Sherri në OKB për Kosovën, ambasadorja Çitaku përplaset me Daçiç

Aug 17, 2017 | 8:46
SHPËRNDAJE

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mërkurën, është diskutuar për Kosovën, ku ka pasur edhe përplasje mes ambasadores së Kosovës në OKB dhe Ministrit të Jashtëm serb, në lidhje me “kombësinë”.

vlora-citaku-okb-ks-850x567-780x439-780x420_1502897141-4826138

Ambasadorja kosovare në Uashington, Vlora Çitaku mbajti një fjalim në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku kërkoi dhënien fund të misionit të UNMIK, i cili nisi si një mision paqeruajtës nga OKB për vetëm një vit dhe është shtyrë plot 12 vite të tjera pa kryer asnjë funksion. Sipas Çitakut,

“Kohërat kanë ndryshuar qysh nga viti 1999. Kosova sot është e lirë dhe një shtet sovran. Nuk ka asnjë nevojë për UNMIK-un që të jetë i pranishëm, pasi nuk ka asnjë rol, asnjë funksion… Më shumë se 36.5 milionë dollarë shpenzohen çdo vit për të mbajtur një mision, mandati i të cilit ka marrë fund para 4 viteve…”. Çitaku përmendi edhe nevojën që Kosova të ketë forcat e veta të armatosura.

“Ne për një kohë shumë të gjatë kemi qenë konsumatorë të sigurisë, ne besojmë që është koha jonë për të përmbushur detyrën tonë prej sovrani dhe të themelojmë forcat tona të armatosura, por gjithashtu të kontribuojmë edhe në infrastrukturën regjionale dhe ndërkombëtare të sigurisë. Sfidat, me të cilat përballemi sot janë të pakufishme dhe ato kërkojnë që ne të punojmë së bashku, krah për krah”, u shpreh ajo.

Çitaku ka kritikuar qëndrimin agresiv të serbisë. “Në vend që të normalizojnë lidhjet, Serbia ka krijuar pengesa të panevojshme… Mos të përmendim shkeljen mbi implementimin e marrëveshjes së Brukselit… Sabotimet vazhdojnë, dhe gjëja që brengos më së shumti është dualizmi i Serbisë në implementim, teksa vazhdon të pretendojë se po implementon marrëveshjen dhe vazhdon të përkrahë strukturat paralele në Kosovë, duke përfshirë edhe komunat ilegale në veri dhe pjesë tjera të Kosovës”, tha Çitaku. Ajo kujtoi edhe viktimat e pagjetura të luftës. Foli edhe për propozimin e Ahtisarit, i cili ka qenë i dhimbshëm për Kosovën. Dhe iu referuar ideve të ministrit serb për ndarjen në vija etnike.

“Duke rishikuar idetë për zgjidhje përreth vijave etnike, është e rrezikshme për tërë rajonin. Nëse refuzojmë multikulturizimin dhe diversitetin etnik mes dy shteteve tona, midis dy kufijve tanë, atëherë si mendojmë ne të ekzistojmë së bashku me BE, në një botë të pavarur dhe të lidhur. Më lejoni t’ua them qartë dhe me zë të lartë, Kosova nuk është projekt i përkohshëm, Kosova është këtu të qëndrojë përgjithmonë”.

Ajo shtoi se e ardhmja nuk është e shurdhët për kosovarët, duke iu referuar edhe një dokumentari.

Por Daçiç i ka thënë Çitakut me nervozizëm se:

“Populli shqiptar e ka shtetin e vet, kosovarët nuk kanë shtet sepse nuk janë komb. Çitaku nuk është kosovare, por shqiptare”.

Përgjigjja e saj ishte: “Sipas jush, nëse jam shqiptare, a po kërkoni të shkoj në Shqipëri? Askush nuk mund të më thotë se pasi qenkam shqiptare, nuk mund të jetoj në Kosovë. Kosova është shtet që u përket të gjithë shqiptarëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura