Sherr mes kushërinjve për tokën në Dibër, plagoset sllovenja dhe i shoqi. U qëlluan me dru në kokë

Mar 5, 2015 | 17:53
SHPËRNDAJE

Një shtetase me origjinë nga Sllovenia, por e martuar në Maqellarë të Dibrës, mbeti dje e plagosur pas sherrit që kushërinjtë patën mes tyre për një sipërfaqe toke. Burime i thanë “Panorama Online” se prej disa vitesh kushërinjtë Toçilla janë përfshirë në konflikt mes njëri-tjetrin për një rrip toke në afërsi të banesave të tyre.

Foto ilustruese

Debatet dhe fyerjet i kanë lënë vendin përdorimit të mjeteve rrethanore. Dhuna e përdorur ka rënduar më shumë mbi shtetasit Roland e Ylber Toçilla.

“Panorama Online” mësoi se plagë ka marrë dhe bashkëshortja e Ylberit, Julia Toçilla, 25 vjeçe, e ardhur nga Sllovenia. Çifti ka pësuar dëmtime nga goditjet me dru e sende të tjera në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Por më rëndë është gjendja shëndetësore e Roland Toçillës i cili është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës Tiranë.

Shtetesja sllovene, i tha policisë lokale, se prej 12 vitesh kushërinjtë kërcënojnë e dhunojnë bashkëshortin e saj, Ylber Toçilla. Ajo kërkoi nga autoritetet vendore mbrojtje fizike për vete dhe të afërmit e burrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura