Shenja të mira kompromisi politik

Sep 29, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

Mentor_NazarkoMENTOR NAZARKO

   Marrëveshja e djeshme mes dy partive kryesore në Komisionin e Reformës në Drejtësi, për një afat që do mundësonte dërgimin e përbashkët të propozimeve në Komisionin e Venecias, është një shenjë e mirë e normalitetit politik në vend. Vendimi i fundit i opozitës së drejtuar nga zoti Basha për t’u përfshirë në proces edhe cilësisht, me dy këmbët, ishte kontribuuesja kryesore në këtë normalitet.
Në favor të këtij përfundimi janë disa argumente.

Së pari, votimi i djeshëm shënon arritjen e një kompromisi politik (ka akoma rrugë përpara) për fatin e një reforme jetike në vend, siç është ajo në Drejtësi, dhe më gjerë akoma, reformës kushtetuese në Shqipëri.  Një reformë e përmasave kaq të mëdha sa kjo, s’mund të realizohej vetëm me votat e shumicës parlamentare, megjithëse në themel të saj qëndron ekspertiza, dhe propozimet e një mendimi të përbashkët të ekspertëve të huaj dhe atyre që vijnë nga institucionet kryesore të Drejtësisë në vend.

Përfshirja e opozitës, megjithëse me vonesë në proces, do duhej patjetër të sillte një produkt final me markën e saj si ngushëllim për përfshirjen në një proces që si zakonisht, e refuzoi fuqimisht në fillim. Ndaj u gjet një zgjidhje si ajo që, bashkë me propozimet e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë (vendorë dhe të huaj) që do të shqyrtoheshin nga Komisioni i Venecias të përfshiheshin dhe ato të ekspertëve të opozitës.
Për të qenë realistë, kjo përfshirje e politizon në origjinë dhe qartësisht atë tërësi propozimesh që po shkon në Venecia, por kompromiset e momentit të fundit nuk sjellin gjithmonë produkte të përsosura.

Pse e themi këtë? Nëse do donte të përfshihej në proces, duke imponuar konsensus, opozita do kishte mundësi ta bënte këtë në mënyrë cilësore, duke u përfshirë në përcaktimin e metodologjisë së zgjedhjes së ekspertëve që në fillim. Metodologjia s’mund të qortohej politikisht sepse në rastin konkret, ajo s’do të ishte gjë tjetër veçse një set parimesh të përzgjedhjes së ekspertëve nga institucionet vendore dhe aty opozita mund të shoshiste kundërpropozimin qeveritar. 

Pavarësisht kësaj mungese të opozitës, metodologjia e shumicës për këtë përzgjedhje nuk ngjan politike: ajo solli në një ekip të madh, ku bashkoheshin grupe më të vogla sipas sektorëve të Drejtësisë, të ekspertëve nga institucionet kryesore të Drejtësisë, nga Universiteti publik etj., të cilët nuk janë në kontrollin e qeverisë, me përjashtim të KLD-së, e cila s’donte të përfshihej në proces. Përfshirja me vonesë e opozitës në procesin e reformës e ngushtoi hapësirën për kontributin e saj, pavarësisht se dje ngjau sikur ajo arriti të impononte mendimin profesional të ekspertëve të vet, pa kredenciale të ngjashme me ato të grupit tjetër që kishte brenda dhe të huaj.

Zgjidhja e përfshirjes së mendimit ekspertues opozitar (ky togfjalësh kërcet në fakt) për t’u shqyrtuar nga Komisioni i Venecias, është thjesht një mundësi për dalje dinjitoze të opozitës nga bojkoti retorik, por mundësitë që ajo të kontribuojë realisht në proces nuk ndryshojnë shumë. Pse?
Komisioni i Venecias, në fakt është një apendiks me natyrë ngushtësisht këshillimore i Këshillit të Europës, një organizatë e cila në vetvete e ka humbur rëndësinë e vet për shumë arsye me rënien e Murit të Berlinit.

Ky Komision u konceptua në lindjen e vet si një lloj grupi që do të asistonte reformat kushtetuese në tranzicionin e vendeve ish-komuniste, një detyrë që e kreu për një kohë të gjatë. Sot ai s’ka më rëndësinë që kishte dikur, dhe në fund të fundit ai mbetet thjesht për të asistuar reformën e vendeve si Shqipëria, Kosova, e ndoshta dhe Maqedonia. Me gjasë ka rol më të vogël në ndonjë prej republikave ish-sovjetike. Në këtë asistim, ai thjesht ka karakter këshillimor dhe jo vendimmarrës. Ndaj ky Komision, ku ka edhe përfaqësues shqiptarë si Luan Omari, apo ndoshta dhe Enver Hasani nga Kosova, nuk pritet të ndajë shapin nga sheqeri, duke u përfshirë në luftën e brendshme politike shqiptare, dhe përkatësisht në betejën e argumenteve të njërës palë apo tjetrës.

Pavarësisht retorikës gjoja të fortë të përfaqësuesit të opozitës Eduard Halimi, fytyra e të cilit dje nuk tregonte shenja fitoreje, kundër përpjekjeve të qeverisë për të shtënë në dorë Drejtësinë, e vërteta është ndryshe. Opozita më në fund hyri në binarët e një procesi themelor për modernizimin e shtetit shqiptar. Interesat e saj politike, interesat private të liderëve të caktuar të saj do të donin që kjo reformë të mos kryhej, por ajo  sot s’ka fuqi ta imponojë dot bllokimin.

Kundër këtij bllokimi është rreshtuar fuqimisht bashkësia perëndimore që e asiston Shqipërinë, në veçanti SHBA dhe BE, të cilat kanë financuar procesin, por jo vetëm. Këto dy faktorë e kanë mbikëqyrur procesin në të gjitha kuptimet. Ambasadori amerikan ngjan se është përfshirë personalisht në suksesin e kësaj reforme, ndërsa Berisha është përpjekur të diskreditojë ambasadoren e BE-së, e cila gjithashtu është përfshirë në këtë proces.

Edhe dje, ambasadori amerikan u angazhua personalisht, pikërisht për të siguruar votimin pro të opozitës, si ndodhi në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Faktori perëndimor nuk është angazhuar thjesht për cilësinë, por dhe për përmbushjen e afateve në këtë proces, afate me të cilat lidhet modernizimi i brendshëm i Shqipërisë, por dhe integrimi europian i saj. Dje në fakt respektimi i afateve ngjau se mori një garanci shtesë.

Me votimin e djeshëm u zvogëlua ndikimi i mundshëm i LSI-së si faktor në këtë proces. LSI dje ndejti vëzhguese, duke pritur ndoshta me dëshirë që opozita të mos përfshihej, apo që socialistët të refuzonin përfshirjen e propozimeve të opozitës, por kjo nuk ndodhi. Partitë kryesore, pas një teatri të vogël përplasjesh, e gjetën kompromisin dhe këtu hapësira e LSI-së për ndikim shkoi në zero.
Me siguri nuk do të ketë qeveri Rama-Basha, por nën ndikimin amerikan, edhe kundër vullnetit të Berishës dhe ndoshta dhe të Metës, një lloj reforme në Drejtësi ngjan se do të ecë përpara. Është tjetër diskutimi se çfarë reforme pritet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura