetet dhe pasi kërcënuan e qëlluan me armë disa herë thyen xhamat e blindit dhe morën paratë.

E njëjta skenë ndodhi më 9 shkurt 2017 në rrugën pranë Rinasit, kur autorët morën 3.2 milionë dollarë. Ata që informonin për lëvizjen e mjeteve të policive private dhe ndihmësit janë kapur, ndërsa nuk janë kapur personat që kanë vepruar të armatosur në realizimin e vjedhjeve të shumave të konsiderueshme. Pavarësisht shumës totale prej 7 milionë eurosh, deri tani janë gjetur vetëm 400 mijë euro.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura