Sherr te Partizani, Duro: Starova është superior ndaj meje me rakinë dhe hudhrën

Jul 6, 2015 | 13:13
SHPËRNDAJE

Nuk ka paqe mes Sulejman Starovës dhe Shpëtim Duros. Pas deklarimit të djeshëm të “Bobit”, në një rrëfim për “Panorama Sport”, Duro ka replikuar me ish-bashkëpunëtorin e tij te Partizani. Trajneri i Shkëndijës, ndonëse fillimisht hezitoi të jepte shumë komente, sërish i shfaqi disa faqe të librit, që ai thotë se ka për Starovën.

Starova e Duro

Akuzat e ndërsjellta vijojnë edhe në rrëfimin e Duros, i cili, pas përfaqësimit në Europë, ka pohuar se do të vijojë deklarimet e Safet Gjicit dhe Armando Cugut që kanë dhënë për trajnerin aktual të “demave”. 55-vjeçari në rrëfimin e tij ka bërë të ditur edhe cilësitë që Starova ka karshi tij.

“Çfarë ka mbrojtur ai? Kudo ku ka punuar ka pasur probleme. Puna e tij ka qenë, bëhu trajner, ik, bëhu drejtor, ik…! Këtë punë ka bërë ai. Ai njeh mirë cilësinë e rakisë, cilësinë e hudhrës, cilësinë e qepës dhe këngët e Çelentanos. Në këto gjëra është superior ndaj meje”, u shpreh Duro për “Panorama Sport”.

Dy ditë më parë ishte Starova që akuzoi rëndë ish trajnerin e Partizanit.

“Nuk doja të flisja dhe këtë ia kam thënë edhe Duros pak ditë më parë, por e shoh se ka dashakeqësi. Ka smirë dhe tendencë për ta dëmtuar Partizanin. Por, unë nuk i kam borxh askujt dhe aq më pak një njeriu që e kam ndihmuar, e kam përkrahur dhe e kam mbrojtur. Ndoshta kam bërë gabim që kam mbuluar vazhdimisht paaftësinë e tij për të qenë trajner normal, por tani nuk mund ta toleroj më. Ai është i paaftë dhe nuk është se Duro e parashikoi humbjen e Partizanit. Ai lutej që Partizani të humbte dhe lutet që të ndodhë ndonjë katastrofë te Partizani. Kam mbrojtur një njeri që realisht është i paaftë. Një njeri që i kam dalë në mbrojtje kur e shkarkuan pak kohë më parë. Një njeri, të cilit i dhashë mbështetje edhe duke zbritur në stol me qëllim që Partizani të mos dështonte. Por, ai nuk rri rehat. Del e flet dhe sulmon Partizanin, atëherë kur s’i takon. Nuk ka asnjë të drejtë Duro të hedhë helm mbi ekipin”, tha Starova.

Sipas tij “një njeri që nuk bëri kurrë një analizë profesionale te Partizani. Nuk mund të krahasohet ai njeri me mua. Unë kam fituar dy tituj kampion dhe pesë Kupa Republike, po ky çfarë ka fituar? Zero! i kam dhënë titullin e fundit Partizanit, ndërsa ky do të mbahet mend si trajneri që e çoi Partizanin një kategori më poshtë… Thotë tërë kohën “unë… unë… unë…”. Pse sjellje profesionisti është kjo…?! Një njeri që kur ka nevojë të thotë “hajde më ndihmo”, më pas thotë “unë”…! Sa herë e ka dashur puna dhe sa herë ka pasur nevojë. Kam zbritur edhe në stol në ndeshjet derbi. E kam bërë duke rrezikuar dhe duke marrë kosto. Nuk do të flisja kurrë, nuk e kam në natyrë t’i nxjerr jashtë shtëpisë problemet e mia. Por, kur shoh se sulmojnë ekipin që nuk është as i tiji dhe as i imi, por i tifozëve, atëherë nuk mund të hesht”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura