Shëndeti i Publikut…

Dec 20, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

shefqet-deliallisiSHEFQET DELIALLISI

Shërbimi i Kujdesit Shën detësor nuk mund të jetë i efektshëm pa kontributin e Shëndetit Publik. Dihet që shumica e vdekjeve të .hershme dhe sëmundjet kronike i atribuohen stilit të jetës, shprehive të gabuara, ambientit të papërshtatshëm, apo rrethanave sociale. Dihet që promocioni i shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve përmirësojnë cilësinë e jetës dhe e zgjasin atë.

Dihet që promocioni i shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve përmirësojnë cilësinë e jetës dhe e zgjasin atë. Dihet që shumë nga sëmundjet e shekullit, të pamundura për t’u trajtuar, janë krejtësisht të parandalueshme. Madje, disa lloje tumoresh, aksidentet automobilistike, vdekje të parakohshme nga duhanpirja, konsumi i tepërt i alkoolit, përdorimi i drogave, “mjekim” të vetëm kanë parandalimin.

SHËNDETI PUBLIK VS. KUJDESI MJEKËSOR
Për ilustrim le të ndalemi te dy problemet më të mëdha shëndetësore të shekullit: diabeti dhe obeziteti. Në rastin e diabetit, Kujdesi Mjekësor ndoshta është duke e fituar betejën për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, por është duke humbur luftën për frenimin e epidemisë së diabetit që po përhapet me shpejtësi pa u ndalur.

E njëjta gjë me obezitetin. Qindra studime. Ndonëse një progres shkencor është bërë në zbulimin e hallkave më të imta të fiziologjisë së tij, asnjë rezultat nuk po shihet në zbutjen e epidemisë së tij. Me të drejtë lindin pyetje: A është racionale të vazhdohet më tej me përsosjen e antidoteve farmaceutike kundër obezitetit, apo duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për të ndryshuar këtë mjedis që e shkakton?!

A është rritja e shpenzimeve për medikamente zgjidhja e problemit? Kjo vlen për shumicën e sëmundjeve kronike që tashmë po dominojnë skenën e sëmundshmërisë. Pra, në një këndvështrim më të gjerë, nuk janë zgjidhjet klinike ato që do të frenojnë shtimin e pandalshëm të sëmundjeve kronike. Kujdesi Mjekësor nuk mund t’i frenojë këto gjendje.

E vetmja mundësi është që investimi të bëhet në nivelin kombëtar të parandalimit, nëpërmjet programeve të Shëndetit Publik. Kjo për faktin se rrënjët që ushqejnë këtë epidemi janë faktorët socialë, apo faktorë që kanë të bëjnë me stilin e jetës, faktorë që për fat të mirë mund të ndryshohen. Kujdesi Mjekësor, pak mund të bëjë për një mushkëri të shkatërruar nga duhani, një mëlçi të shkatërruar nga alkooli, një kafkë të thyer në aksident rrugor, për pasojat e një diete të papërshtatshme apo aktivitetit fizik të munguar.

Është Shëndeti Publik ai që përpiqet t’i frenojë këto të këqija të mos ndodhin. Shëndeti Publik është më tepër se kaq. Por shëndeti dhe sëmundja nuk janë vetëm rezultat i zgjedhjes individuale, apo një lotari gjenetike … në radhë të parë janë rezultat i strukturave sociale dhe interesave ekonomike që na rrethojnë. Shëndeti Publik operon në pika ku psikologjia, sociologjia, ekonomia, politika, gjeografia dhe mjekësia ndërpriten, kryqëzohen, mbivendosen.

Faktorë si strehimi, të ardhurat, punësimi etj., çështje që dominonë jetën publike, janë përcaktues të rëndësishëm të shëndetit dhe mirëqenies. Në mënyrë të ngjashme, shumë nga përcaktuesit madhorë të pabarazisë në shëndet shtrihen jashtë sektorit shëndetësor, prandaj dhe për t’i shmangur, nuk kërkohen politikat e Kujdesit Mjekësor.

POR Ç’NDODH NË TË VËRTETË?
Në vend që t’u adresohen shkaqeve që shkaktojnë sëmundjen, eliminimit të tyre, njerëzit vazhdojnë të kujdesen për shëndetin vetëm pasi janë goditur nga sëmundja. Është fakt se shumica e resurseve për shëndetin përdoren për kurim, mbasi njerëzit janë sëmurë, apo për menaxhimin e sëmundjeve kronike, mbasi ato janë shfaqur.

Shëndeti Publik, ndonëse kaq i rëndësishëm, vazhdon të konsiderohet si “kushëri i varfër” i Kujdesit Mjekësor. Edhe në vendet më të zhvilluara si SHBA, rreth 95% e gjithë shpenzimeve për shëndetin alokohen për Kujdesin Mjekësor, dhe vetëm 5% për Shëndetin Publik.

PSE KY NËNVLERËSIM?
Arsyet janë disa. Një nga zgjedhjet më të rëndësishme që çdo individ apo shoqëri duhet të bëjë, është: t’i përdorë resurset që ka për të kënaqur dëshirat e momentit për Kujdes Mjekësor (konsum në terma ekonomikë), apo të krijojë një kapital, që do të shërbejë për të ardhmen në Shëndetin Publik (investim në terma ekonomikë)? Truri ynë, pjesët e korteksit që kanë të bëjnë me kënaqësinë imediate, padurimin, janë më të hershme, më të gjera, më të fuqishme.

Është kjo arsyeja pse investimet, të cilat kërkojnë vullnet dhe durim për ta shtyrë kënaqësinë për të ardhmen, preferohen më pak. Politikanët kanë edhe një arsye më shumë. Ata duan që përfitimet e investimit t’i korrin brenda mandatit të tyre. Dhe ndërsa përfitimet nga investimet në Shëndetin Publik shpesh duan vite, e kundërta ndodh me Kujdesin Mjekësor, ku përfitimet janë më të shpejta, mbasi u sigurojnë njerëzve kënaqësi të menjëhershme nëpërmjet lehtësimit të shpejtë nga sëmundja.

Arsye përbën dhe fakti se arritjet e Shëndetit Publik nuk krijojnë emocione publike të forta. Kur dikush përballet me vdekjen, individi, familja, dhe shoqëria janë të gatshëm të paguajnë (pavarësisht kostos) për çdo kurim që premton sadopak shpëtimin e jetës. Në të kundërtën, njerëzit e shëndetshëm nuk janë gjithmonë të gatshëm të paguajnë për investime parandaluese që do të shpëtonin shumë më tepër jetë, për të njëjtën sasi parash të shpenzuara.

Për ilustrim: në vitin 1988, në Teksas ra në një pus fëmija 18-muajshe Jessica. E gjithë Amerika mbeti pa frymë. Në atë moment emocional, njerëzit ishin të gatshëm të shpenzonim miliona për të shpëtuar beben, ndërkohë që nuk do të ishin të gatshëm të bënin të njëjtën gjë për të parandaluar vdekje statistikisht të sigurta të shumë bebeve.

Njerëzit janë të gatshëm të sigurojnë resurse për të lehtësuar katastrofat(përmbytje etj.), por janë më pak të gatshëm ta bëjnë këtë për t’i parandaluar ato. Për të njëjtat arsye emocionale, shumë më të dëgjuar janë mjekë, që me ndërhyrje spektakolare shpëtojnë jetë, ndonëse më të pakta në numër.

Kujtoni sa i njohur u bë kardio-kirurgu Christian Barnard, autori i transplantit të parë të zemrës, ndërkohë që fare pak njihet bashkëkohësi i tij, Hilleman, i cili me 30 vaksinat e tij ka shpëtuar më shumë jetë njerëzore se çdo shkencëtar tjetër i shekullit XX ! Por nënvlerësimi i Shëndetit Publik ka edhe shkaqe të tjera.

Ndryshimet sociale që përbëjnë bazën e programeve të shëndetit publik, jo rrallë frenohen, mbasi prekin interesat e lobeve të fuqishme ekonomike (si në rastin e industrive të alkoolit, duhanit, ushqimeve, automobilave, qymyrit, naftës, armëve etj.

Mjafton të përmendin faktin që në kohën kur obeziteti dhe diabeti përbëjnë problemin shëndetësor të shekullit, në qershor 2010, si pasojë e lobimit intensiv të korporatave ndërkombëtare të ushqimit, Parlamenti Europian hodhi poshtë planin për një sistem informacioni që nëpërmjet etiketimit të ushqimeve të shëndetshme do ndihmonte konsumatorët. Ndërkohë, e kundërta ndodh me shpenzimet për Kujdesin Mjekësor, të cilat nxiten fuqimisht nga interesat e kompanive farmaceutike, të sigurimeve etj.

NË VEND TË MBYLLJES
Profili i sotëm epidemiologjik i Shqipërisë ka disa veçori. Sëmundshmëria është në tranzicion: sëmundjet infektive janë në rënie, ndërsa ato kronike në rritje të shpejtë, madje po dominojnë skenën.

Ndërsa vdekshmëria është e ngjashme me atë të vendeve perëndimore (50.2% shkaktohet nga sëmundjet e zemrës, 16.6% nga kanceri, 6.8% nga aksidentet). Kjo situatë kërkon ndryshime jo vetëm në mentalitet. I rëndësishëm është edukimi mjekësor, sigurimi i informacionit që mundëson marrjen e vendimeve të duhura për shëndetin, ndryshimin e shprehive (individuale dhe sociale) që ndikojnë drejtpërdrejt në faktorët e riskut për sëmundje.

Asnjë individ (veçanërisht ata me sëmundjet kronike), nuk mund ta sigurojnë kujdesin shëndetësor në ambientet tradicionale të kujdesit mjekësor, mbasi sëmundjet kronike i shoqërojnë njerëzit nga mëngjesi në mbrëmje.

Në çdo çast ata vetë duhet të marrin vendime të rëndësishme për shëndetin. Por vetëm përmirësimi i dijeve nuk mjafton (shembull lufta kundër duhanit). Të domosdoshme janë nismat politike – publike, programet kombëtare për kontrollin e sëmundjeve të zemrës, obezitetit, diabetit, kancerit, aksidenteve rrugore apo atyre me armë zjarri, në të cilat Shëndeti Publik luan rol thelbësor.

Ndonëse Shërbimi Mjekësor dhe Shëndeti Publik ecin në linja të ndara, integrimi i tyre është tejet i rëndësishëm. Por kjo kërkon edhe ndryshimin e raporteve të financimit. Vetëm 2% e shpenzimeve të shëndetësisë për Shëndetin Publik, sipas ‘Studimi demografik shëndetësor 2008- 2009’, krahasuar me 52% për shërbimin spitalor dhe 42% për shërbimin parësor, janë të pamjaftueshme.

Vërtet larja e duarve ndikoi në mospërhapjen e sëmundjeve infektive, por epidemitë infektive në botën e zhvilluar nuk u eliminuan duke inkurajuar çdo njeri të lajë duart me sapun, por nëpërmjet politikave të ndërtimit të kanalizimeve, furnizimit me ujë të pastër të të gjithë popullatës, si dhe masa të tjera të shëndetit publik.

Shëndeti i publikut ndikon mbi të gjithë. Në fund të fundit, publiku jemi Ne dhe Ai është shëndeti ynë. Sot, më shumë se kurrë, është koha e rivlerësimit të vlerave të Shëndetit Publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura