‘Sherri me dhëndrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës për vajzën e pashme me biçikletë’, dëshmia e ish-të burgosurit që u arratis: Pasi më kapën ushtarët…

May 13, 2020 | 20:04
SHPËRNDAJE

pjimage (3)Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte  historia e panjohur e Haxhi Sulës nga Tirana, i cili në vitin 1975, pas një zënke me dhëndrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, mori rrugën në drejtim të pyjeve të Krrabës me qëllim për t’u arratisur nga Shqipëria, por u kap nga ushtarët në fshatin Pëllumbas dhe u dënua me shtatë vite burg, duke u dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Borshit.

Historia e rrallë e arratisjes së Haxhi Sulës nga burgu i Borshit, ku pasi goditi ushtarin në vënd-roje dhe i morri mitrolozin e lehtë, u largua në drejtim të rrugës nacionale ku me forcë detyroi një shofer “ZIS”-i dhe të dy morrën rrugën për në drejtim të Nivicës, ku dhe u rrethuan nga forcat ushtarake e ato vullnetare në një operacion të madh që e drejtonte nga helikopteri zv/ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, i cili së bashku me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiun.

Arrestimi i Haxhiut në fshatin Nivicë ku e lanë forcat dhe ra pandjenja, e përmëndja pasi një shofer me emrin, Foto, hoqi thuprën meatalike të matjes së vajit të makinës dhe ja futi në vrimën e plumbit duke i prishur shpretkën që i’a hoqën më vonë në Spitalin e Burgut. Ridënimi i Haxhiut dhe vuajtja e dënimit në burgun e Burrelit nga ku ai u lirua në vitin 1986, pas dy amnistive dhe tentative tjetër e arratisjes nga kufiri në vitin 1988 në fshatin Skënderbe të Librazhdit, ku njërin nga shokët e tij e shqeu qeni i kufirit, kurse tjetrin e bënë shoshë me  plumba…?!

“Në përrua më rrethuan 14 ushtarë të kufirit me në krye oficerin e tyre, Pajtim A. Unë qëlloja pa pushim me mitrolozin e lehtë, por ushtarët nuk trembeshin nga të shëtënat e mija. Më pas më kapi një plumb tjetër, një gisht poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi ishte fshehur pas disa shkëmbinjëve dhe shënonte me saktësi drejt meje, pashë që po afroheshin dhe dy tanke, kurse mbi krye ishte një helikopter ku qëndronin Feçor Shehu me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të  Sarandës, Jashar Menzelxhiu.

Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare e më lidhën fort. Një shofer nga Nivica, i quajtur Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit dhe ma futi thellë te brima e plagës së plumbit, e cila më preku shpretkën dhe ma dëmtoi. Tani nuk e kam më”. Kështu i kujtonte Haxhi Sula minutat e fundit të tij në liri, pas arratisjes së nga burgu i Borshit në vitin 1975, pak kohë pasi ishte dënuar për “tentativë arratisje” dhe ishte arrestuar në pyjet e Krrabës në fshatin Pëllumbas.

Po kush është Haxhi Sula, cila është e kaluara e tij, si u dënua ai herën e parë kur ishte në moshën 23 vjeçare pas një zënke me dhëndrrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, ngjarje e cila do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës për t’u dënuar dhe ridënuar disa herë në burgjet e regjimit komunist, pas dy tentativash arratisje nga burgjet dhe një nga kufiri?! Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga jeta e tij tragjike, Haxhi Sula (apo siç është njohur ndryshe pas viteve ’90-të edhe me emrin Ylli), i konsideruar si një nga më të tmerrshmit e burgjeve komuniste, bashkë me bashkëshorten e tij, Vjollca Giçi Sula, na i tregonin pak kohë para se Haxhiu të ndahej nga jeta në rrethana tragjike në vitin 1997.

Incidenti me dhëndrin e Kadri Hazbiut

Historia e gjatë e mundimeve të Haxhi Sulës drejt burgjeve komuniste, e ka zanafillën diku aty nga viti 1975, pas një incidenti në qëndër të Tiranës, e cila paprimtas do t’i ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Isha vetëm 23 vjeç kur nisi odiseja ime e gjatë drejt ferrit komunist. Në pranverën e vitit 1975, teksa isha duke shetitur në Bulevardin “Qemal Stafa” në Tiranë, një vajzë e pashme që po mësonte biçikletën, erdhi dhe u përplas me mua. Unë me tepër mirësjellje e qortova, duke i thënë që ta mësonte më larg biçikletën dhe jo aty, pasi do të përplasej me ndonjë automjet. Por pas pak aty pranë më ndali dhëndrri i Kadri Hazbiut dhe më goditi. Unë nuk durova dhe i’u përgjigja me të njëjtën mënyrë, por sapo mësova se kush ishte, ika me vrap dhe dola te kodrat e liqenit, e më pas drejt pyjeve të Krrabës ku qëndrova i fshehur për katër ditë e net me rradhë.

Ditën e katërt, duke menduar se do të harroej ajo punë, zbrita nga pyjet e Krrabës dhe fshehurazi erdha deri afër shtëpisë sime në Tiranë. Aty pashë se forcat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme kishin rrethuar shtëpinë me katër makina policie, duke kujtuar se unë do të kthehesha aty. Operacioni për kapjen time e drejtonte vetë zv/ministri i Punëve të Brendëshme dhe Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, së bashku me Kadri Ismailatin, një nga shefat e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Pas asaj që pashë aty, fillimisht u tmerrova dhe nuk po dija se çfarë të bëja, por e mblodha vetën në sekond dhe menjëherë u nisa për në drejtim të pyjeve të Elbasanit, me mendimin për t’u arratisur nga kufiri në zonën e Librazhdit.

Por në fshatin Pëllumbas, më rrethuan ushtarët e një reparti të Ministrisë së Mbrojtjes që i kishin ngritur në alarm pas ngjarje sime. Ata, me disa breshëri të gjata automatiku më urdhëruan që të dorëzohesha. Nga që kisha disa ditë pa vënë gjë në gojë, fuqitë më kishin lënë dhe nuk kisha mundësi që t’ju bëja asnjë rezistencë ushtarëve, të cilët më kapën e më lidhën menjëherë. Njëri prej tyre më tha: ‘Ke rënë në fole grenzash’. Pas kësaj, më nisën për në Tiranë, ku më mbajtën tre muaj në Hetuesi, krejt të vetëm dhe me një batanije të hollë.

Pas hetuesisë, më mbajtën edhe gjashtë muaj në spitalin e burgut, duke më kuruar plagët që m’i kishin shkaktuar vetë nga të rrahurat. Më pas, më nxorrën në gjyq, duke më dënuar me shtatë vite burg me akuzën për “tentativë arratisje”. Pas më mbajëtn një javë në “Kaushin” e Burgut 313 të Tiranës, më nisën për në burgun e Borshit në Sarandë”, kujtonte Haxhiu, incidentin me dhëndërrin e Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, që e “përpasi” së pari në burgjet e regjimit komunist.

Arratisja nga burgu i Borshit

Që ditën e parë sapo mbërriti në burgun e Borshit, Haxhi Sulës i punonte mëndja vetëm se si mund të arratisej nga ai kamp. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Më ishte mbushur mëndja: ose të arratisesha, ose të vdisja aty, rrugë tjetër nuk kishte. Pasi provova dhe bëra dy përpjekje, të dyja më dështuan, por nuk u pikasa nga ansjeri. Rasti i tretë më erdhi kur një nga nënoficerët më urdhëroi që të ngarkoja thesin me pleh fare pranë telave të rrethimit. Unë fshehurazi futa disa ushqime brenda në thes dhe u nisa për të zbatuar urdhërin e tij. Në ato momente në kokën time fillova të bluaja shumë gjëra, por e vetmja gjë që më mundonte, pa të cilën unë nuk mund të bëja dot asnjë hap në drejtim të telave, ishte arma.

Më ishte fiksuar dhe ngulitur në kokë, se po të kisha në dorë një automatik, nuk kishte njeri që të më ndalte dot që të arratisesha nga ai kamp. Përgjova ushtarin e rojes që ishte mbi tarracë e i gjeta rastin kur ai u afrua dhe e godita në kokë që ta trullosja. Ai ra në tokë por nga që ishte shumë i fuqishëm, u ngrit prap dhe më mbërtheu në trup. Unë e qëllova me grushta dhe e hodha në një hendek aty pranë. Ai menjëherë sapo ra aty, nxorri pistoletën që kishte në brez, ndërkohë që unë më parë kisha kapur mitrlozin e tij të lehtë me zinxhirin e plumbave të futur në fole dhe dy të tjerë që i kishre rezervë në kuti. Kur i preka ato me dorë, prej gëzimit më shkuan lotë në sy.

U nis pa e ditur se ku po shkoja, por vetëm e vetëm që që të largohesha sa më shumë prej aty. Mëndjen e kisha vetëm në drejtim të kufirit, rrugë tjetër për mua tashmë nuk kishte”, dëshmonte Haxhi Sula, lidhur me aventurën e rrezikshme të tij, atë të tentativës së arratisjes nga burgu i Borshit.

Ndjekja nga ushtarët dhe çetat vullnetare

Po çfarë ndodhi më pas me Haxhi Sulën pas largimit të tij nga burgu i Borshit, a arriti ai që të fitonte lirinë? Lidhur me këto, Haxhiu tregonte: “Teksa kisha kapërcyer telat e rrethimit të jashtëm të burgut dhe qëndroja me mitroloz në dorë, aty afër meje në çast se nga u gjëndën disa të dënuar, që i gjithë kampi i njihte si spiunë, apo bashkëpunëtorë të komandës, të cilët me të butë, e më të lutura, më bënin thirrje që të dorzohesha. Unë qëllova disa herë në ajër mbi kokat e tyre dhe ata u shtrinë të gjithë barkas në baltë. Nga breshëritë e mitrolozit, i gjithë ajri përreth meje mbante era barut. Nuk kishte shumë kohë për t’u menduar se në kamp u dha alarmi me sirenë dhe ushtarë e shërbimit nga kullat e rojes filluan të qëllonin me breshëri në drejtimin tim.

Unë sakaq ja kisha dhënë vrapit në rrugën kryesore dhe aty pashë një makinë tip “Zis” të ndaluar, ku shoferi i saj duket që po mundohej të eliminonte ndonjë difekt. Ju afrova dhe i thashë që ta niste menjeherë makinën. Ai shtangu dhe mbeti i hutuar nga fjalët dhe paraqitja ime me mitroloz në dorë. Ja përsërita fjalët dhe ai pasi vështroi edhe njëherë nga gryka e mitrolozit, me të shpejtë u hodh për tek timoni. Makina çuditërisht u ndez në moment dhe ai më pyeti se për ku do të shkonim. Unë i’u përgjigja tre herë: drejt Konispolit. Ai vazhdoi: po ku?!

Unë i thashë me zë të fortë: në drejtim të kufirit. Ai si nëpër dhëmbë foli disa fjalë që mezi i kuptova. Më duket sikur më tha se: po e merrja në qafë, pasi kishte shtatë fëmijë për të ushqyer. Unë hipa në karroceri dhe i dhashë urdhër të nisej menjëherë. Ai bëri ashtu siç i thashë unë dhe ndërsa makina fluturonte, mua se si më dukej vetja ashtu me mitroloz në dorë dhe mezi mbushesha me frymë nga ajri i pastër i detit që shtrihej poshtë rrugës autombilistike. Pas pak, përpara nesh në të dy anët e rrugës, u dukën një grup ushtarësh që siduket i kishin nxjerrë për të më ndjekur mua.

Qëllova me breshëri dhe ata u fshehën poshtë rrugës. Bashkë me ushtarët kishin dalë dhe çetat vullnetare. Të gjithë qëllonin kundër makinës dhe xhamat e spondet e saja, u bënë shoshë nga plumbat e tyre. Ndërsa makina nisi të çante përpara si avion, sikur shoferi të kishte një mëndje me mua, më dukej se rruga çahej dhe nga ato të çara, dilnin ushtarë dhe vullnetarë civilë që qëllonin drejt nesh. Ndërkaq morrëm një udhë në drejtim të pyllit dhe atëhere mëndova se shoferi nuk do të më tradhëtonte, sepse dashje pa dashje, ai ishte lidhur me mua dhe nuk kishte më kthim pas.

Aty në të hyrë të fshatit Nivicë, u dëgjuan krisma dhe thirrje të tjera. U futëm në pyllin majtas dhe aty na doli përpara një makinë “Gaz-51”, i mbushur me ushtarë. Qëllova me breshëri në drejtim të gomave të makinës dhe nga presioni ajo u përmbys de ushtarët fluturuan nga spondet, sikur të ishin lodra. Ne ecëm dhe pak përpara dhe pasi dëgjuam tri të shtëna pushke, të cilat ishin alarm për fshatarët, lamë makinën dhe i thashë shoferit që të më ndiqte pas nëpër përrua”, kujtonte Haxhi Sula, aventurën e tij të rrezikëshme të arratisjes nga burgu i Borshit me mendimin për të shkuar drejt Konispolit, ku ishte dhe kufiri.

Ndjekja me helikoter nga Feçor Shehu

Po çfar u bë më pas me Haxhi Sulën dhe shoferin që ai e detyroi që ta ndiqte nga pas në drejtim të kufirit? Lidhur me këtë Haxhiu tregonte:”Ndërsa unë e pyesja shoferin sa larg ishte kufiri nga aty, ai duke belbëzuar më thoshte se i kishte lënë fëmijët pa bukë në shtëpi. Unë mundohesha t’i jepja zemër që të shpejtonim, duke i broçkullitur ç’më vinte në gojë, por gjithmonë duke e urdhëruar. Teksa ecnim, dëgjuam zëra shumë afër. Shqferi më tha: ”Ke sjellë në kufi, si ushtarët shqiptarë dhe ata grekë. Do hapësh luftë mes tyre. Unë i thashë që të më ndiqte dhe pastaj po të donte, mund të kthehej.

Ai mu përgjigj: Ku të mbytem pastaj?! ‘Atëhere nxito me mua’, ju drejtova dhe pashë një grup tjetër ushtarësh që kishin zënë pozicionet tek një parcelë aty para nesh. Ata më qëlluan dhe një plumb rikoshetë më kapi në trup dhe më dogji shumë (nga kjo plagë më pas më kanë hequr gjashtë metër zorrë). U hodha në përrua dhe nisa të mbrohem duke qëlluar me breshëri. Po më mbulonte gjaku. Shoferit i ra të fikët, apo bëri vetë kur më pa ashtu dhe unë i hodha ujë përroi e ai u përmend. “Lërmë të vdes”, mu lut ai me sy gjysëm të mbyllur. Befas pashë të na afroheshin ushtarë me komandantin e tyre oficer Pajtim A.

Të pozicionuar ata qëllonin në drejtimin tim. Më kapi dhe një plumb tjetër, pak poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi shënonte saktë nga pozicioni i tij. Këpuca më qe mbushur me gjak dhe këmba më llapushitej aty brenda. Mezi mblodha fuqitë dhe qëllova dhe një herë më tepër për t’i trembur. Ndërkaq drejt meje po afroheshin dy tanke, kurse mbi krye fluturonte një helikopter, ku ishin Feçor Shehu dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiu. Për të shfryrë dufin, i harxhova të gjithë fishekët. Aty afër pashë një “Zetor” dhe u afrova për të hipur, por nga që kisha humbur shumë gjak, më lanë fuqitë dhe ngela aty pa ndjenja. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e Forcave Vullnetare dhe më lidhën fort.

Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën e matjes së vajit dhe ma futi thellë tek vrima e plagës. Më preku shpretkën duke ma nxjerrë jashtë përrdorimit (tani nuk e kam më atë). Ashtu i plagosur, i pafuqishëm, i dorëzuar nga dhimbjet, rrija shtrirë në tokë brenda një rrethi ushtarësh e civilësh që më shihnin me habi, si të isha një qënie tjetër, e jo njeri. Herë pas here më hidhnin ujë dhe unë përmendesha e shihja fytyra kureshtarësh mbi mua. Pastaj më lidhën fort dhe më plasën në një “Zetor” të mbushur me pleh të lagur që m’u ngjit me gjakun në ftyrë.

Tek sheshi i fshatit Bamatat, u ndodha i shtrirë nën këmbët e Feçor Shehut e Jashar Menzelxhiut. Doktori që po më mjekonte, kërkoi që të më zgjidhnin, por nuk ja plotësuan dëshirën. Pastaj më nisën për në Tiranë te Spitali i Burgut (në pavionin 7-të), ku doktorët firmosën se isha i përgjegjshëm”, kujtonte Haxhi Sula, fundin e aventurës që morri për të kaluar kufirin në pranverën e vitit 1975.

15 vite burg dhe vrasja misterioze

Pas asaj aventure të rrezikshme, Haxhi Sulën e nisën për t’i bërë gjyqin në Sarandë, ku kishte kryer dhe “krimin” e arratisjes nga vëndi i vuajtjes së dënimit. Në Qafën e Ballshit, policët e zbritën për të pirë ujë, duke ja zgjidhur duart. Ai teksa ndjehej i lirë, ju hodh një polici për t’i marrë automatikun. Gjatë përleshjes policët e tjerë e goditën nga mbrapa dhe e lidhën përsëri. Gjygji e dënoi në fillim me vdekje dhe më pas ja zbriti në 15 vite burg, pasi një i afërm i tij, ishte Kryetar i një Dege të Brendëshme, ku një pjesë të madhe të dënimit ai do ta vuante në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por kjjo nuk ishte Aventura e vetme e Haxhiut në drejtim të kufirit.

Pasi përfitoi nga dy amnistitë që u dhanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për një pjesë të burgosurve politikë në vitet 1982 dhe 1986, Haxhi Sula u lirua nga burgu pasi kishte vuajtur për më shumë se njëmbëdhjetë vjet dënimin si i burgosur politik. Pas daljes nga burgu ai mundi që të sistemohej në punë në fonderinë e Uzinës së Autotraktorve “Enver Hoxha” në Tiranë, ku zakonisht dërgoheshin për “edukim” personat që sapo kishin dalë nga burgjet.

Tentativa e katërt e arratisjes

Por edhe pse u sistemua me punë pas daljes nga burgu dhe gjeti ngrohtësinë e familjes, Haxhi Sula e kishte mëndjen përsëri tek kufiri dhe “bota e lirë”, e çdo ditë teksa kthehej nga puna i lodhur, mendonte dhe bënte nga një plan arratisje. Gjë të cilën do ta bënte realitet pak muaj më vonë, por që fatekeqësisht ajo tentaivë arratisje do të rezultonte fatale jo vetëm për Haxhiun, por edhe për gjithë grupin e tij prej shtatë vetash që mbetën të përgjakur në telat e klonit.

Haxhiu përlotej dhe e kishte të pamundur që të na e tregonte atë histori tragjike ku humbën jetën shokët e tij të ngushtë dhe atë histori na e plotësoi, bashkëshortja e tij, Vjollca Giçi Sula, e cila na tregonte: “Koha e lirimit të Yllit nga burgu në vitin 1986, shënon dhe me njohjen e martesën tonë. Që në takimet e para, Ylli më tregonte për jetën e tij të vështirë dhe plot peripecira që kishte kaluar nëpër burgje. Unë i thosha që ta harronte atë kohë, por ai nuk e kishte të lehtë për arsye se atë vazhdonte ta ndiqte dhe ta survejonte Sigurimi i Shtetit edhe pas lirimit nga burgu.

Në atë kohë kudo që shkonim ne të dy, e kishim ndonjë njeri të Sigurimit që na ndiqte nga pas në çdo hap që hidhnim. Sapo uleshim në ndonjë stol në lulishtet e Lushnjes ku banoja unë, apo në Tiranë kur vija për të takuar si të fejuar që ishim, ai më thoshte të ktheja kokën prapa dhe më tregonte njeriun që na ndiqte. Ylli nervozohej shumë nga ajo gjë dhe herë-herë fliste me zë të lartë që ta dëgjonin njerzit e Sigurimit, duke sharë mbarë e mbrapsht.

Duke mos pasur asnjë lloj sigurie për jetën dhe duke qenë në ankth se mos nga çasti në çast do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit, aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1989, Ylli vendosi që të arratisej nga Shqipëria. Planin për arratisje ai e kishte bërë me një shokun e tij të ngushtë që quhej Kujtim Xhaja, i cili vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Yllin nën hijen e ullinjve në oborr. Bashke me Yllin e Kujtimin, në grupin që do të arratisej bënin pjesë dhe katër persona të tjerë të cilët ishin: Agim Sula, (vëllai i vogël i Haxhiut) Bani, nipi i tyre (djali i vëllait të Haxhiut, Metit), Petro Pishtari, Ilir Serjani (student) dhe një person tjetër nga lagjia e jonë që fatkeqësisht nuk ja mbaj mënd emrin. Nga i gjithë grupi prej shtatë vetash, përveç nipit të Haxhiut, Banit, të gjithë të tjerët kishin vuajtur nëpër burgjet e regjimit komunist si të dënuar politik.

Agimi kishte bërë gjashtë vite burg dhe punonte në Kombinatin e Mishit, Kujtimi nëntë vjet, Petro kishte bërë burg e internim dhe sapo ishte liruar, ndërsa të tjerët kishin bërë më pak vite burg. Plani i Haxhiut për t’u arratisur në atë kohë, u bë për arsyen se ne kishim djalin të shtruar në spital dhe Ylli mendonte se Sigurimit të Shtetit nuk do t’i shkonte mëndja se ai do të arratisej në atë kohë që kishte djalin e sëmurë”, kujtonte Vjollca, lidhur me planin e arratisjes të ish-bashkëshortit të saj Haxhi Sula dhe gjashtë tiranasve të tjerë që bënin pjesë në grupin e tij, të cilët ashtu si dhe ai, kishin vujatur nëpër burgje si të dënuar politik.

Zbulimi i grupit në klon

Po cili ishte plani i arratisjes së grupit të kryesuar nga Haxhi Sula dhe si u realizua ai? Lidhur me këtë, Vjollca Sula dëshmon: “Në atë kohë që Haxhiu me gjashtë pjestarët e tjerë të grupit vendosën përfundimisht të arratiseshin dhe caktuan edhe datën kur do niseshin në drejtim të kufirit, ata u betuan se për planin e tyre nuk do t’i tregonin as dhe njrezve më të afërt të familjeve. Por Haxhiu ishte i vetmi që më tregoi mua, duke më dhënë dhe porositë se si duhej të veproja në rast se atyre do t’u dështonte plani i arratisjes.

Takimi i fundit dhe nisja për në drejtim të Librazhdit, u bë nga shtëpia jonë në një mëngjez shtatori të vitit 1988. Njoftimi për ditën e nisjes u bë vetëm një natë përpara, në mënyrë që të eleminohej çdo dyshim për secilin nga pjestarët e grupit. Ata u nisën me tren dhe siç më ka treguar Haxhiu, kur zbritën në Librazhd, u ndanë në dy grupe dhe lanë vëndin e takimit në fshatin Rrajcë, që ndodhet vetëm pak km. në lindje të qytetit të Prrenjasit. Haxhiu me shokët e tij kishin vendosur për t’u arratisur ditën e dielë, për arsye se ushtarët e kufirit ishin më të shkujdesur.

Pas takimit në fshatin Rrajcë, ata u nisën në drejtim të kufirit shtetëror që ndodhet më sipër atij fshati, në sektorin e quajtur Skënderbe. Në atë sektor që ndodhet fare afër kufirit, ata mbërritën rreth orës tre e gjysëm të natës. Pasi arritën aty, Haxhiu nxorri pincat që kishte marrë me vete për të prerë telat e klonit dhe në momentin që i kishin prerë ato, Petro Pishtarit i ngeci mënga e xhaketës në telin e korentit që ishte dhe teli sinjalizues i klonit që jepte sinjalin në postën më të afërt për shkelje kufiri. Menjëherë pas dhënies së sinjalit, u bë alarm dhe nga dy postat kufitare të Rrajcë-Sutaj dhe Rrajcë-Skëndërbe, u nisën rreth 60 ushtarë të ndarë në dy grupe. Ata kryen rrethimin e plotë të tyre dhe për rreth dy orë pa pushim qëlluan me automatikë pa e ndaluar për asnjë çast zjarrin”, kujton Vjollca Sula, lidhur me zbulimin e grupit të kryesuar prej bashkëshortit të saj, Haxhiut, aty në telat e klonit në sektorin Skënderbe të fshatit Rrajcë të Librazhdit.

Vrasja e Kujtimit, Ilirjanin e shqyen qeni

Po ç’ngjau më pas me grupin e shtatë djemve tiranas aty në telat më gjëmba të klonit në kufirin shtetëror, ku ata vetëm disa hapa i ndanin nga bota e lirë që kishin ëndërruar prej vitesh? Lidhur me këtë Vjollca Sula rrëfen gjithë ngjarjen që ia ka treguar ish-bashkëshorti i saj Haxhiu. “Përreth dy orë që ata ishin nën zjarrin e automatikëve të ushtarëve të kufirit, asnjë prej tyre nuk lëvizi nga vëndi, por të gjithë shtërngoheshin sa më fort pas gurëve e shkëmbinjve.

Në një moment aty rreth orës 05 e 30 kur po zbardhte dita, Ilirjan Serjani u çua në këmbë për të kaluar klonin, por ai u kap i gjallë nga rojet kufitare. Njëri nga ushtarët e lidhi me tela dhe një tjetër i vuri grykën e nxehtë të automatikut në gojë dhe i tha: “A do të vdesësh nga ky, apo nga qeni i kufirit?”. Ilirjani krejt i tmerruar iu përgjigj: Nga qeni. Pas asaj kufitarët i ndërsyen qenin e madh të kufirit, i cili i’u hodh përsipër dhe pasi e shtriu për tokë, filloi ta shqyente. Në atë kohë, Haxhiu që ishte disa hapa më larg, mbuloi sytë me duar ngaqë nuk e shikonte dot shokun e tij që klithte nga hungërimat e qenit që e kafshonte pa pushim. Teksa shikonte Ilirjanin të mbytur në gjak dhe me copra mishi e rrobash në dhëmbët e qenit, kafshoi fort buzën e tij sa i plasi gjaku. Në atë kohë nga alarmi që ishte dhënë, aty ishte grumbulluar pothuaj i gjithë fshati Rrajcë, duke u orientuar nga ulurimat e qenit.

Duke parë Ilirjanin nën dhëmbët e qenit, vëllai i Haxhiut, Agimi, së bashku me Kujtim Xhajën, u ngritën dhe vendosën të dorzoheshin. Por në ato momente në drejtim të tyre u derdhën dy karikatore automatiku dhe Kujtimi mbeti i vdekur në vend, me rreth 60 plumba në trup, e gjaku i rridhte rrëke sikur ta kishin sharruar. Siç më tregonte Haxhiu, në pak minuta, trupi i vdekur i Kujtimit u bë i verdhë, i bardhë, e më pas ngjyrë mavi. Në atë çast që u vra Kujtimi, Haxhiu u ngrit në këmbë dhe me një thikë të vogël në dorë u afrua të godiste qenin që nuk e lëshonte Ilirjanin, por në atë moment disa ushtarë i’u hodhën përsipër dhe e lidhën me tel me gjëmba duke e goditur me dru ku të mundnin. Pas Haxhiut u kapën dhe të tjerët, e ashtu të lidhur me tela me gjëmba këmbë e duar, ata i hipën në një makinë ushtarake që kishte ardhur me ushtarë të tjerë për përforcim të kufirit.

Pasi i sistemuan të gjithë në karrocerinë e makinës, bashkë me Ilirjanin që nuk kuptohej në ishte i gjallë apo kishte vdekur, kufomën e Kujtim Xhajës, ushtarët e lidhën me tel pas makinës dhe e tërhoqën zvarrë në një pjesë të madhe të rrugës nën vështrimin e fshatravëve. Më pas kufomën e tij e hipën në makinë dhe u vunë tek këmbët e shokëve të tij që ashtu të lidhur i mbanin të shtrirë në karroceri. Më pas ata i çuan në qelitë e Degës së Brendshme të Librazhdit, ku për më shumë se një muaj ata u torturuan mizorisht. Pas një muaji ata i nxorrën në gjyq dhe i dënuan për “tradhëti të lartë”, me dënime nga pesë vjet e poshtë”, e përfundon dëshminë e saj rrënqethëse, Vjollca Giçi Sula, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në shtatorin e vitit 1989, kur shtatë djem tiranas që kishin vuajtur më parë në burgjet e regjimit komunist, morën rrugën për në drejtim të klonit ku u përgjakën nga plumbat e ushtarëve dhe qentë e kufirit, që ruanin të paprekur “parajsën e socializmit të Enver Hoxhës”.

Lirimi nga burgu më 28 mars 1991

Haxhi Sula ishte nga të fundit të burgosur politik që u liruan në 28 marsin e vitit 1991, nga burgu i Spaçit, pasi organizoi një grevë urie në taracën e njërës prej godinave të atij burgu, së bashku me David Lumën, Paulin Bërdicën e Gjin Shllakun. Pas burgut, Haxhiu u kthye në Tiranë pranë familjes, bashkëshortes, Vjollca dhe vajzës së vogël, duke e filluar ta ndërtonte jetën nga e para.

Kishte shumë pasion poezinë dhe provoi të shkruante jo pa sukses, duke arritur të botonte disa libra, me poezi dhe kujtime nga burgjet e regjimit komunist ku kishte kaluar gati 15 vite të jetës së tij në moshën më të mirë. Por, në marsin e vitit 1997, teksa kishin filluar trazirat e mëdha, një dorë misterioze e qëlloi për vdekje, aty fare pranë shtëpisë së tij tek “Oxhaku”, në afërsi të Shkollës së Bashkuar./Memorie.al

4-3 5-3 6-4 20200512_224521 20200512_224551 kadri-hazbiu-enveri Oficer-i-kufirit.bmp piramida-ne-pikemkalimin-e-posllopin Vrasjet-ne-kufi-ne-vitet-80-te

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura