Shenja pozitive, por ka dhe errësirë prej Gjermanisë

Apr 26, 2018 | 12:48
SHPËRNDAJE

mentor-nazarkoMENTOR NAZARKO

Vizita zyrtare e Kryeministrit Rama në Berlin, takimet, mesazhet e tyre, sipas zakonit më të mirë, interpretohen në dy mënyra diametralisht të kundërta nga kampet kundërshtare. Palët janë të pozicionuara që më herët në lidhje me procesin e negociatave. Njëra palë, në favor të Ramës e që e konsideron çeljen e tyre si përfitim dhe meritë 100% e tij. Pala tjetër, kundër tij që e konsideron si thjesht gjeopolitik vendimin eventual në favor të Shqipërisë dhe 100% dështim të Ramës nëse vendimi do të jetë negativ.

Këto dy palë ofruan lexime të kundërta dhe të kësaj vizite. Kanë të drejtë të gjithë nga pak, por e vërteta është ndryshe. Rekomandimi i Komisionit, – qeveria e Bashkimit Europian dhe vendimi i Këshillit Europian – presidenca kolektive e 28 shteteve, është më së pari përfitim i Shqipërisë si shtet dhe shqiptarëve si komb dhe natyrisht do të ishte bonus dhe për Kryeministrin.

Por ky bonus për të do të ishte i përkohshëm nëse punët do të ecnin keq. Për më shumë, çelja e negociatave pas qershorit do të ishte futje e Shqipërisë, e qeverisë në një mbikëqyrje europiane edhe më të ashpër sesa sot. Po këto janë konsiderata të përgjithshme, që përcaktojnë deri diku mënyrën sesi është parë nga Tirana vizita zyrtare e Ramës. Nga bashkimi i pamjeve të veçanta të palëve, skartimi i elementëve të ekzagjeruar të tyre, mund të përftohet rezultati i plotë.

Pa informacion për atë se çfarë është biseduar realisht, por nisur nga shfaqjet e jashtme të bisedimeve të brendshme. Së pari, vizita ishte e karakterit zyrtar, gjë që tregon se Shqipëria me këtë qeveri i ka intensifikuar marrëdhëniet me Gjermaninë. Nuk po hyjmë në narrativën e një marrëdhënie miqësore Rama-Merkel, sepse kjo supozohet dhe për Vuçiç, etj.. Dhe kjo është e vërteta: në përpjekje për të stabilizuar Ballkanin, për të treguar autoritet në zgjidhjen e problemeve themelore të tij, Gjermania ka marrë një rol tutori dhe për këtë arsye ka piketuar dy njerëz të fortë, si Rama dhe Vuçiç, të cilët i asiston, i promovon, i bën dush të ftohtë eventualisht kur nevojitet, por ama ka thjeshtuar komunikimin me ta në projektimin e zgjidhjeve.

Kjo doli nga konferenca e shtypit e Ramës me Merkel. Vizita zyrtare e Ramës vjen pas asaj të Vuçiçit ku, me gjasë, është folur për një paketë gjermane për bisedimet e Kosovës me Serbinë, ndaj gjithçka është brenda vizionit gjerman për Ballkanin. Madje, supozohet se ky vizion ka ndikuar dhe në relaksimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë. Së dyti, nga kjo dalje e përbashkët e Ramës me Merkelin, që ofroi madje dhe fotografi të njëjta, në vende të njëjta, duket qartë se nuk ka kritika të forta publike për Shqipërinë.

Nëse do donte, Merkel nuk do kursehej për asgjë, mjafton të krahasohen deklaratat e saj publike të mëparshme në Berlin apo Tiranë. Ka lënë të nënkuptohet se brenda takimit është folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin, por pa qenë referenciale në lidhje me çështjen “Tahiri”. A ka folur për të? Edhe mund të ketë folur. Kështu duket nga qëndrimet e deputetëve gjermanë në takimin me Ramën në Bundestag. Nëse kanë folur deputetët, aq më shumë mund të ketë folur Merkel.

Merkel la të kuptohej se Shqipëria nuk ka përmbushur parakushtet, të cilat i kishte vendosur Komisioni dhe jo për diçka tjetër, pra, për parakushte të reja. Dhe arrestimet e nivelit të lartë janë pikërisht diçka brenda këtyre parakushteve që nuk është përmbushur prej Shqipërisë. Dhe afërmendsh, Komisioni nuk ka forcën e presionit mbi Shqipërinë që e kanë kancelari si Gjermania, ndaj është logjike të priten zhvillime në këtë drejtim në javët e ardhshme. Ashtu si është logjike të mendohet se orientimi pro Shqipërisë në Komision nuk ka ardhur thjesht dhe vetëm prej burokratëve apo vendimmarrësve të Brukselit, por dhe vendeve anëtare, me Gjermaninë në krye.

Nga mesazhet që vijnë prej vizitës zyrtare, duket se konfirmohet pritshmëria se Gjermania është vend skeptik dhe mbetet i tillë, por gjithçka në sjelljen gjermane duket e justifikuar. Gjermania nuk do të japë idenë se Shqipëria, Rama personalisht, ka çek të bardhë, por synon ta mbajë nën presion deri ditën e fundit. Kjo gjë lidhet jo thjesht me nevojën për të prodhuar lajme pozitive nga Shqipëria – për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, aq të nevojshme për të kënaqur opinionet publike europiane, gjermane në veçanti, por dhe me taktikën e mësuesit të suksesshëm: ai i mban nën trysni nxënësit e mirë gjithë kohën, pale më nxënës problematikë si Shqipëria.

Ka vetëm një detaj që e errëson gjithë pamjen: sulmet ndaj Kirchbaumit, kryetarit të Komitetit. Ato ngjajnë se krijuan reagim kritik të deputetëve gjermanë. Këto sulme tregojnë nervozizëm, pasiguri në pro-në gjermane, pra, dobësi, nëse janë inspiruar prej Ramës. Ose tregojnë një prirje taktike për ta paralizuar një deputet kaq të fuqishëm me ndikim sa ai, në prirjen negativiste, apo për t’i hequr besueshmërinë. Për të dobësuar linjën kritike që frymëzohet dhe prej opozitës shqiptare, me të cilët Kirchbaum ka lidhje direkte. Nëse kjo është një lojë 100% shqiptare, është e gabuar. Nëse ka pasur ndonjë konsulencë gjermane, mbase mund të jetë funksionale. Ata i dinë mirë se çfarë është efektive në hapësirën e tyre politike.

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura