Sherri për pronat, i riu i këput veshin kushëririt

Apr 21, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

I riu i këput veshin kushëririn, pas një sherri masiv mes dy familjeve. Ata janë konfliktuar me çdo mjet të mundshëm mes tyre, që nga mjetet e forta, me shkopinj, thika e deri te kafshimet alla “Mike Tajson”. 

Në sherrin e krijuar për shkak të konfliktit për gardhin mes dy banesave janë përfshirë veç dy kryefamiljarëve, edhe gratë e djemtë e tyre. Nga përleshja që ka zgjatur rreth 30 minuta mes 6 personave, njëri ka mbetur pa vesh, ndërsa është plagosur lehtë njëra prej grave.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur mëngjesin e të dielës rreth orës 07:00, në fshatin Bashkim të komunës Levan të rrethit të Fierit, kur Dashnor Troka së bashku me bashkëshorten e tij, M.Troka, kanë qenë duke mjelë lopën në kasollen që ndodhet pranë shtëpisë së tyre. Siç bëhet e ditur nga vendi i ngjarjes, në atë moment pranë tyre ka mbërritur djali i xhaxhait të Dashnorit, Ylli Troka, i cili, sipas pretendimeve të të dëmtuarve mbante në dorë një armë zjarri tip shotgun, me të cilën edhe i ka kërcënuar.

Sipas deklarimeve të personave, ndaj të cilëve është ushtruar agresion prej të afërmve të tyre, Ylli është afruar te kasollja ku ndodhej Dashnori dhe gruaja e tij M.Troka dhe ka nisur t’i ofendojë. Fillimisht ata kanë shkëmbyer fjalë fyese ndaj njëritjetrit e më pas janë konfliktuar fizikisht duke u qëlluar me shkopinj e sende të tjera të forta.

Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe djemtë e tyre, djali i Yllit, Malvin Troka, 26 vjeç dhe djali i Dashnorit, 16- vjeçari J. Troka. Në rrahje e sipër Dashnori ka marrë goditje të forta në kokë dhe gjymtim të veshit të djathtë. Ndërsa mësohet se është plagosur lehtë me thikë nga 16- vjeçari J.Troka, gruaja e Yllit, shtetasja V. Troka, e cila ndodhet në spital pa rrezik për jetën.

Dyshohet se ka qenë djali i Yllit, 26-vjeçari Malvin Troka, ai që i ka këputur veshin me dhëmbë Dashnor Trokës, 48 vjeç, me të cilin ishin përleshur për disa minuta. Mjekët thonë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore pas humbjes së një sasie të konsiderueshme gjaku.

Nga burime të gazetës bëhet e ditur se gjatë deklarimeve të dhëna në polici, Dashnor Troka së bashku me familjarët e tij ka pohuar se Ylli ishte gjithmonë konfliktual dhe se kishin pasur edhe sherre më parë mes tyre për gardhin e shtëpisë apo shpendët që shkonin te kopshtet e njëri-tjetrit.

Nga banorët e zonës mësohet se prej kohësh Ylli kishte shfaqur probleme me fqinjët dhe sipas deklarimeve të të dëmtuarve ai kishte edhe deviacione të personalitetit e konfliktohej me të gjithë pa ndonjë shkak serioz.

Policia ka ndaluar 26-vjeçarin Malvin Troka, që dyshohet se i këputi veshtin e djathtë kushëririt dhe 16-vjeçarin J.Troka për plagosje të lehtë me thikë. MAJLINDA RAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura