Shërbimet që kryenin diplomatët për udhëheqësit: Nga këpucët te bananet, porositë e familjes së Enverit

Jul 10, 2017 | 15:22
SHPËRNDAJE

Nëse ka ndonjë ngjarje të ndodhur në Paris a Bel gjikë, para viteve ’90, në të cilën përfshihen shqiptarë, Hasan Luçi, e di me patjetër. Kjo, jo thjesht për shkak të detyrës së zbuluesit, por edhe sepse është tepër i vëmendshëm dhe me një kujtesë të admirueshme, e cila sot, i servir ngjarje, e detaje pa fund. Një nga njerëzit më të rëndësishëm të Zbulimit, në Ministrinë e Brendshme, që ka shërbyer për vite si diplomat, ka botuar së fundmi librin “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja”, ku tregon për vitet e qëndrimit të tij në Francë, në vitet 1961- 1968 dhe 1972-1977.

Hasan Luçi
Hasan Luçi

Gjatë këtyre viteve ai ka kryer detyrat e shërbimit konsullor, të shtypit e të kulturës, që i ngarkoheshin si ish-sekretar i tretë dhe i parë. Në këtë libër mund të kuptosh më shumë mbi raportet e Shqipërisë me Francën para viteve ’90, marrëdhëniet me partitë e majta, përpjekjet për të bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare, përmes aktiviteteve të ndryshme, sigurisht duke respektuar ideologjinë e kohës; raportet me botues, shkrimtarë, radio e televizione franceze. Ai rrëfen takime e histori, jo pa nuanca humori me politikanë, mjekë, artistë, studentë, të cilët ndodheshin në Paris për arsye nga më të ndryshmet. Ngatërresa e histori dashurish të të rinjve, që tentonin të dilnin kundër ligjeve të një vendi nën “diktaturën e proletariatit”.flkgytrjghjrgnjkwt

Gjithashtu Luçi na zbulon një dritare që nuk e njihnim në atë kohë. Ndërsa shqiptarët ishin të izoluar dhe e kishin të ndaluar  çdo lloj me botën, udhëheqja e lartë shkonte e vinte në Paris për të bërë vizita mjekësore e për t’u kuruar; nga Tirana vinin porositë për blerje nga më të ndryshmet sipas revistave të modës dhe punonjësve të Ambasadës, përfshirë edhe Hasan Luçin, kanë qenë të detyruar të shëtisin Parisin poshtë e përpjetë për të gjetur stilografë, këpucë, çorape, copa stofi, syze, deri te bananet, që vinin në Tiranë me postë diplomatike e ndodhte që edhe të mos pëlqeheshin, sepse ishin shumë të pjekura, ose të pabëra mirë. Në librin e tij, Luçi tregon edhe episode me humor për jetën në ambientet e ambasadës dhe “garat” e grave të diplomatëve.

Meqë është e diel, ditë pushimi, nga libri i Hasan Luçit kemi përzgjedhur pikërisht disa episode të këtij lloji, edhe pse në të gjenden shumë gjëra të tjera me interes në rrafshin politik e diplomatik. Shuani kureshtjen se çfarë porosisnin në Paris gratë e ish-Bllokut dhe familjarët e tjerë të udhëheqjes. Kërkesat dhe tekat e Enver Hoxhës që me zor se plotësoheshin. Si dhe dhuratat që u bënin gratë e diplomatëve udhëheqësve që rastisnin ta festonin ditëlindjen në Paris.

Në foto:  Hasan Luçi me bashkëshorten.
Në foto:
Hasan Luçi me
bashkëshorten.

HASAN LUÇI

Me Sulo Gradecin u njoha mirë gjatë qëndrimit të tij në Paris, ku vinte shpesh si shoqërues i familjarëve të E. Hoxhës. Shpejt i psikologjisa tipin e tij. Ai e kishte në majë të gjuhës: “shoku… për E. Hoxhën”, rrallë thoshte i madhi a shoqja… për Nexhmien. Çdo gjë e paraqiste porosi të tyre, duke treguar letra në duar, por që s’i lexoja dot, veç atyre që më shkruante me kërkesa të sakta kryesisht për E. Hoxhën dhe gjysmë përçues e ndonjë gjë tjetër për Sokol Hoxhën.

U njoha mirë dhe i shoqëroja gjithnjë edhe Ilirin e Sokolin me gratë e tyre. Sulua kur afrohej ngadalë e kishte zakon të bënte : Hëm! Ë?!- dhe kapte hundën me dorë, pastaj të fuste krahun dhe ecte për të biseduar në lëvizje apo duke u ndalur në kafe. Rrallë bisedonte ndonjë gjë në banesat e Parisit apo në ambasadë, se i zbatonte rregulloret, dukej dhelpër e sekretit.

Unë isha bërë një nëpunës i Sulos, sepse ai me miratim nga lart më kishte lënë një fond (rrallë merrja hua në arkën e ambasadës) dhe blija sendet e porosive që bënte, si libra, stilografë, këpucë, çorape, syze, copa stofi, ilaçe etj. Më vështirë e kisha me bananet, të cilat duhej t’i blija në vende ku mundësisht të mos njihesha nga shitësit, se kush isha dhe asnjëherë në të njëjtin dyqan frutash, pastaj direkt do të shkoja në ambasadë, ku t’i mbaja në frigorifer, t’i vulosja me dyllë të kuq dhe t’i dorëzoja në Tiranë me korrierët diplomatikë, apo me ndonjë diplomat nga ne apo që kalonin transit në Paris, se porosia duhej të dërgohej me përparësi në kohë.

Enver Hoxha me familjen
Enver Hoxha
me familjen

Në Tiranë i provonte dikush para se t’i hante E. Hoxha. Në dy raste, siç më thanë, nuk i kishte ngrënë, pse ishin o të pjekura shumë ose ende të pa bëra mirë dhe një herë dyshuan se nuk qenë të rregullta, po besoj se nuk u helmua asnjëri nga ata që i kollofitën! Hajde të gjeja peshën e farmacistit. Unë rrija me gjak të ngrirë për një kohë, jo se dyshoja veten, por shkoja nëpër mend rastësinë që bananet të ishin të sëmura nga zoti, mundësinë që dikush të ndërhynte për keq dhe përgjegjësia më ngelej mua më të voglit e më të largëtit….

Për t’i blerë këpucë a çorape më dërgonin edhe modelin e ngjyrën, të marra këto në revista mode, por pa shënuar as emrin e revistës, as datë e as në ç’vend qe modeli, por vetëm e prerë me gërshërë me kujdes. Kështu që nuk mund të gjeja të paktën dyqanet a firmat ku mund të qenë tregtuar. Bridhja dyqaneve e butikëve franceze me orë e ditë të tëra, por zor se gjeja të njëjtin model a ngjyrë se dukej qartë që u kishte ikur moda. Blija gjëra të përafërta. Vetëm një herë nuk më pëlqyen një palë këpucë bezhë e hapur, ndofta pse qenë majat e ngushta dhe këmba e shqiptarit me gunga.

Më lehtazi gjeja stilografët e viteve ’30, markën parket në dyqanet e rrethinave të Parisit, ku mbaheshin mallra antike nëpër depo, sidomos në pazarin e quajtur “Pazari i pleshtave”, ku gjeje çdo vjetërsirë kohe deri në 20 vjet e shumta. Edhe për syzet nuk kishte ndonjë vështirësi se ato i porosisja te markat e mira të firmës “Lissac”, se për çmimin e kripur as bëhej fjalë. Disa herë pronari më ofroi syze falas mua si dhuratë, sigurisht jo të asaj cilësie që porosisja, pasi kudo kur blije herë pas here, të sajdisnin që të të mbanin lidhur si klient. Por atëherë druheshim të merrnim dhurata, se krijuam bindje për këtë gjë dhe jo vetëm se duhej malli që s’na e mbante ta blinim me xhepin e shpuar, por edhe dyshonim te dhuratat, siç thuhet për grekët….

Në shkurt 1975 shkova në Zvicër për një porosi të E. Hoxhës. Kisha kaluar transit me tren që në nëntor 1961, duke ndërruar trenin në Bazel, megjithëse kisha djalin 6-muajsh dhe bagazhet. Kalova edhe në 1965 me gruan e fëmijët dhe kësaj here patëm problem se treni s’kishte ujë të nxehtë për t’i përgatitur vajzës 5-muajshe Rozetës, e cila thithte shishen nga uria me pluhurin qumësht për bebe të pa bërë mirë, se gruaja nuk kishte gji t’i jepte. Kur bëmë ndërrimin e trenit e patëm mjaft të vështirë edhe kësaj radhe. Nga Parisi në Gjenevë shkova me avion dhe kësaj here mora gruan si shoqëruese, pasi shokët e tjerë qenë të zënë me udhëheqësit që ishin për mjekim.

Në Gjenevë mora veturë me qira dhe shkova në Lozanë, ku pasi lashë djathtas qytetin, u ngjita në male te ndërmarrja Kudelski-Nagra Recoders, ku takova Urs Gallman, supervizor i shërbimit të eksportit, i cili më ndihmoi për blerjen e magnetofonit me pajisjet për E. Hoxhën, i cili me sa mora vesh mbeti i kënaqur… Hoqa keq me porosinë për makinën e shkrimit, që ma ngarkoi Haxhi Kroi në Tiranë, kur isha me shërbim. Gërmat që kërkonte ai për E. Hoxhën dilnin aq të mëdha sa të bëhej një makinë shkrimi e stërmadhe, sa gërmat nuk mund të radhiteshin në tastierë.

Pas disa këshillimesh edhe me Sulon, vendosëm t’i thoshim përfundimisht se qe e pamundur ta gjenim ashtu siç duhej dhe ky ishte mendimi i tërë specialistëve që pyetëm, duke u hequr edhe si budallenj, megjithëse ne thoshim: na falni se ne nuk marrim vesh fare nga kjo punë, por a është e mundur të gjendet a të bëhet një makinë shkrimi me këto gërma?!(dhe jepnim modelin e shkronjave). Kështu vuajtëm edhe për një palë syze në vitet e fundit dhe për të njëjtat arsye nuk u gjendën, dhe E. Hoxha përdori lente zmadhuese e të tjera metoda për lexim. Këtë punën e gjyzlykëve nuk e zgjidhi as prof. Iv Poliken, të cilin e takuam edhe para 1979, kur e vizitoi vetë E. Hoxhën në Tiranë. Stofrat i bleva sipas mostrës që më dërgonin apo ma sillte Sulua.

Kur nuk gjeja të njëjtën mostër, në Paris të jepnin copa fare të vogla stofi si mostër se shpesh nuk arrija të vendosja, megjithëse sillesha si i trashë dhe arrija të merrja një copë edhe më të madhe, që të kuptohej mirë modeli i stofit. Kulmi ishte kur shkoja ta blija, por përsëri për të marrë një copë tjetër si mostër, sipas kërkesës, që t’i mbushej mendja për të blerë ose jo. Ç’t’i bësh detyrës kur të zë rrota bishtin?! Fundja unë bëja detyrën si klient i rrallë, i bezdisur, por prapë më jepnin një falënderim pa fjalë të tjera, kurse unë e kuptoja zemërimin e shitësve dhe me mendjen time thosha ato fjalët tona të bukura.

Nganjëherë, Haxhi Taga dhe Bari Ziko më thoshin që këtë që zgjodhe, mirë e ke, por unë u thosha: mirë, firmoseni ju, po ua pranuan mirë, ndryshe, paguani! Ata qeshnin me këtë shaka me zarar. Më duket se njëherë haxhiu u “qeras” me një palë këpucë! Unë mbaja llogari të veçantë dhe shënime, që i kam edhe sot, duke i mbajtur qëllimisht se s’dija se ç’mund të pëlciste, ndonjëherë. Dhe vërtet kur u mor në hetuesi e doli në gjyq Sulo Gradeci, mua më shkoi mendja se do të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo nuk ndodhi…

E. Hoxhës i blija edhe fletore shkrimi me ngjyra të ndryshme, me vija të gjera, me kuadrate ose jo, në të cilët ai shkroi ditarët e tij dhe veprat. Po kështu bleva edhe diktofonë. H. Kapua hodhi idenë t’i blinim edhe për shokë të tjerë të B.P, por si duket, për arsye shpenzimesh nuk e vuri në jetë. Veç tre të udhëheqësve të parë, të tjerët nuk i bënin vetë veprat e fjalimet e tyre.

Në fakt, kam dëgjuar me veshët e mi, kur më kanë treguar si shkruanin të tjerët për ta dhe vetëm sa vinin firmën. Kështu më ndodhi edhe mua. Në veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, unë kam shkruar pjesën për veprimtarinë e reaksionit shqiptar të jashtëm. Materialin ma kërkoi Selim Beqiri, të cilit pasi e përgatita, ia dorëzova dhe u habita kur e lexova të plotë, pa hequr asnjë presje në këtë vepër të E. Hoxhës. Kopjen e materialit e ruaj ende sot, së bashku me atë kopje të njëjtë që ma ktheu edhe Selimi, pasi kishte mbaruar punë, pasi nuk jepja asgjë pa mbajtur kopje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura