Sherri në PD/ “Ish ministrat e çuan PD-në përtokë”

Oct 9, 2015 | 10:57
SHPËRNDAJE

Kryetarët e degëve të PD-së nuk i kanë mirëpritur, madje kanë reaguar përballë akuzave të artikuluara nga disa ish-ministra në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Kreu i PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko, i ka cilësuar kërkesat e ish-ministrave të PD-së si shfaqje të vjetra teatrale.

Genc Ruli dhe Lulzim Basha
Genc Ruli dhe Lulzim Basha

Në një reagim në “Facebook”, Bejko thekson se kërkesa për përmirësimin e komunikimit etik vjen nga njerëzit e gabuar dhe pikërisht nga ata që nuk janë dalluar për komunikim gjatë kohës kur ishin në rolin e “apostujve”. Bejko kërkoi më shumë respekt për kryetarët e degëve, ndërkohë që kërkoi nga ishministrat t’i lejojnë të rindërtojnë atë që ata zhbënë për 8 vite me radhë.

“Kryetarët e PD-së të degëve meritojnë respekt e mirënjohje, sepse me sakrifica të papara e pa asnjë shpërblim e mbështetje financiare po mundohen të rindërtojnë atë ngrehinë që disa nga ‘spikerët’ e sotëm e shpërbënë me qetësi, dashuri dhe arrogancë për 8 vjet me radhë”, shprehet Bejko.

Kreu i PD-së së Gjirokastrës u ka bërë thirrje të gjithë demokratëve të jenë të bashkuar në aksionin e tyre opozitar dhe t’i lënë “qurravitjet” pas zgjedhjeve. Qëndrim të ashpër ndaj ish-ministrave dhe qëndrimeve të mbajtura prej tyre ka mbajtur edhe kreu i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj.

I kontaktuar nga “Panorama”, Meminaj ka kërkuar nga deputetët dhe ish-ministrat t’i lënë kryetarët e degëve të punojnë për të ngritur PD-në në pozitat që i takon.

“Ju lutem na lini të qetë të punojmë për fitoren e 2017-s. Ta riformatojmë, ta sjellim sërish PD-në fituese ashtu siç i takon. Na e latë Vlorën me 3 deputetë në 2013-n, e çuam në 4 deputetë në 2014-n, na lini ta çojmë në 5 deputetë në 2015-n”, shprehet Meminaj.

Sipas kreut të PD-së Vlorë, ish-ministrat duhej të ishin larguar që nga koha kur Sali Berisha dha dorëheqjen nga kreu i PD-së.

“Një pjesë e mirë e tyre e kanë nëpërkëmbur këtë parti. Ishin pikërisht ata që e çuan përtokë Partinë Demokratike në 2013-n. Ne vijmë nga një ‘shok’ i madh që morëm në 2013-n. Kur iku Sali Berisha dhe dha dorëheqjen, këta të tjerët duhej të ishin bërë shkrumb e hi. Duhej të ishin fshirë. Kur nuk ndihet Berisha, të mos flasin as këta të tjerët. Ne kemi një kryetar të zgjedhur dhe legjitim. Të tjerët të heshtin”, shprehet Meminaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura