Sherr me thika midis tre familjeve në Kukës, plagoset një burrë dhe e bija. Tre në pranga. Policia sqaron motivet

Oct 27, 2019 | 10:22
SHPËRNDAJE

Një zënkë për motive pronësie ka degjeneruar në sherr me thika dhe mjete të forta midis disa familjeve në fshatin Zall Lusën të Kukësit. 

policia 3

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se zënka ka nisur prej muajsh për bllokimin e një rruge nga njëra prej familjeve Lashi, duke mos lejuar kalimin e të tjerëve.

Si kundër masë, familja Çejku ka bllokuar një tjetër rrugë dhe për pasojë, konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike midis tyre.

Banorët e fshatit konfirmuan për “Panorama” se familjet kanë denoncuar disa herë rastin në polici duke mos gjetur zgjidhje, derisa dje situata ka përfunduar në përleshje fizike midis tyre. Policia thotë se ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktin, por banorët thonë se rasti është denoncuar në polici që prej pranverës së këtij viti.

Ngjarja e djeshme

Policia e Kukësit bën me nga përplasja fizike midis banorëve kanë mbetur të plagosur dy persona, përkatësisht Çejku dhe e bija, të cilët kanë marrë dëntime në pjesë të ndryshme të trupit.

Për rastin, forcat e rendit kanë arrestuar vëllezërit, A. Lashi, 38 vjeç, R. Lashi, 31 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim A. Lashi, 36 vjeç. Ndërkohë, për ngjarjen është arrestuar edhe D.Cara, pasi ka ka goditur me mjete të forta dhe rrethanore shtetasin R. L.

Njoftimi i policisë:

Policia ka marrë njoftim se në fshatin Zall-Lusen, kishte një konflikt mes 3 familjeve. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë në vendngjarje. Falë reagimit në kohë dhe ndërhyrjes së shpejtë është bërë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. L., 38 vjeç, R. L., 31 vjeç, (vëllezër), dhe D. L., 31 vjeç, banues në fshatin Zall-Lusen. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në fshatin Zall-Lusen.

Shtetasit A. L., R. L., dhe A. L., vëllezër, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur Zall-Lusen, për motive pronësie, kanë goditur me mjete të forta, mjete prerëse dhe rrethanore shtetasin M. Çejku., dhe vajzën e tij, shtetasen G. Ç., të cilët për pasojë kanë marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Të dëmtuarit kanë marrë mjekim në spitalin e Kukësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa, arrestimi i shtetasit D. C., u bë pasi për motive pronësie, ka goditur me mjete të forta dhe rrethanore shtetasin R. L.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

/S.Ll/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura