Shenjat e luftës së re të ftohtë

Jun 22, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

alban-zeneliALBAN ZENELI

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të dërgojë së shpejti njësitë e saj luftarake në Rumani, si pjesë e planit për rritjen e prezencës së saj në Europën Lindore, e cila është edhe një burim i mosmarrëveshjeve të saj me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e deklaroi këtë vendim në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes të Aleancës në Bruksel, më 14 qershor.

NATO ka pranuar një ofertë nga Rumania për të dislokuar forca në këtë vend të Europës Lindore, por nuk ka saktësuar numrin e trupave që do jenë pjesë e këtij operacioni të ri të NATO-s. Ky vendim i fundit i NATO-s vjen një muaj pasi Aleanca ka hapur zyrtarisht një bazë të sistemit të raketave në Rumani, e cila ka provokuar Rusinë të deklarojë se do të marrë kundërmasa ndaj këtij akti të Aleancës dhe e ka cilësuar atë si kërcënim të sigurisë kombëtare të Rusisë.

“Ne duam të përcjellim një mesazh të fortë dhe të qartë se NATO nuk kërkon konfrontim me Rusinë. Ne nuk duam një luftë të re të ftohtë, por, përkundrazi, do të përpiqemi të arrijmë një marrëdhënie konstruktive dhe të besueshme reciprokisht”, deklaron Stoltenberg. Aleanca do të miratojë edhe dislokimin e katër batalioneve multinacionale të NATO-s në Poloni dhe në tri republikat baltike, Lituani, Estoni, dhe Letoni.

Kjo njësi do të organizojë dhe lehtësojë aktivitetet e NATO-s në rajon në lidhje me ushtrimet (stërvitore), si edhe me masat e sigurisë. Katër batalionet, të cilat do të mund të kalojnë në tur përgjatë Europës Lindore dhe do të zhvillojnë ushtrime stërvitore me trupat vendëse, ka mundësi të shkojnë në një numër prej 2500- 3000 trupash të kombinuar me një forcë të vogël të dizajnuar për të vepruar si një patrulluese.

Në muajin prill, NATO ftoi zyrtarisht Malin e Zi për t’u bërë anëtari i saj i 29-të, duke e detyruar edhe një herë Kremlinin të paralajmërojë se vendimi i Aleancës rrezikon të rrisë tensionet gjeopolitike përgjatë Europës. NATO do të dislokojë me rrotacion katër batalione shumëkombëshe në shtetet e Baltikut dhe në Poloni dhe këto batalione janë pjesë e një ndryshimi shumë më të madh në qëndrimin e NATO-s në lidhje me mbrojtjen.

Kjo prezencë përfshin një Forcë të Reagimit të Shpejtë të NATO-s, një Forcë të re Drejtuese dhe 8 shtabe të reja të vogla në pjesën lindore të Aleancës. Aleanca është e shqetësuar në lidhje situatën e sigurisë për shkak të thyerjes së vazhdueshme të armëpushimit në Ukrainën lindore; dhe fushatës së fuqizimit ushtarak rus në Detin e Zi.

NATO gjithashtu ka ndërmarrë veprime për t’u siguruar se trupat mund të lëvizin shpejt, përgjatë Europës, për ushtrime stërvitore ose riforcime, nëse duhet. Muajin e fundit, Forca Drejtuese (Spearhead Force) zhvilloi një ushtrim stërvitor “Anakonda 16”, i cili tregoi se sa larg ka shkuar NATO deri tani.

30000 mijë trupa dhe katërqind makina ushtarake lëvizën nga Spanja në Poloni brenda katër ditësh. Tanke, avionë dhe anije morën pjesë në këtë stërvitje. Në këtë stërvitje, morën pjesë edhe trupa shqiptare elitë të Forcave Tokësore, të gatshme dhe të afta për të shërbyer krah më krah me aleatë të tjerë të NATO-s. NATO do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar lirinë e lëvizjes për trupat dhe pajisjet, sepse shpejtësia mund të bëjë diferencën kur shfaqet një krizë.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se aleatët duhet të shpenzojnë më tepër për mbrojtjen, për t’iu përgjigjur këtij ndryshimi në qëndrimin e NATO-s në lidhje me mbrojtjen. Ai theksoi gjithashtu se pas një rënie të gjatë të shpenzimeve për mbrojtjen, 2015-ta ishte viti i parë pas shumë vitesh që Aleanca regjistroi një rritje të vogël të shpenzimeve për mbrojtjen.

“Vlerësimet tona për vitin 2016 tregojnë një rritje të mëtejshme”, tha Stoltenberg. Ndryshimi vjetor real qëndron te rreth 1.5 për qind, një rritje prej rreth 3 bilion dollarësh, me 20 aleatë që planifikojnë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen me terma realë për këtë vit. Pse NATO e merr këtë vendim? NATO detyrohet të rrisë prezencën e saj në Lindje, pasi përpjekja e Rusisë për një Forcë Detare të fuqishme dhe moderne në Detin e Zi ka filluar dhe vazhdon me shpejtësi.

Ka një fuqizim të Flotës ruse me dy prej fregatave të serisë së re “Admirali Grigorovich”, e cila është e vendosur në bazën e saj në Sevastopol, si dhe “Admirali Essen”, e programuar për t’iu bashkuar Flotës ruse së shpejti. Që të gjashtë fregatat e “Project 11356” janë destinuar për Flotën e Detit të Zi, së bashku me katërshen tjetër, “Admiral Makarov”, “Admiral Butakov”, “Admiral Istomin” dhe “Admiral Kornilov”, të cilat janë ende në ndërtim.

Fregatat e reja janë të vogla, të shpejta dhe të pajisura me armatimin cilësor, duke iu përshtatur mjaft mirë principit aktual të Marinës (Forcave Detare) “më të vogla, por më cilë- sore”. Secila prej fregatave të “Project 11356” është e pajisur me tetë shtretër lëshues raketash për të famshmet Kalibr-NK të dizajnuara për të shkatërruar objektivat mbiujore, nënujore dhe ato tokësorë.

Një raketë e këtij lloji është mjaftueshmërisht e fuqishme për të fundosur një kryqëzor, si dhe e aftë të shkatërrojë një aeroplanmbajtëse. Kjo do të thotë që një fregatë e vetme mund të përballojë në mënyrë efikase një task- forcë të tërë të kundërshtarit. Vitin e kaluar, stuhia e raketave ruse “18 Kalibr”, mbi objektivat terroriste në Siri, u analizua prej ekspertëve perëndimorë të mbrojtjes jo vetëm se raketat i goditën objektivat e tyre në një distancë prej 1500 km, por gjithashtu sepse ato u lëshuan nga anije të vogla të dizajnuara për të lëvizur në lumë, liqene dhe në det.

E armatosur secila me raketa “18 Kalibr”, “Buyan-M”, “Veliky Ustyug”, “Grad Sviyazhsk” dhe “Uglich”, këto anije të vogla disponojnë gjithashtu edhe topin e tipit A-190 100 mm, një çift mitralozash 14.5 mm dhe 7,62 mm. Një fregate e klasit “Buyan” zotëron një shpejtësi maksimale prej 25 nyjesh detare, një rreze prej 2500 miljesh detare, maksimumi 10 ditë rezistencë dhe një ekuipazh prej 29-36 vetash.

Katër fregatat e tjera shtesë të këtij lloji, janë parashikuar për t’iu bashkuar Marinës ruse përpara vitit 2019. E ndërtuar për të eksploruar lartësitë veriore të Detit të Zi dhe më tej, “Ilya Muromets” është akullthyesi i parë i ndërtuar në Rusi për Marinën gjatë 45 viteve të kaluara.

Rusia po zhvillon një nëndetëse me energji bërthamore, e cila do të rrisë në mënyrë të pabesueshme aftësinë e saj për të qëndruar e zhytur. Motori i kësaj nëndetëseje është gati gjatë këtij viti dhe ndërtimi i prototipit të nëndetëses së re, e aftë të lundrojë tri jave pa dalë mbi sipërfaqe, pritet të fillojë vitin tjetër. Ndërtimi i nëndetëses shumërolëshe “Yasen-M” me energji nukleare dhe “Borei-A” nëndetëse me raketa strategjike, do të vazhdojë dhe me një nëndetëse nukleare e gjeneratës së pestë, tashmë në linjën e prodhimit, e cila do të jetë e pajisur me raketa hipersonike kundër anijeve.

Marina ruse lajmëroi se ajo planifikon të ndërtojë destrojerë të rinj të klasit “Lider” në vitin 2019. Luftanijet e reja të Rusisë do të kenë kapacitet zhvendosës prej rreth 17.500 tonësh, një gjatësi prej 200 metrash dhe një lartësi prej 20 metrash. Të pajisur me raketa tokë-ajër S- 500, topa të kalibrit 130 mm dhe torpedo Paket-NK, destrojerët e pajisur me motorë nuklearë, do të arrijnë një shpejtësi prej 30 nyjesh dhe mund të qëndrojnë në det të hapur mbi 90 ditë pa furnizim.

Moska e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur ekspansionin e NATO-s afër kufijve të saj, duke thënë se një lëvizje e tillë paraqet një kërcënim, si për paqen në rajon, ashtu dhe për atë ndërkombëtare. NATO ka përparuar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake afër kufijve të Rusisë, atëherë kur ajo i preu të gjitha lidhjet me Moskën, në prill 2014, pas riintegrimit të Gadishullit të Detit të Zi dhe Krimesë në Federatën Ruse.

Megjithëse NATO dhe Rusia deklarojnë se nuk e dëshirojnë një luftë të re të ftohtë, analistët ushtarakë thonë se tashmë kjo luftë ka filluar, por me specifikat e shekullit të ri.

*Deputet, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura