Shembja e “Prestige Resort”/ Ish ministri i PS në Panorama TV: Goditje për shkak të mediave, e tha edhe DASH. Shqiptarët do të paguajnë sërish si në rastin e Bechettit

Mar 29, 2023 | 19:55
SHPËRNDAJE

Ish ministri Arben Malaj ka komentuar sulmin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ndaj Prestige Resort duke e cilësuar atë një lëvizje për shkak të linjës editoriale të mediave në pronësi të “Hysenbelliu Group”.

shembet-prestige-resort

Në një intervistë në Panorama TV, Malaj u shpreh se qeveria duhet të kuptojë se gjithçka duhet të bazohet në ligj dhe jo në urdhra të momentit që mund të shkojnë deri në shkatërrim të pronës private.

“Ndikimi është shumë negativ aq më tepër të marrin rastin e “Prestige Resort”. Ishte DASH që tha goditja që ju bë kompanisë ishte për shkak të ndikimit të mediave. Qeveria duhet të kuptoj që gjithçka bazohet në ligj dhe nuk mund të bëhet me urdhra të momentit deri në shembje dhe shkatërrim të pronës private”, tha ai.

Malaj mori rastin e mbylljes së televizionit Agon Channel dhe theksoi se shqiptarët do të detyrohen të paguajnë sërish për shkak të vendimeve arbitrare të qeverisë.

“Le të marrim rastin e TV Bechetit. Janë 120 mln euro që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. E njëjta gjë ndodhi me pallatin në Vlorë ku familja e zotit Basha ndoqi të gjitha hapat ligjorë. Jam i bindur që e njëjta gjë do të ndodhë në rastin e Prestige Resort dhe do të duhet që shqiptarë të paguajnë shumë të mëdha. Ka një lloj ndikimi edhe te biznesi i vendit.

Siç ishte akciza e birrës së nxjerr nga tregu prodhimin vendas dhe i hap tregun importit. Mallrat e akcizës kanë një konkurrencë. Kjo bëhet ose për të nxjerrë inatet e momentit ose të favorizosh produktet e importit. Me importin është një mall që hyn dhe krijon politika penalizuese ndaj biznesit vendas. Është e lehtë ta nxjerrës inatin e momentit por problemi është kush do i paguajë këto kosto kaq të rënda”, deklaroi Malaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura