Shënime nga forumi për Ballkanin në SHBA

Dec 1, 2017 | 11:12
SHPËRNDAJE

lavdrim-litaLAVDRIM LITA

Këshilli i Atlantikut, një forum për çështjet ndërko-mbëtare, mblodhi të mërkurën në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit zyrtarë të lartë të administratës amerikane dhe ekspertë të njohur, për të parashtruar ide dhe propozime të reja rreth politikave që mund të ndiqen në Ballkan dhe për të nxitur një angazhim të ri amerikan në rajon.

Para konferencës, tre zyrtarë të Këshillit të Atlantikut, Damir Marusic, Sarah Bedenbaugh dhe Damon Wilson paraqitën një raport mbi Strategjinë e re amerikane në Ballkan që ravijëzon interesat strategjike amerikane, duke propozuar skenarë ndërhyrjesh, që përmbledhtazi janë: ”Vendosja e një pranie të përhershme ushtarake në Europën Juglindore (Kosovë ose Bosnjë), ndjekja e një afrimi ‘historik’ me Serbinë, rivendosja e reputacionit të Shteteve të Bashkuara si ndërmjetës i ndershëm, mbështetja për sipërmarrësit dhe të rinjtë e rajonit”.

Në këtë raport shihet qartë ndikimi i ideve dhe mendimeve të z. Wess Mitchell, i sapoemëruar si asistentsekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, që në rekomandimet e librin e tij, “Kufij të paqetë, aleatë vulnerabël dhe rritja e rivalëve” (2016), thekson se “aleatët e SHBA-ve duhen mbështetur nëpërmjet diplomacisë aktive dhe vendosjes së forcave ushtarake në/ose pranë zonave potenciale të konfliktit. Këto përfshijnë politikat diplomatike që u japin përparësi aleatëve, prani ushtarake, inteligjencë të përbashkët dhe ndihmë në rritjen e kapaciteteve”.

Shqipëria përmendet 15 herë në raport, ndërsa Kosova plot 62 herë, kundrejt 78 herë të Serbisë. Kjo dëften shumë për monitorimin sistematik që SHBA i bën Serbisë si shtet “proxy” të Rusisë në rajon, pasi në qytetin e Nishit nisin të gjitha operacionet në terren. Megjithatë, diskutimet pas paraqitjes së raportit ishin më interesante. Këshilltarja speciale për Europën dhe Rusinë e zëvendëspresidentit të SHBA, Mike Pence, znj. Molly Montgomery, deklaroi se “ne kemi parë një rritje të ndikimit të Rusisë në rajon, sidomos në përhapjen e lajmeve të rreme, që minojnë politikat dhe liderët perëndimorë”.

Gjithashtu, znj. Montgomery deklaroi se “influenca malinje e Rusisë shikohen në grushtin e dështuar të shtetit në Mal të Zi, në përpjekjen për të izoluar Kosovën, mbështetja për forcat separatiste anti-dejton në Bosnjë, dhe përhapje të dizinformacionit në të gjithë rajonin”. Ndikimi i jashtëm malinj gjen terren pjellor në Ballkan, sipas znj. Montgomery, për shkak të kthimin prapa në ndarjet etnike, në standardet demokratike dhe korrupsionin e lartë, por SHBA-të nuk do të lejojë vakume në rajon. Sipas saj, mënyra më e mirë për të qenë jashtë orbitës së ndikimit rus është bërja e reformave dhe qëndrueshmëria e shoqërisë.

Ndërkohë, sipas diplomatit amerikan Gordon Duguid, ish-ambasadori i SHBA-ve në Serbi, ndikimi i Rusisë është përmes përdorimit të parave dhe bazohet në narrativën “Ejani me ne, ne do t’ju japim gjëra plus ekstra nën tryezë”. Ndërsa narrativa amerikane, sipas diplomatit Duguid, është bindëse: “nëse doni që fëmijët tuaj të qëndrojnë në shtëpi, ejani me ne”. Në panelet e diskutimit ishte edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, që do të mbahet mend për deklaratat se: “kompania e fluturimit United Airlines është më e keqja në botë”. Dhe se, “korrupsioni nuk ka lindur në Ballkanin Perëndimor, por në Europë e kanë legalizuar”.

Përfaqësuesi i BE-së në këtë takim, z. Christian Leffler, deklaroi se në shkurt të 2018-s Bashkimi Europian do të paraqesë strategjinë e re drejt Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, BE ka një mundësi reale historike për të integruar Ballkanin Perëndimor dhe do të punojë ngushtë me partnerët për ta realizuar këtë mundësi. Z. Leffler nënvizoi faktin se Samiti i Majit të ardhshëm në Bullgari për Ballkanin Perëndimor “do të lëshojë një sinjal të fortë e të qartë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura