“Shërbimet online po ndihmojnë biznesin të kursejë kohë”/ Ministrja Denaj në Vlorë: Ulet presioni i raportit me njerëzit dhe thjeshtohen burokracitë

Feb 26, 2021 | 16:08
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli,  zhvilloi në Vlorë një takim me  komunitetin e biznesit me qëllim njohjen mbi rëndësinë e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar(OEA), si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

D

Duke vlerësuar përpjekjet dhe vështirësitë e biznesit në këtë situatë pandemie,  Ministrja Denaj tha, se kjo është një kohë për të parë se si mund të ringrihemi më mirë.

Operatori Ekonomik i Autorizuar është një certifikatë që vlerësohet në të gjithë vendet e rajonit perëndimor, pjesë e marrëveshjeve të Protokollit 5 që ndihmon eksportuesit në arritjen e standardeve BE.

“Për të gjithë ata që punojnë në Shqipëri, po të kenë çertifikatën e duhur në cilësi të produkteve synimi është të kapin sa më shumë tregje rajonale apo ato ndërkombëtare “Made in Albania”. Por edhe koha e kursyer për të arritur sa më shpejt në destinacion vlen, tha Denaj, duke shtuar,  se  ne kemi kohë që kemi filluar revolucion digjital, transformimin e administratës sonë publike me shërbime të thjeshta, të shpejta, online e duke thjeshtuar burokracitë”.

E gjitha kjo ndihmon biznesin dhe individet që të kursejmë kohë, mbi të gjitha të ulim presionin e raportit me njerëzit dhe të përqendrohemi në një formalizim më të lartë.

Sipas Denajt, Ne po afrohemi shumë më tepër drejt standarteve ndërkombëtare, ndërkohë  që çertifikata “Operatori Ekonomik i Autorizuar”  lehtëson punën e të gjithë transportit në të gjitha pikat doganore, jo vetëm në kufirin më të afërt,  por deri në destinacionin përkatës.

Ministrja informoi sipërmarrësit, se me të marrë këtë liçencë, kalimi në doganë do të thotë që risku është zero dhe kursejmë kohë. Deri para disa muajsh Shqipëria dhe Bosnja ishin të vetmit që nuk kishin asnjë biznes të licensuar me këtë certifikatë. Sot ne kemi pesë biznese të certifikuara dhe jemi në proces për gjashtë të tjerë”, tha Denaj.

Ministrja u shpreh se Vlora është edhe një qytet i rëndësishëm industrial dhe ka shumë mundësi të zhvillojë ekonominë në biznesin e mesëm e të madh dhe në sektorë të tjera.

“Infrastruktura do t’i vijë në ndihmë në raport me portin e ri ashtu edhe me aereoportin duke synuar edhe punësim më të shtuar”, tha ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Genti Gazheli, ftoi bizneset që të aplikojnë për marrjen e këtij statusi, pasi specialistë të ADSH-së, janë në shërbim të sipërmarrjes për t’u lehtësuar dhe asistuar në çdo procedurë.

Gjatë viteve të fundit,  Administrata Doganore Shqiptare i është bashkuar  institucioneve të tjera publike në shërbimet online, duke implementuar “Dogana pa letra”, ku 96 % e bizneseve nuk kanë kontakte fizike me administratën.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura