Shembja e Teatrit/ Ka kërcënuar aktorët me vendin e punës? Flet Hervin Çuli: Sjellje rrugaçërore…

Apr 20, 2018 | 12:24
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Në vitin 2002, ai ishte një nga firmëtarët kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, në vend të të cilit do të ndërtohej një kullë, e poshtë tij edhe një teatër. Pas 15 vjetësh, me plasjen e debatit, po për të njëjtën temë, Hervin Çuli heshti.

1390080640-culi

I ndodhur në një periudhë tranzicioni, ndërsa përfundoi mandatin si drejtor i TK-së dhe po merrte pjesë sërish në garën për kreun e këtij institucioni, mendoi se nuk do të ishte etike të shprehej ndërsa ishte në garë. Tashmë, posti i tij rikonfirmohet.

Hervin Çuli u rizgjodh drejtor, përkundër kandidaturave të Ema Andreas, Genci Fugës dhe Laert Vasilit. Pak ditë pas shpalljes së fituesit, Çuli, të cilit nuk iu desh të mblidhte sendet personale nga zyra, flet për gazetën “Panorama” për rikandidimin e tij dhe për çështjen e shembjes së godinës së TK, për të ngritur në vend të saj një të ri.

Çuli flet për gjendjen skandaloze të godinës së TK dhe skepticizmin te rekonstruksioni i saj. “Dua një teatër të ri, të mirë dhe sa më shpejt”, thotë ai.

Z. Çuli, rizgjidheni në postin e drejtorit të TK, përse rikandiduat për të drejtuar një institucion me jo pak probleme, dhe që tani është përfshirë edhe në një krizë për shkak të godinës së tij?

Rikandidova, sepse mendoj që nuk e kam përmbushur misionin tim për të vënë në jetë platformën time për një reformim rrënjësor të Teatrit Kombëtar. Jam i bindur që kam ende shumë për të bërë dhe kam besim tek energjitë e mia, për t’i çuar gjërat përpara.

Ju kandiduat me të njëjtën reformë me atë të 4 viteve më parë?

Platforma, me të cilën mora pjesë në garë, është në vijimësi të asaj që kam paraqitur 4 vjet më parë, duke shtuar të tjerë elementë, që përvoja e punës m’i ka imponuar t’i shoh me një tjetër këndvështrim. Pra, është në vazhdën e asaj reforme, por duke korrigjuar, duke shtuar, duke ristrukturuar disa politika bazë që ka institucioni. Platforma ndahet në dy kapituj: 17 arritjet e institucionit në 4 vjet dhe 17 premtimet për 4-vjeçarin në vijim.

Prej dy muajsh, rreth TK është ngritur një debat i gjerë, fillimisht në lidhje me zhvendosjen e aktorëve te “Turbina” dhe më tej për shembjen e godinës dhe ndërtimin e një teatri të ri, ndërkohë që ju ende nuk e keni shprehur qëndrimin tuaj mbi gjithë sa po ndodh. Përse kjo heshtje?

Jam përpjekur që gjatë këtyre dy muajve që kam qenë pjesë e konkurrimit, të jem i “ndershëm” me garën, që të mos ndikoj sadopak me qëndrimin tim personal në rizgjedhje. Do të ishte shumë e thjeshtë të dilja me shpatë në dorë dhe nesër të më interpretohej si zgjedhje e një alternative, që do të më çonte në fitore. Kjo periudhë, për të cilën ju flisni, nuk ka qenë normale për punën në Teatrin Kombëtar, nuk ka qenë normale as në syrin e opinionit publik, pasi ka pasur një debat të madh rreth ndërtimit të një godine të re për Teatrin Kombëtar, përkundër opsionit tjetër, që vjen nga një grupim i komunitetit, për rikonstruktimin e teatrit aktual. Por sot, unë mund të them edhe qëndrimin tim personal.

Cili është ky qëndrim?

Unë i qëndroj asaj që kam thënë që në vitin 2014, kur kam shprehur shqetësimin tim për gjendjen skandaloze, në të cilën ndodhet Teatri Kombëtar, se ka ardhur koha që Tirana dhe e gjithë Shqipëria të ketë një godinë të re për TK, një teatër të së
ardhmes. Më duket shumë i vështirë rikonstruksioni i një hapësire, që përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental, që e ka godinën në përdorim, pra, është pjesë e TK. Kjo, sepse degradimi i sallës aktuale të TK është i jashtëzakonshëm. Aktualisht punojmë në një godinë, që përveç problemeve infrastrukturore, të degradimit, ka edhe probleme të tjera me hapësirat, që i nevojiten këtij institucioni. Ne nuk kemi magazinë. Na nevojitet një hapësirë 5-fish më e madhe për depon e dekoreve. Nuk arrijmë të ndërtojmë një repertor, sepse nuk kemi hapësira për të vendosur dekoret e shfaqjeve. Kemi probleme me hapësirat e gardërobës, që është shumë e vogël, me një lagështirë të tmerrshme dhe kostumet rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi njëri-tjetrin, duke u kalbur. Kemi probleme të mëdha me rekuizitën e teatrit, me marangozin, mekanikun, piktorin.. Pra, është një institucion që i duhet minimalisht një hapësirë 5-fish më e madhe për sa më sipër. Për të kaluar te problemet e skenës. Ky është një teatër pa xhepa. Xhepat janë nga gjysmë metri, saqë aktorët përplasin kokën në muret që gjenden pas skene, pasi ashtu janë konceptuar që në atë kohë. Dhomat e aktorëve në katin e dytë dhe të tretë, janë shumë të vogla, të degraduara dhe që janë shumë pak për numrin e aktorëve të TK. Ato kërkojnë një rikonceptim të plotë. Kur bëjmë shfaqje, mblidhemi te dhoma e grimit. Kemi një problem pas teatrit, te studio e mizanskenimit, ku është bërë një investim skandaloz. Është një hapësirë, ku që nga parketi dhe të gjithë elementët e tjerë janë me defekte dhe probleme shumë të mëdha. Edhe arnimet dhe shtesat që janë bërë me kalimin e viteve, më shumë e kanë rënduar gjendjen e TK, se sa i kanë dhënë zgjidhje çështjes.

Gjithnjë e më shumë është thënë kohëve të fundit që teatri ndodhet në këtë gjendje për shkak të mungesës së investimeve…

Ky është një absurditet. Ne kemi pasur investime të pjesshme, emergjence. Kemi bërë ndërhyrje emergjence në skenë nga ana e “Torre Drinit”, sepse na u zhyt skena për shkak të ndërtimit të godinës në fjalë. U krijua një gropë në skenë, ku aktorët nuk kalonin dhe ne kemi bërë një investim emergjence për ta sjellë skenën në gjendje normale, por prapë, po të futesh poshtë teatrit, poshtë skenës shquhet lehtësisht se si mbahet skena aktuale e TK. Kemi bërë një investim emergjence te zdrukthëtaria, çatia e së cilës ishte në rënie. Kemi bërë kondicionimin e sallës mizanskenale, kemi investuar në ndriçimin e TK, e kemi gjetur pa mikser, ndërsa kemi shtuar prozhektorët, dhe sot kemi trefishin e atyre që kishim më parë. Por pavarësisht këtyre investimeve, nuk e shoh rikonstruksionin e plotë të skenës aktuale, si alternativë, që të përmbushë të gjithë parametrat që kërkon koha. Kemi probleme me shtangetat, me rotativat e shumë të tjera. Jam shumë skeptik për rikonstruksionin dhe jam partizan i ndërtimit të një teatri të ri, që i duhet kryeqytetit.

Biem të gjithë dakord që Tirana ka nevojë për një teatër të ri, po a nuk mund të ndërtohej ai në një tjetër vend dhe godina aktuale të ruhej si pjesë e historisë së teatrit apo të këtij qyteti?

Personalisht, nuk jam shumë i bindur se sa kjo skenë është një aset i rëndësishëm i historisë dhe trashëgimisë kulturore. Si drejtues i këtij institucioni, që jetoj përditë problemet e kësaj godine, më duhet të jem edhe pragmatist dhe të përfitoj nga vullneti i qeverisë, për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Nuk e di ku mund të gjendet në Tiranë një atelie, që me shpejtësi marramendëse, të kthehet në Teatër Kombëtar. Duke qenë pragmatist, unë dua të ndërtohet një teatër që t’u shërbejë edhe aktorëve në moshë, edhe brezit tim. Duhet shpejtësi në veprim, sepse me gjasë, me akuza dhe kundërakuza, kjo histori edhe pas 25 vjetësh do të mbetet në të njëjtën gjendje. Do të vazhdojmë luftën për interesa të caktuara dhe do të mbetemi pa Teatër. Unë jam drejtues artistik i këtij institucioni. Çështjen e godinës e di më mirë Qeveria, Ministria e Kulturës, ndërsa mua më intereson një teatër i ri, i mirë dhe sa më shpejt, për të shpëtuar njëherë e mirë nga kjo gjendje. Është bërë investim te “Turbina”, çka duhet përshëndetur, sepse është ngritur një tjetër atelie në Tiranë, që nesër nuk do t’i përkasë TK, por kryeqytetit. Dhe me këtë qendër të re, me një Teatër të ri Kombëtar nesër, me Metropolin, sallën e Akademisë së Arteve, që po ashtu ka nevojë për një ndërhyrje rrënjësore, kemi më shumë mundësi për artistët.

Siç e thatë dhe ju, kushtet e kësaj godine kanë qenë që herët të këqija, megjithatë ju jeni një nga firmëtarët kundër shembjes së saj, vite më parë. Çfarë ka ndryshuar, duhet të bëheshin drejtor që të ndryshonit mendim?

Ishte viti 2002 dhe alternativa e ofruar asokohe ishte për ndërtimin e teatrit poshtë kullave, dhe në atë moment, duke gjykuar që ishte diçka e tejkaluar, isha kundër. Madje, edhe sot, nëse më pyet që a pranon një Teatër të ri Kombëtar nën një kullë, sërish do të thosha jo dhe do të isha në radhën e atyre që do të ishin kundër kësaj alternative. Por sot jemi në një gjendje tjetër, që nuk do të kemi një teatër poshtë kullave, por që do të ketë hapësirat e tij. Sa do jetë kjo hapësirë, nuk më takon mua ta them, por qeverisë shqiptare.

E megjithatë, kulla do të ketë, madje, nga sa kemi parë, 7…

Di që është vetëm një propozim i parë. Thjesht do të doja që ai që do të ndërtohej të përmbushte nevojat që përmendëm më sipër në hapësira, magazine, infrastrukturë, teknologji, etj.

Përse nuk u hap një konkurs për ndërtimin e godinës së re?

Nuk e përjashtoj faktin që do ketë dhe propozime të tjera.

A jeni pyetur ju dhe stafi juaj për nevojat e institucionit apo edhe për nevojën e një godine të re?

Në të gjitha shkresat zyrtare dhe daljet e mia publike që prej vitit 2014, gjithnjë kam shprehur shqetësimin tim të jashtëzakonshëm për gjendjen e teatrit dhe kam shprehur dëshirën për një godinë të re për Teatrin Kombëtar.

A bini ju dakord, që kjo ndërtesë paraqet rrezikshmëri për shëndetin e aktorëve dhe publikut?

Që në vitin 2014, i kam kërkuar Ministrisë së Mjedisit matjen e parametrave të materialeve të ndërtimit, deri tek ajri që qarkullon brenda ambienteve të TK. Po ashtu, edhe Institutit të Shëndetit Publik dhe nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Unë nuk mund të flas për këtë lloj rrezikshmërie, por një skenë e tillë, që ka vite e vite të tëra në këtë gjendje, nuk ofron kushtet më të mira për aktorët dhe publikun. Ne kemi trashëguar një teatër skandaloz, që vetëm për arnime kërkon një investim kolosal, por a na mjafton ne një arnim? A i keni parë muret e varura të teatrit? A nuk depërton lagështira në to?

Gjatë takimit të radhës së Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e TK, pjesëmarrësit bënë një “inspektim” të faqes anësore të TK dhe u fol dhe për një dëmtim të qëllimshëm të saj..

Ky është një absurditet. Kur është bërë rikonstruksioni i godinës ngjitur, mund të ketë ndodhur ndonjë goditje aksidentale gjatë punimeve dhe vendosjes së skelave. E meqë i kanë parë vetë gropat, si mund të riparohen ato në mënyrë të pjesshme? Me populit?

Nuk mund të merrni shembull nga institucioni përbri, që dukshëm është më i “shndritshëm” se Teatri Kombëtar?

Vazhdimisht krahasohen këto dy godina, pra TK dhe ai që drejton Kiço Londo, i cili i është nënshtruar rikonstruksionit… Ju mendoni se në krahun tjetër është ruajtur trashëgimia? Jo, nuk është më i njëjti teatër. E gjithë ajo godinë, ku sot ndodhet “Eksperimentali”, nuk është më godina e ’39-ës, që ne e bërtasim me të madhe. Aty është bërë një teatër spartan, i improvizuar, jo me materialet origjinale, me tulla dhe llaç, duke qenë më e thjeshtë për t’u realizuar dhe për t’i bërë funksionale ato ambiente.

Po në këtë takim, ju u akuzuat se “u keni mbyllur derën e teatrit”, Sindikatës së Artistëve të TK dhe pjesëmarrësve në këto tubime, edhe pse e keni detyrim ligjor. Është e vërtetë?

Ky është një mashtrim i hapur. Sa herë që në rrugë zyrtare apo gojore, me telefonata, më është kërkuar të vë në dispozicion sallën e provave të Teatrit Kombëtar, gjithnjë ua kam lejuar. Skenën unë nuk mund ta jap, sepse ajo është për shfaqje, për prova. Si mund ta jap unë skenën çdo të hënë, javë për javë, kur punëtorët janë pushim dhe është e nevojshme të hapen dritat dhe të vë njerëz në dispozicion?! Unë sallën e konsid
eroj vetëm për shfaqje dhe jo për tubime politike. E kam detyrim ligjor që t’i vë në dispozicion Sindikatës, një ambient për t’u lehtësuar aktivitetin. Mund t’u vëmë në dispozicion gjithë dokumentacionin e mundshëm për këtë rast, kërkesat me shkrim dhe përgjigjet zyrtare, edhe pse shpesh ka funksionuar edhe pa kërkesë zyrtare, por me anë të telefonit. Sa herë të kem kërkesa zyrtare, do t’u vë në dispozicion ambiente të tjera, por jo skenën.

Në vazhdën e akuzave, është folur edhe që ju keni “kërcënuar”, qoftë edhe përmes kontratës së punës, aktorët që të mos marrin pjesë në tubimet për mbrojtjen e godinës së TK…

Do të doja që një person konkret të dalë e të më thotë se, jo që e kam “kërcënuar”, por që ia kam përmendur ndonjëherë këtë fakt. A mund ta thonë këtë Vasjan Lami, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, me të cilët unë komunikoj? Këto janë mashtrime dhe sjellje rrugaçërore të njerëzve që kanë problem me institucionin, me etikën. Sa i takon pjesës së heshtur dhe më të rëndësishme të TK, ata e kanë mendjen te puna dhe jo gjetkë.

Do t’ju vinte keq nëse do të kujtoheshit si drejtori që shembi godinën e Teatrit Kombëtar?

Jo, do të më pëlqente shumë të mbahesha mend si drejtori që ndërtoi Teatrin e ri Kombëtar.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura