Shembja e Teatrit/ Pas 10 javësh protesta, artistët bëjnë hapin tjetër. Dorëzojnë 780 firma për…

May 22, 2018 | 11:03
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Pas 10 takimesh, çdo të hënë në oborrin e Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar e mbylli këtë fazë.

artistet proteste teatri

Ishte dorëzimi pranë Ministrisë së Kulturës i kërkesës për shpalljen e dy godinave të TK dhe të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në një “korpus monument kulture”, që i dha fund kësaj faze të parë rezistence ndaj idesë për shkatërrimin e godinave të mësipërme dhe ndërtimit në vend të tyre të një tjetër teatri, shoqëruar me një seri kullash, si produkt i partneritetit publik-privat.

Kërkesa në fjalë është shoqëruar me firmat e 780 artistëve, politikanëve dhe qytetarëve të Tiranës, që kërkon ruajtjen e godinave të teatrit si pjesë e memories së qytetit, por edhe historisë së një sërë institucionesh kulturore që kanë hedhur hapat e para, pikërisht në këtë kompleks godinash.

I pari që hodhi firmën në këtë kërkesë ishte aktori Robert Ndrenika, i pasuar nga shumë të tjerë. Regjisori Kastriot Çipi, një prej artistëve më aktivë në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe një ndër drejtuesit e SASE-s (Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit”, thotë se tashmë ka përfunduar faza e grumbullimeve dhe fjalimeve në oborrin e teatrit dhe po mendohet, po diskutohet një formë e re rezistence, jo detyrimisht përmes radikalizmit të saj me greva urie, por pse jo përmes vet artit, teatrit, muzikës, video-projeksioneve… por gjithçka do të bëhet me dije në ditët në vijim. Ndërkaq, ideja për ngritjen e një fondacioni që do të mundësojë mbledhjen e fondeve për të rikonstruktuar godinën aktuale të TK-së, pritet të marrë formë ligjore.

REZISTENCA

Historia e mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar rinisi në datën 8 shkurt, kur po diskutohej lëvizja e trupës së TK-së drejt qendrës kulturore “Turbina”, por edhe pas publikimit të projektligjit “Për artin dhe kulturën”.

Pasi u mbyllën dilemat për zhvendosjen dhe projektligjin, ia behu deklarata e Kryeministrit Edi Rama, i cili tha me zë e figurë se godina e Teatrit Kombëtar do të shembet dhe mbi të do të ngrihet një ndërtesë e re. Madje, në ambientet e Kryeministrisë ai prezantoi edhe një projekt nga arkitekti danez Bjarke Ingels. E gjithë kjo u shoqërua me një përçarje të artistëve pro dhe kundër shembjes së godinës aktuale dhe ngritjes së një të reje.

Po aq edhe me deklarata kundërthënëse nga titullarë të institucioneve të ndryshme, që nga Bashkia e Tiranës, te Ministria e Kulturës. Si rezistencë kundrejt qëndrimeve institucionale një grup artistësh e përfaqësues të shoqërisë civile krijuan Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila fillimisht tërhoqi vëmendjen me deklarata të forta aktorësh, për t’u qetësuar më në fund në disa njerëz që i qëndruan besnik deri në fund kauzës.

Gjatë 10 javëve rezistencë u zhvilluan takime me përfaqësues të opozitës, u hartuan kërkesa e peticione drejtuar institucioneve shqiptare, por edhe faktorit ndërkombëtar. Dhe pas 10 javësh fjalimesh e deklaratash të artistëve, qytetarëve e specialistëve të arkitekturës, pritet që rezistenca të kalojë në një nivel tjetër, me shpresën që interesi publik të jetë më i madh se në këtë fazë të parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura