Sherri për një xhiro me kalë, ja kush është pronari i lokalit që vdiq në spital. Detajet e ngjarjes së rëndë

Aug 6, 2019 | 14:38
SHPËRNDAJE

Personi qe shihni ne foto eshte biznesmeni qe vdiq në spital, pasi u qellua ne lokalin e tij me disa plumba ne trup, nderkohe qe policia shpall në kërkim 34-vjeçarin dhe tre bashkëpunëtorët e tij. Eduart Xhezo, një emër i njohur për Policinë e Vlorës, është autori kryesor i vrasjes së Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit dhe kushëririt të tij.

Viktima Arben Beqiraj dhe vendi i ngjarjes
Viktima Arben Beqiraj dhe vendi i ngjarjes

Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës në zonën e “Plazhit të Vjetër” në Vlorë, në një kohë kur bregu i detit ishte ende plot me pushues. 34-vjeçari Xhezo, pas një konflikti që kishte pasur me biznesmenin dhe të birin e tij, është kthyer për t’u hakmarrë duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri automatiku.

49-vjeçari, nga breshëria, mori të paktën gjashtë plumba, ku një prej tyre që mori në pjesën e gjoksit rezultoi fatale për jetën e tij. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale, babai i tre fëmijëve ndërroi jetë disa orë më pas.

Ndërkohë, i biri, Ergest Beqiraj, 18 vjeç, dhe kushëriri, Nesim Hodaj, 50 vjeç, kanë marrë plagë në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

KONFLIKTI

Autori kryesor i ngjarjes, Eduart Xhezo, ka pasur një konflikt me Arben Beqirajn disa orë para ngjarjes. Shkak është bërë kalimi i tij me kalë para biznesit të tij. 49-vjeçari dhe i biri i kanë kërkuar Xhezos që të mos kalojë para lokalit, pasi shqetësonte plazhistët.

Kjo ka sjellë një konflikt fizik të djalit të pronarit të lokalit me personin që po kalëronte. Më pas, Eduart Xhezo, disa orë më pas, ka shkuar për t’u sqaruar, por konflikti është përshkallëzuar më tej, duke çuar në shkrehjen e armës. Mësohet se Xhezo, në momentin që ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të Beqirajt, ka qenë i shoqëruar nga tre persona të tjerë.

Ata janë identifikuar si Ariel Kingji, 18 vjeç, Çelik Lena, 20 vjeç, dhe G. Lena, të cilët janë shpallur në kërkim bashkë me 34-vjeçarin Xhezo. Sipas hetuesve, në momentin e të shtënave, Xhezo ka shkuar në lokal bashkë me një prej tre bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa dy të tjerët kanë qëndruar në distancë.

Pas sulmit me armë, katër të dyshuarit janë larguar me një automjet në drejtim të Pyllit të Sodës duke i shpëtuar arrestimit nga forcat e Policisë, pavarësisht se në kërkim të tyre u vunë efektivë të Komisariatit të Vlorës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura