Shembja e Teatrit/ Regjisori: Artistët që do bëhen palë në këtë ‘përdhunim’, do shkelin mbi amanetin e Violeta Manushit e Agim Qirjaqit

Mar 12, 2018 | 20:37
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Të bëjmë atë që bënë britanikët me Globin e Shekspirit: ta rindërtojmë aty ku është, me të njëjtën fasadë, por duke shtuar parkim të nëndheshëm, një sallë të re aty ku është sot zdrukthëtaria, prapa pishinës, duke ia rritur gradualisht lartësinë ndërtimit të ri në pjesën e brendshme, për të fituar edhe dyfishimin e hapësirave për shërbime”.

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Kjo është ideja e regjisorit Kastriot Çipi, një ndër drejtuesit e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, ish-drejtori i Teatrit të Komedisë, në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar, i cili flet për “Panorama”.

Plot një muaj pas mbledhjes së parë të artistëve për Teatrin Kombëtar dhe projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin për Artin dhe Kulturën”, SASE rimblidhet sërish. Më pak në numër dhe me probleme të pazgjidhura.

cipi-teatri

Çipi tregon ne nje interviste për “Panorama” se çfarë ka ndodhur gjatë këtij muaji, çfarë kanë “fituar” e çfarë kanë “humbur” artistët; të vërtetën e hapësirave dhe përbërjes së materialeve, me të cilat është ndërtuar godina; pse godina e TK-së nuk duhet të prishet dhe nismën e mbledhjes së fondeve për rindërtimin e Teatrit Kombëtar.

Po ashtu, Çipi zbulon edhe takimin që do të zhvillohet sot në Kryeministri për prezantimin e godinës së TK-së, e ku asnjë prej përfaqësuesve të sindikatave të artistëve nuk ka marrë ftesë.

U mbush një muaj që nga mbledhja e parë e SASE-s për projektligjin dhe godinën e Teatrit Kombëtar. Një muaj pas kësaj mbledhjeje, që u karakterizua nga “fjalime” të fuqishme që u bënë “virale” nëpër rrjetet sociale, çfarë kanë fituar dhe çfarë kanë humbur artistët?

Besoj se artistët kanë fituar vëmendjen e publikut. Si kurrë më parë, mediat pasqyruan masivisht pikëpamjet e artistëve. Brenda një jave, gati 6 mijë qytetarë nënshkruan peticionin online. Qeveria u tërhoq nga vendimi për largimin e kompanisë së Teatrit Kombëtar nga selia historike dhe u detyrua të pranojë hapjen e debatit për projektligjin.

Salla gjysmë bosh e mbledhjes së dy ditëve më parë, dëshmon se artistët janë “blerë” apo janë tërhequr?

Në radhët e artistëve mungojnë disa, të cilët, duke perifrazuar kryebashkiakun Veliaj, “e ngjyen gishtin në kekun e papjekur”. Për të vazhduar me perifrazime, uroj të mos ketë qenë “një lugë çorbë e prishur, që do ta vjellin gjithë jetën”. Nuk mund të themi se protesta juaj nuk i “sikletosi” qeveritarët dhe ajo periudhë u shoqërua me thënie e kundërthënie.

Si e shpjegoni faktin që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se nuk ka një projekt për TK-në, ndërsa pak ditë më vonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi një projekt të gatshëm?

Parashtrimi e përgënjeshtron pyetjen tuaj. Protesta i sikletosi kaq keq qeveritarët, saqë vendosin të heqin nga fronti një “major” për ta zëvendësuar me një “kolonel”. Kumbaro është aq e terrorizuar, saqë tani ka mandatuar zv.ministren Shujaku të bëjë konsultimet për projektligjin. Por edhe Veliaj është shumë i shqetësuar. Nuk mund të sqarohet ndryshe autocensura e mediave që publikuan projekt-idenë e teatrit të ri dhe vetëm disa orë më pas e fshinë nga të gjitha faqet në internet dhe edicionet e lajmeve. Nuk kam dyshim se në siklet është edhe gjeneral Rama. Ai nuk mund t’i harrojë kurrë dy shuplakat që i kanë dhënë artistët e teatrit në vitet 2000 dhe 2002.

Më herët, atë e kishin parë edhe disa aktorë të ftuar nga Erion Veliaj dhe e kishin pëlqyer. Ju e njihni këtë projekt? Si ju duket?

Nuk e kam pasur nderin ta zhys gishtin në kekun e papjekur. SASE i ka bërë kërkesë zyrtare me shkrim z. Veliaj, në bazë të Ligjit për të Drejtën e Informimit, ta bëjë publik projektin apo projekt-idenë. Deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Mesa duket, më shumë se sa për kek, bëhet fjalë për çorbë.

Ka apo nuk ka kullë?

Kulla natyrisht ka në projektin e Veliajt për “bashkëpunim me ata që kanë bizneset aty”. Sa do të jenë, nuk kam nga ta di.

Në çfarë hapësirash shtrihet sot TK-ja dhe çfarë parashikon projekti i Veliajt?

Vetëm njëra parcelë kadastrale e TK-së, ajo më e madhja, është 5.522 m2. Këtë mund ta verifikojë kushdo nëse viziton faqen asig.gov.al. Në total, TK-ja ka sot gati 6.000 m2. Një ditë do të duhet të bëhet transparencë se ku kanë shkuar 7.000 m2 që ka pasur ish-Rrethi Italo-Shqiptar “Skënderbeg”, pjesë e të cilit ishte Teatri “Savoia, sot Teatri Kombëtar. Gjithsesi, Veliaj gënjen kur thotë se “teatri ka 3.000 m2”, sepse plani i tij është që t’ia grabisë 3.000 m2 dhe t’ia japë një firme ndërtimi.

Ju keni qenë drejtor i Teatrit të Komedisë dhe e njihni mirë atë godinë. A duhet shembur? Cili është mendimi juaj? Nëse jo, përse duhet ruajtur?

Teatri Kombëtar është i pari teatër i kombit shqiptar. Qysh prej 30 majit 1945, kur u dha shfaqja e parë e atij që quhej “Grupi Central Theatral”, e që më 1947 u pagëzua me emrin Theatri Popullor, ajo ndërtesë prezanton 73 vjet histori të pandërprerë. Mjafton ky argument për të shpallur armik të kulturës kombëtare, këdo që kërkon ta fshijë nga faqja e dheut. Artistët, që do të bëhen palë me pushtetin në këtë përdhunim, do të jenë bashkëfajtorë. Ata do të shkelin mbi amanetin e Violeta Manushit e Mihal Luarasit, Vangjush Furxhiut e Agim Qirjaqit, e dhjetëra të tjerëve që investuan jetën e tyre në lartësimin e emrit të Teatrit Kombëtar. Duke thënë këtë, nuk po them aspak se muret duhet të mbeten përjetësisht po ato, as se ndërtesa duhet të ruhet siç ruhen sot rrënojat antike. Jo. Duhet thjesht të bëjmë atë që bënë britanikët me Globin e Shekspirit: ta rindërtojmë aty ku është, me të njëjtën fasadë, por duke shtuar parkim të nëndheshëm, një sallë të re aty ku është sot zdrukthëtaria, prapa pishinës, duke u ia rritur gradualisht lartësinë ndërtimit të ri në pjesën e brendshme, për të fituar edhe dyfishimin e hapësirave për shërbime.

A janë vërtetë kanceroze materialet, me të cilat është ndërtuar ky teatër apo është një alibi?

Kjo është një shpifje e neveritshme, që e ka zanafillën në vitin 2002. I famshmi “populit”, me të cilin janë veshur muret e sallës (dhe vetëm të sallës, jo të pjesëve të tjera të teatrit) nuk është gjë tjetër veçse një panel me tallash dhe fibra druri, të përziera me çimento (italisht “panello di lana e fibra di legna = panel me tallash dhe fibra druri”). Populit ishte marka e firmës SAFFA. Kompania që i prodhon sot quhet “Celenit”, e për pasojë kështu quhen edhe panelet. Asbesti nuk bën pjesë në këtë përzierje. Këto panele janë ende në përdorim, sot e kësaj dite, sepse janë të lehta, montohen shpejt dhe me lehtësi, ofrojnë izolim akustik dhe termik të shkëlqyer. Përveçse izolues shumë i mirë akustik dhe termik, celeniti (populiti) sot propagandohet edhe si biondërtimtari, sepse ndot më pak mjedisin pas shkatërrimit, sepse 90% është i biodegradueshëm. Është material i padjegshëm. Sipas historianit Spiro Mëhilli, më 1942 ka rënë zjarr dhe salla nuk është shembur. Janë djegur ulëset, jo konstruksioni apo muret dhe godina vetëm është restauruar dhe rihapur brenda tri javësh. Edhe këto të dhëna janë lehtësisht të verifikueshme. Përbërjen e paneleve celenit e gjeni në faqen celenit.com, ndërsa një teatër i ndërtuar me këto panele në vitin 2017 është Cinema Teatro David (https://www.cinemateatrodavid.it/lastruttura/), e cila, pikërisht për shkak të këtyre paneleve, është ndërtuar brenda 89 ditëve.

Nëse është e vërtetë, ata që e dinë a nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për faktin që kanë lejuar që artistët të jetojnë në kushte vdekjeprurëse?

Kumbaro do të duhej të ishte marrë në pyetje nga Prokuroria qysh në vitin 2014, kur deklaroi publikisht se salla kishte rrezik shembjeje dhe lejoi vazhdimin e shfaqjeve. Sot ajo duhet të merret në pyetje edhe për të sqaruar se pse në katër vjet e gjysmë në post nuk ka kërkuar kurrë ekspertizën teknike të Institutit të Ndërtimit, i vetmi institucion i ngarkuar me ligj për kontrollin e gjendjes teknike të ndërtesave publike. Veliaj shpifi publikisht për praninë e asbestit në muret e teatrit. Shpifi edhe se arkitektët italianë kanë deklaruar se ndërtesa “nuk mban më”, pra mund të shembet aksidentalisht, prandaj edhe duhet shembur. Të nesërmen e emisionit mora librin që ai mbante në duar: Arkitekturë moderne italiane për qytetet e Shqipërisë, botim dygjuhësh nga “Dudaj”. Libri përmban dy artikuj që lidhen me Teatrin Kombëtar. Në të dy artikujt ka vetëm vlerësime pozitive për zgjedhjet dhe zgjidhjet e aplikuara dhe fjala asbest (amianto) nuk ekziston. Gjithashtu, në mënyrë të përsëritur theksoi se libri ishte botuar në kohën kur kryetar Bashkie ishte z. Basha, a thua se kemi të bëjmë me studim të porositur nga Bashkia Tiranë apo të botuar prej saj. Meqë ra fjala, botues është “Dudaj”, botuesi i “Kurbanit” të Ramës, por kjo nuk do të thotë se për këtë duhet paragjykuar libri.

Keni kërkuar transparencë për çështjen e godinës, a ka pasur ndonjë takim me përfaqësues të SASE-s, komunitetin artistik apo janë kufizuar vetëm në pëlqimin e disa vetëve?

Nëse e keni fjalën për takime me përfaqësues të bashkisë, në dijeninë time ka pasur vetëm katër vizita private me ftesë personale nga vetë z. Veliaj. Asnjë komunikim zyrtar, asnjë komunikim publik. Sot pritet të bëhet një takim më i zgjeruar, në Kryeministri. Mesa duket, gjenerali Rama do të vijë vetë në front. Mesa di unë, askush nga SASE dhe sindikatat e tjera nuk është ftuar. U dërguam mesazhe të gjithë majës së hierarkisë në Ministrinë e Kulturës, por nuk morëm përgjigje. Vetëm zonja Duro u përgjigj me mirësjellje se nuk ka dijeni dhe ndodhet jashtë vendit. Nuk e dimë se cilët janë të ftuarit, por besoj se do të ketë më shumë se katër artistë, që do të shkojnë me lugë në brez për të ngrënë çorbën e prishur.

A mendoni se hapja e një llogarie bankare do të mund ta shpëtojë TK-në?

Çekët e kanë bërë këtë gjë 125 vjet më parë. Natyrisht, ata kishin konsensusin e sundimtarëve austro-hungarezë. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët sot të bëjnë të njëjtën gjë, përderisa qeveria e tyre prej 20 vjetësh refuzon ta bëjë. Mbetet për t’u parë nëse qeveria e sotme e zgjedhur nga shqiptarët do të sillet si austro-hungarezët me çekët apo si turqit osmanë me shqiptarët.

Çfarë pretendoni të bëni me ato para? Ta rindërtoni, rikonstruktoni?

Gjithçka që duhet për ta afruar datën e rindërtimit, sipas idesë që shtjellova më lart. Lobing, konkurs për projekt-ide, studim fizibiliteti, projekt, pse jo edhe financimin e rikonstruksionit.

A keni bërë ndonjë studim paraprak, ndonjë preventiv se sa mund të kushtojë?

Ka një studim të vitit 1999, që parashikon rikonstruksionin e asaj që ishte Teatri Kombëtar atëherë, me kosto 1 milion dollarë. Ma do mendja se me ndërtimin e Teatrit Eksperimental dhe shtesës së ndërtesës së Teatrit Kombëtar, prapa sallës së shfaqjeve, kostoja e rikonstruksionit dyfishohet. Nëse do të shtohen më tej volumet, natyrisht do të ketë edhe kosto të tjera shtesë. Vetëm se nuk duhen harruar dy detaje shumë të rëndësishme: I pari homolog, të cilit një kryeministër shqiptar i kërkoi ndihmë, ofroi menjëherë 2,5 milion euro për ndërtimin e Teatrit Kombëtar në vitin 1998. E para kjo. Pa kërkesë fare nga qeveria shqiptare, qeveria italiane ofroi në vitin 1999 plot 3 miliard lira (afër 2 milion dollarë) për rehabilitimin e ndërtimeve italiane të paraluftës. E dyta. Pra, nëse arrijmë ta bindim qeverinë shqiptare, projekti mund të financohet tërësisht nga Italia dhe/ose BE. Ne duhet të bëjmë studimin e fizibilitetit dhe projektin.

A ka SASE një hap të radhës, nëse kërkesat tuaja nuk do të marrin përgjigje?

SASE do të bëjë lobingun dhe opozitën e duhur me mjete paqësore. Unë besoj se SASE do të jetë gjithashtu një partner i fondacionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Nëse vazhdon kjo sjellje nga ana e Qeverisë, SASE-s do t’i duhet të organizojë një reagim të fortë qytetar për ta mbrojtur historinë e kulturës shqiptare. E kam thënë gjithmonë publikisht: teatri është i qytetarëve, jo i artistëve. Nëse qytetarët e duan teatrin, do ta rindërtojnë, ndërsa ata që hanë sot lugën e çorbës së prishur, do të vjellin gjithë jetën. Nëse qytetarët nuk e duan, unë do ta pranoj me keqardhje verdiktin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura