Sherri për lojën u kthye në tragjedi, i mituri vdiq pas disa goditjeve me thikë. Ç’ndodhi mes dy shokëve

Sep 6, 2018 | 7:25
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ UPDATE/ Godet shokun me thikë pas sherrit në lojë, vdes në spital adoleshenti. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Fushë-Mamurras në Kurbin, ku një fëmijë vetëm 14 vjeç, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me armë të ftohtë. Policia-Lezhe-620x330

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 20:34 në një shesh pushimi që fëmijët e fshatit përdornin për të luajtur. Viktimë ka mbetur A. Sala, 14 vjeç, banues në FushëMamurras, i cili pavarësisht se u dërgua me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë nuk mundi të mbijetojë dot. I mituri u godit disa therë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Si përgjegjës për ngjarjen mësohet se Policia ka shoqëruar në Komisariat A. Xheçuka, 15 vjeç.

Dy të rinjtë, banues në Fushë-Mamurras janë përfshirë në një konflikt të çastit me njëri-tjetrin. Pas sharjeve dhe konfrontimit fizik mes tyre, 15-vjeçari mësohet se ka goditur me thikë bashkëmoshatarin e tij. Pavarësisht se për shuarjen e konfliktit kanë ndërhyrë disa të rinj që ndodheshin pranë tyre, autori ka arritur ta godasë disa herë të miturin, gjë e cila rezultoi fatale për jetën e tij.

Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë para nisjes së vitit shkollor, ku 14- vjeçari do të niste shkollën e mesme. Autori pak pas ngjarjes është ndaluar nga forcat e policisë dhe është shoqëruar në Komisariat. Adoleshenti pritet të merret në pyetje në praninë e psikologes për të mësuar më shumë mbi ngjarjen e rëndë në prag të nisjes së vitit shkollor.

“Rreth orës 20:34, është marrë njoftim se në Fushë-Mamurras në Kurbin, shtetasi A.Xh. 15 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, ka goditur me mjet prerës (dyshohet thikë) shtetasin e mitur A.S. 14 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Nga veprimet hetimore dyshohet si pasojë e një konflikti të çastit. Autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprimet e mëtejshme hetimore procedurale, për veprën penale të kryer”, bën të ditur Policia, ndërsa çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura