Sherr PS-LSI në Dibër, kryebashkiaku: Spahiu akuzon për llogari personale

Feb 9, 2016 | 16:30
SHPËRNDAJE

Kreu i Bashkisë së Dibrës ka reaguar përmes një deklarate lidhur me një shkrim të deputetit të këtij qarku, Përparim Spahiu, botuar në numrin e sotëm të gazetës “Panorama”.

Shukri-xhelili1Spahiu shkruan se kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili është zhdukur dhe e drejton bashkinë përmes telefonit.

Mirëpo, nga zyra e shtypit e Bashkisë Dibër, është mohuar kjo gjë. Xhelili i ka mohuar akuzat e deputetit të LSI-së duke thënë se vazhdon të jetë në krye të detyrës.

Duke vlerësuar rolin e debutetit për reformën e re territoriale, Xhelili thotë se akuzat e Spahiut janë axhendë e tij personale. Këto akuza dhe kundërakuza tregojnë se koalicioni PS-LSI është i përçarë në Dibër.

REAGIMI

Lidhur me prononcimin e deputetit të LSI të Qarkut Diber z. Përparim Spahiu dhënë për të përditshmen Panorama dhe që është shpërndarë në disa media të tjera online , ku ai atakon personalisht Kryetarin e Bashkisë Dibër z. Shukri Xhelili, Bashkia Dibër nëpërmjet zëdhënëses së saj në respekt të informimit të publikut dhe aspak si përgjigje personale ndaj deputetit të popullit të Krahinës së Dibrës sqaron si më poshtë:

Shukri Xhelili është përditë madje edhe në fundjavë në krye të punëve të Bashkisë Dibër së bashku me stafin e tij në përmbushje të detyrës që i kanë ngarkuar me votë qytetarët e Dibrës me 21 qershor 2015 dhe nuk ka zgjedhur ti bëjë punët e Bashkisë me telefon apo me celular.

Bashkia Dibër sqaron opinionin publik dhe qytetarët e Dibrës se pavarësisht sulmeve që i bëhen Kryetarit të Bashkisë z. Shukri Xhelili nga individë apo persona me pushtet për llogari të interesave apo axhendave të tyre tërësisht personale dhe klienteliste, kushdo qofshin ata dhe pavarësisht nga emri që kanë do të vazhdojë të mbrojë besnikërisht kurdoherë interesin e publikut dhe të qytetarëve të Dibrës që e kanë votuar për të qenë njëkohësisht qytetari i parë dhe kryeshërbëtori i parë i tyre.

Në funksion të përmbushjes së detyrës dhe të shërbimeve ndaj qytetarëve të Dibrës, Kryetari i Bashkisë z. Shukri Xhelili fton dhe është i hapur për bashkëpunim me cilindo që ka dëshirën dhe vullnetin e mirë për të bërë diçka për Dibrën dhe qytetarët e saj pavarësisht nga pozicioni apo llogorja e tyre politike dhe u kërkon ndjesë të gjithë atyre qytetarëve që mund ti kenë rënë telefonit të tij celular dhe mund tu ketë dalë i fikur edhe pse kjo është diçka krejtësisht njerëzore sepse jetojmë në botën e njerëzve dhe mes njerëzve.

Sa për deputetin e Krahinës së Dibrës z. Përparim Spahiu të cilin e vlerësoj për kontributin e tij të vyer parlamentar në shërbim të Dibrës, dua t’i kujtoj që Bashkia e Peshkopisë sipas ndarjes së re administrativo-territoriale të cilën ai e ka votuar në parlament, quhet Bashkia Dibër dhe nuk është “faji” i Kryetarit të Bashkisë Dibër që ai vazhdon e klikon akoma tek faqja e Bashkisë së Peshkopisë të cilën qytetarët e Dibrës me votë ia ndërruan edhe “Kryetarin edhe emrin” më 21 qershor 2015.

Ndoshta kjo është çështje nostalgjie por Peshkopia është qendra administrative e Bashkisë Dibër në krye të të cilës populli i Dibrës vendosi të çojë të “ shkretin Shukri” që gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit 2015 ja qanin hallin mejhaneve e klubeve të Bulqizës, Klosit dhe Matit se e kishte të “humbur Bashkinë ”, pikërisht ata që do të duhet të ishin në të njëjtën llogore fushate me të sepse kur hyn në garë nuk është e thënë se vetëm fitohet por mundi i duhet bërë njëlloj edhe kur mund të mendohet se humbet. Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura