‘Sherri’ në komision/ “Injorantë e abuzues”, PS përplaset me PD për plehrat

Sep 21, 2017 | 23:15
SHPËRNDAJE

Propozuesi i amendamentit për ligjin e mbetjeve, Eduard Shalsi, njoftoi dje se nisma e tij do të tërhiqet nga punimet e Parlamentit. Në funksionin e kryetarit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Shalsi tha dje se vendimi ishte marrë nga PS, por ai nuk ishte në dijeni se si do të tërhiqej nisma.

veprimtaria-prodhuese

Por gjatë mbledhjes, deputeti i PD, Florion Mima, kërkoi që maxhoranca të votonte në Parlament dekretin e presidentit, i cili ktheu ligjin e mbetjeve për rishqyrtim. Sipas Mimës, rrëzimi në Parlament do të ishte në nder të socialistëve.

Demokratët kërkuan që për importin e plehrave të miratohet nisma e tyre për referendumin popullor. Por Shalsi i ka quajtur injorantë dhe abuzues personat që reaguan për nismën e tij. Ai tha se do të ishte i pari që do ta votonte referendumin për importin e plehrave, por nisma e tij bënte fjalë për import të lëndëve dytësore për riciklim.

DEBATI PËR LIGJIN E MBETJEVE

Eduard Shalsi: Është marrë një vendim së bashku me disa projektligje të tjera të tërhiqen si propozime nga pikëpamja formale nuk jam në dijeni si do të realizohet, por ajo që jam në dijeni është se do të hapet një proces diskutimi i gjatë…

Florion Mima: Tërheqja e aktit ka vetëm një rrugë, dekreti i presidentit për pezullimin dhe mosfutjen në fuqi të ligjit të mbetjeve duhet validizuar. E vetmja rrugë për ta bërë këtë është që ligji të bjerë dhe të rrezohet në Parlamentin e Republikës. Kjo nuk është shaka dhe ju jeni një ndër propozuesit, por do të ishte në nderin tuaj dhe të partisë suaj ta sillni për votim dhe deputetët e Parlamentit ta rrëzojnë me votën e lirë…

Eduard Shalsi: Unë jam një ndër propozuesit. Ka pasur shumë aludime, ka pasur shumë hamendësime, shumë abuzime dhe manipulime të opinionit publik. Gjithsesi është parë e arsyeshme që ligji apo propozimi të tërhiqet, gjë për të cilën dhe unë kam rënë dakord, duke parë dhe mjegullnajën e tymnajën e jashtëzakonshme që individë të caktuar kanë hedhur… Është një nismë që ka pasur pëlqimin e të gjitha palëve në komision, LSI-PD dhe ne si PS. Madje, opozita ka votuar në komision pro, ndryshoi qëndrim për arsye politike në seancën parlamentare.

Florion Mima: Ka pasur një nismë të opozitës së legjislaturës së kaluar që kjo çështje t’u kalojë qytetarëve për referendum. Silleni atë nismë dhe ta bëjmë të vlefshme. Kur nisma kur u miratua në kohën e qeverisë së PD, dhe kryeministri i sotëm tha që ajo ishte krimi më i madh dhe tradhtia më e madhe kombëtare, nëse do lejojmë të importohen plehrave. Më mbrapa ndërtuar mendim dhe me pas u çua populli që u tërhoqet.

Eduard Shalsi: Forca juaj politike e ka votuar iniciativën në komision. Tymnaja e plehrave nuk kishte të bënte me plehrat.

Florion Mima: Tymnajën e krijuat ju…

Eduard Shalsi: Sot ka vendim për t’u tërhequr, se si do tërhiqet është gjë tjetër. Sa për të ashtuquajturin referendum, po jua them që referendum për importin e plehrave në Shqipëri, i pari që do ta firmos do të jem unë. Por një nga pikat për të gjithë të paditurit, injorantët, abuzuesit dhe manipuluesit e opinionit publik ka qenë ajo pikë e propozuar nga zoti Baraj, që specifikisht qartësohej se ndalohej importi i plehrave me qëllim djegien…

Lefter Koka: Fakti që doni të tërhiqeni, tregon një xhenerozitet dhe mund të bëhet, edhe pse i keni numrat për ta miratuar.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura