Shembja e Teatrit edhe me “ekspertizë”: Ka beton e hekur të dobët

Mar 30, 2018 | 16:11
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/“Objekti është konceptuar si një strukturë e lehtë dhe e përkohshme; themelet janë të vazhduara dhe të cekëta; betonet e përdorura dhe hekuri janë të markave të ulëta; ndë- rhyrjet ndër vite si shtesa, rikonstruksione, etj., kanë përkeqësuar punën e konstruksionit të objektit”.

Godina e Teatrit Kombëtar e projektuar nga italianët në 1936
Godina e Teatrit Kombëtar e projektuar nga italianët në 1936

Këto janë disa nga përfundimet në të cilat kanë dalë ekspertët e Institutit të Ndërtimit mbi godinën e Teatrit Kombëtar. Përfundime këto, që duket se i vënë vulën një herë e mirë shembjes së Teatrit Kombëtar. Edhe pse shembja nuk jepet si zgjidhje, nuk ofrohet si zgjidhje as rikonstruksioni i TK-së, i cili sipas studimit në fjalë, mund të bëhet vetëm i pjesshëm dhe jo tërësor. Madje, “edhe nëse kryhet rikonstruksioni i saj, sado i kushtueshëm dhe i thellë të jetë, nuk e sjell atë në kushtet optimale teknike të sotme, sipas kodeve të projektimit”.

E akuzuar se nuk ka ndërmarrë asnjëherë ndonjë studim mbi gjendjen e godinës së TK-së, çka e ka pranuar edhe ajo vetë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duket se e ka porositur një syresh me të shpejtë. Në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kumbaro citoi një studim të Institutit të Ndërtimit. Sipas saj, ka qenë “drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, që i është drejtuar Institutit të Ndërtimit, i cili ka të drejtën e plotë për të bërë një ekspertizë zyrtare, edhe një skanim të godinës”. Pas përfundimit të ekspertizës, kjo e fundit i është paraqitur Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Drejtorja e IMK-së, Arta Dollani, u tregua e gatshme të na ofrojë një përmbledhje të materialit të zgjeruar, të njëjtin material që ia ka dorëzuar edhe Ministrisë së Kulturës. Sipas këtij studimi, godina aktuale e TK-së, nuk përmbush asnjë standard bashkëkohor. Ajo nuk është e “përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve për të cilat është projektuar. Ato janë pothuajse jashtë normave të projektimit të godinave të këtij lloji. Ambientet nuk ofrojnë kushte optimale jo vetëm për stafin, por edhe për spektatorët”.

Përveçse paraqet një infrastrukturë të papërshtatshme, ekspertët e cilë- sojnë edhe arkitekturën e saj, pa ndonjë vlerë të veçantë, në kuadrin e ndërtimeve të kohës. Po ashtu, sqarohet se godina e TK-së është ndërtuar për të qenë e përkohshme dhe asnjëherë nuk është parë e arsyeshme të shpallet monument kulture, apo të ketë pasur status mbrojtjeje si godinat e ndërtuara në të njëjtën periudhë. Të gjitha këto rezultate: i përkohshëm, i amortizuar, i papërshtatshëm, i parikonstruktueshëm, pa një arkitekturë të veçantë dhe pa status mbrojtjeje, e çojnë qartësisht Teatrin Kombëtar drejt “gijotinës”.

Arkitekti: Si u ndërtua rrethi-italo-shqiptar “Skanderbeg”

Ndërsa Instituti i Ndërtimit deklaron se godina e TK-së është ndërtuar për të qenë i përkohshëm me një beton dhe hekur të markave të ulëta, arkitekti Arben Biçoku, pak ditë më parë u shpreh se kjo nuk është e vërtetë. “Nuk është një objekt i përkohshëm. Boll të përmendim materialet me të cilat është ndërtuar.

Është ndërtuar me kolona betonarme. Nuk ndërtohet betonarmeja për përkohshmëri, ndërsa mbulesa që është me kapriata druri, pedagogu i shquar i materialeve të ndërtimit në Universitetin Politeknik, Fisnik Kadiu, më ka thënë këto ditë që, ‘i kemi bërë analizat dhe janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë, sikur janë bërë sot'”, u shpreh ai gjatë një takimi të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Ai po ashtu vlerësoi arkitekturën e TK-së, si një vazhdim i tendencave moderniste që u shfaqën në vitet ’30-’40, në Tiranë. Një qendër e vërtetë kulturore me salla teatri, kinemaje, vallë- zimi, restorante, pishinë, etj.. Ende sot ruhen fotografitë e kohës, që dëshmojnë për këtë qendër multifunksionale, moderne, për kohën. “Kjo ndërtesë, që u quajt rrethi-italo-shqiptar “Skanderbeg”, i destinuar për aktivitete kulturore, që kishte sallë teatri, kinemaje, restorant, sallë balloje, pra, një qendër me funksione rekreative dhe është vijuar me një sërë kompleksesh, me sheshin “Nënë Tereza”, me Kryeministrinë, me hotel “Dajtin”, që janë të gjitha të frymës moderne, bazuar mbi stilin racionalist.

Kjo ndërtesë, përveçse sjell një arkitekturë, për kohën, moderne, e zhvesh më shumë dekoracionin. Këtë tentonte arkitektura moderne dhe racionaliste, të zhvishte arkitekturën nga dekoracioni dhe ta bënte gjuhën sa më njerë- zore, sa më të përmbajtur. Por ky objekt ka edhe një element tjetër shumë të rëndë- sishëm, pasi tentoi të shkonte drejt modernizimit të teknologjisë, që deri në atë kohë nuk ishte parë në Shqipëri. Është objekti i parë i parafabrikuar. Koncepti mbi të cilën është ndërtuar kjo godinë, është të përgatitej sa më shumë punë në fabrikë dhe sa më pak punë në kantier, për ta ndërtuar sa më shpejt dhe me një fond më të vogël”, u shpreh arkitekti Biçoku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura