Shembja e Teatrit, vdekja e dytë e Maks Velos

May 19, 2020 | 10:06
SHPËRNDAJE

MAKS KOLA 

maks kola

Të gjithë pasi hapëm sytë mëngjesin e së dielës së 17 majit, u dëshpëruam deri në dhimbje kur pamë në ekranet e televizioneve dhe rrjeteve sociale, kovën e çeliktë të shtetit duke shkërmoqur fasadën kryesore të Teatrit Kombëtar, ndërtuar 80 vite më parë në kohën e mbretërisë, si pjesë organike e Planit Rregullues të Qendrës së Tiranës moderne. Historia e debatit mbi prishjen apo jo të Teatrit Kombëtar nisi kur studentët e sotëm të Fakultetit të Artit Skenik në Akademinë e Arteve nuk kishin lindur akoma, rreth 20 vite më parë, nga Kryeministri i sotëm, atëherë kryetar i Bashkisë Tiranë, i cili pak kohë më parë, në cilësinë e ministrit të Kulturës, pati deklaruar:

“Këto janë monumente dhe vlera që nuk bëhen më. Mund të bëjmë të reja, mund të bëjmë gradaçela, por këto vlera që hyjnë në trashëgiminë tonë kulturore nuk përsëriten me. Është detyra jonë që t’i ruajmë si të tilla”.

Na kujtohet cinizmi i tij ndaj artistëve në sallë, duke ironizuar me të brendshmet e aktores së nderuar Violeta Manushi dhe reagimi emocional i aktorit Luftar Paja, duke qenë kundra prishjes së Teatrit, i cili sot çuditërisht është rreshtuar në njërin nga të paktët pro prishjes.

Është e kotë të ndalem në opinionin tim si arkitekt dhe si urbanist, nëse Teatri Kombëtar duhej prishur apo jo, pasi siç i thonë në Veri “Çfarë ha ujku, s’e zë gjarpri”, edhe pse ndiej një keqardhje të thellë që u largova nga sheshi para Teatrit nga ora e 3:30 e natës për të mos e parë më, ashtu si në rastin kur je pranë njeriut tënd të dashur në prag të vdekjes. Megjithëse bindja ime dhe e çdo arkitekti sado modest, i cili jeton në Tiranë do ishte që Teatri i ri Kombëtar, ashtu sikurse Stadiumi i ri Kombëtar apo dhe plot objekte të tjera publike të tilla, si: Pallati i Drejtësisë, Blloku i Ambasadave, Kampusi i ri Universitar, bashkia e re, Muzeu Modern dhe jo vetëm, Parlamenti i ri, pjesa tjetër e ministrive, të cilat sot gjenden jashtë Kompleksit Ekzistues të Ministrive, Pallati i Ekonomisë etj., të ndërtoheshin në të dyja anët e Bulevardit të Ri, si tregues real i mënyrës dhe sjelljes së shtetit në funksion të shoqërisë. E për këtë jemi vonë e aq më tepër për një Teatër të ri, ku në fund do bëheshin dy.

Është “aksiomë” në Teorinë e Urbanistikës Moderne të prishet një objekt ose disa objekte për të ndërtuar diçka të re në interes të qytetarëve dhe cilësinë e jetës së tyre. Por, kur ka logjikë të drejtë, argumente të qarta profesionale, pse jo dhe politike.

Ajo që ndodhi me Teatrin tonë Kombëtar nuk është rasti brenda “aksiomës”, për më tepër në një moment si ky që po kalon Shqipëria, pas tërmetit të fundvitit të kaluar dhe klimës së keqe të krijuar në shumë rrafshe nga pandemia. Madje, e përllogaritur mirë nga vendimmarrësit e aktit, ditën e diel, si dita e izolimit total, nga frika e shumicës dhe e qëndresëtarëve prej dy vitesh.

Këtë mëngjes ishte një më pak! Mungonte Maksi. Maks Velo. Njeriu që e kishin frikë, se nuk bënin dot kompromis me të. Se ai kishte të drejtë në çka thoshte, për gjithçka e për më tepër sepse s’duhej të prishej Teatri.

Kur ai vdiq, të gjithë ata që më pas firmosën prishjen e Teatrit, vrapuan të shprehin publikisht “keqardhjen dhe pikëllimin e tyre” për ndarjen nga jeta të Maks Velos.

Madje, firmëtari më kryesor, pak minuta para varrimit i propozoi së motrës kthimin e shtëpisë së tyre në muze për nder të veprës që ai la.

A nuk është pjesë e veprës së tij rezistenca qytetare dhe intelektuale në mbrojtje të prishjes së Teatrit Kombëtar?

Dje i kishim të dy.

Sot nuk është as Maksi, as Teatri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura