Shën Hallentini

Feb 14, 2016 | 12:04
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Gëzojnë të dashuruarit sot, në ditën e Shën Valentinit, e festës së tyre. Gëzojnë të paktën një ditë e një natë, por jo më shumë se 24 orë, sepse, me t’u rrumbullakosur ky hark kohor, shenjtori i tyre ndërron emër dhe quhet  Shën Hallentin. “Si kështu?”, mund të pyesin me të drejtë lexueset dhe lexuesit e mi besnikë, sidomos të rejat e të rinjtë, veçanërisht të dashuruarat dhe të dashuruarit.

Oh, jam i bindur se, me gjithë moskokëçarjen e gëzueshme karakteristike për moshën e tyre, ato e ata i harrojnë, qoftë edhe përkohësisht, hallet e tyre afatshkurtra e afatgjata, ato halle, trysnia e vazhdueshme e të cilave, rrezik se ua kthen, sidomos me t’u afruar fundi i festës, Shën Valentinin në Shën Hallentin, pikërisht.

Ndoshta ka një fazë fort të shkurtër kalimtare nga Shën Valentini në Shën Hallentin: tek vallëzojnë në mbrëmjet që organizojnë në shtëpi a në diskoteka, mbase e ndiejnë që shenjtori i tyre mund të quhet përkohësisht edhe Shën Vallentin: përse të mos e përfytyrojnë, në fund të fundit, shenjtorin duke hedhur valle midis atyre, me ata, për ata, por edhe për qejfin e vet? Gjithsesi, le të qëndrojmë pak më gjatë te Shën Hallentini.

Shumica e të rejave dhe e të rinjve shqiptarë kanë probleme ekzistenciale, sepse u duhet të sigurojnë të ardhura për të jetuar ose, në rastin më të dhimbshëm, për të mbijetuar sot, por edhe për të krijuar nesër familje, për të rritur fëmijë të shëndetshëm, për ta shijuar jetën denjësisht, me mirëqenie jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore.

Jeta e tyre, sot, në Shqipërinë tonë të rilindur tmerrësisht demokratike, nuk u ofron perspektivat e premtuara nga qeveria aktuale: të gjitha festat në përgjithësi – intime, familjare apo me shoqërinë e ngushtë, por edhe ato mbarëpopullore, ndër të cilat ajo e Shën Valentinit– u shijojnë më shumë, më thellë e më gjatë të rejave dhe të rinjve, kur kanë një punë, një shtëpi dhe sa më pak strese, pra një minimum të patjetërsueshëm garancie për të tashmen e për të ardhmen e tyre.

Kur, për shembull, atyre u premtohet, nga qeveria sigurisht, se do të hapen 300 mijë vende pune dhe se do të përfitojnë një shërbim mjekësor falas, por, siç po ndodh, mjerisht, këto premtime e plot të tjera nuk mbahen, atëherë Shën Valentini, tek vëren zhgënjimin dhe dëshpërimin e shumicës së të rejave e të të rinjve shqiptarë të dashuruar, pra, e të mbrojturve të tij, ndihet i tradhtuar dhe ka shumë të ngjarë që, një ditë prej ditësh, të shkojë drejt e në zyrën qendrore të gjendjes civile të shenjtorëve, mu në kryeqytetin e Kombeve të Bashkuara të Parajsës, për të kërkuar modifikimin e emrit të tij nga Shën Valentin në Shën Hallentin në shenjë solidariteti me të dashuruarit e mbarë Shqipërisë sonë të rilindur tmerrësisht demokratike.

Por, për fat të keq, madje, shumë të keq, ka edhe një kategori tjetër të dashuruarish shqiptarë që ndihen të braktisur, të vënë në lojë nga qeveria me mosmbajtjen e saj të shkëlqyer të premtimeve elektorale, e kam fjalën dhe mendimin e dhimbshëm për pensionistet e pensionistët, që ende dashurojnë besnikërisht, por që të zymtë e kanë perspektivën e të gëzuarit të viteve që u mbeten për të jetuar në çift, të atyre viteve që, në vend t’i jetojnë, siç po i jetojnë, duke shtrënguar rripin çdo ditë e më shumë, do të duhej t’i jetonin pa andralla, pa telashe, pa halle, pa kokëçarje e pa zemërthyerje të përditshme, të përmuajshme e të përvitshme.

Së fundi, mësohet, nga një burim informativ sa i mistershëm po aq i besueshëm, se Shën Valentini ose, më saktë, Shën Hallentini, i qenka lutur, përgjëruar e përshpirtur Zotit të Gjithëpushtetshëm që t’i siguronte me çdo kusht një lejekalimi të posaçme, me firmën dhe vulën e Tij të pafalsifikueshme, për të zbritur në kryeqytetin e Kombeve të Bashkuara të Ferrit e për të parë ç’bëhej atje me rastin e festës së të dashuruarve (sepse, me gjasë, edhe të dënuarit e përjetshëm dashurojnë, ndoshta keq, por s’ke ç’i bën).

“O Perëndi – qenka shprehur ai (sipas të njëjtit burim informativ) – por edhe atje tërë ishqeveritarët mafiozë, aleatë kriminelësh e banditësh, tërë të korruptuarit, kopukët, horrat, maskarenjtë, gjakpirësit e të ndershmëve dhe e të pafajshmëve, tërë të pamëshirshmit, të pamoralshmit, të neveritshmit me soj e sorollop, midis të cilëve edhe disa qindra shqiptarë që zinin një vend të veçantë nderi të pandershëm, po argëtoheshin me rastin e festës sime me të ngrëna e me të pira, me të qeshura e me të ngjeshura, me kurva e kurvarë, me zuska e zuzarë, me putana e pushtër, me të droguar e të tërbuar, por cinizmi i tyre arriti kulmin kur deshën të më ftonin që të dëfrehesha në atë dafrungë dallkaukësh djallë- zorë duke bërë pallë e stërpallë pa fund, ftesë kjo me një kusht të papranueshëm për mua: ta modifikoja emrin nga Shën Valentin në Shën Pallëntin.

O llahtar i paparë! O palavi e palarë! O qelb i patharë!” – paskësh thirrur me zemëratë qiellore shenjtori i të dashuruarve me t’u kthyer në Shqipërinë tonë të rilindur tmerrësisht demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura