Shembën 3 godina me leje në Tiranë, inspektorët e INUK në gjyq

Apr 27, 2015 | 15:43
SHPËRNDAJE

Dy inspektorë të INUK, Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, janë dërguar në gjyq me akuzën “shpërdorim detyre” në lidhje me shembjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë.

Ata akuzohen se në mënyrë të paligjshme kanë plotësuar procesverbalet e konstatimit dhe kanë bërë shembjen e godinave me leje ndërtimi e me certifikatë pronësie. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen penale ndaj inspektorëve Bulent Mulla dhe Gjon Gjoka. Ndaj tyre mësohet se janë bërë tre kallëzime penale në datat 31 tetor 2014 dhe 7 janar 2015.

Foto Ilustruese, aksion i INUK-ut

Ndërkohë pas marrjes së tre kallëzimeve, në datën 14 shkurt 2015, Prokuroria ka vendosur regjistrimin e procedimit penal ndaj dy inspektorëve të INUK. Ata akuzoheshin nga qytetarët e Tiranës për shpërdorim detyre gjatë shembjes së ndërtimeve të konsideruara pa leje edhe pse godinat në fjalë kishin pjesërisht dokumentacion ligjor.

RRUGA E ELBASANIT

Rasti i parë i hetuar nga Prokuroria e Tiranës është ai kur INUK ka bërë shembjen e një godine pa paralajmërim në rrugën e Elbasanit, në kryeqytet. Godina ishte në pronësi të Përparim N.

“Objekti është shembur pa paralajmërim në tetor 2014, ndërkohë që përpara shembjes, pronari i banesës ka komunikuar me inspektorët dhe u ka treguar lejen e legalizimit me nr.9603, datë 9 shtator 2013. Ai u ka bërë të qartë se ka aplikuar në Hipotekë për certifikatë pronësie, por edhe pse janë njohur me këto fakte, sipas Prokurorisë, inspektorët e INUK nuk i kanë marrë në konsideratë, duke vazhduar shembjen e objektit. Sipas pamjeve filmike, i pranishëm në shembjen e objektit ka qenë inspektori i zonës, Bulent Mullaj, thekson Prokuroria.

RASTI I DYTË

Episodi i dytë, për të cilin akuzohen inspektorët e INUK, ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Në datën 1 tetor 2014, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, pa paralajmërim i ka shembur banesën shtetases Ilirjana B. Kjo e fundit, para se inspektorët t’i shembnin banesën, ua kishte bërë të qartë atyre se për objektin dispononte certifikatën e pronësisë nga Hipoteka bashkë më truallin ku ndodhej godina.

Pavarësisht këtij fakti, inspektorët e INUK nuk janë tërhequr, por kanë shembur godinën, ndërsa nga hetimi del se pronarja ka dokumentacion certifikatë pronësie për 100 m2 ndërtesë dhe 170 m2 truall të regjistruara në janar 2013 në Hipotekë. Në këtë rast, procesverbalet e mbajtura për objektin në fjalë janë firmosur nga inspektorët Bulent Mullaj dhe Gjon Gjeka.

RASTI I TRETË

Rasti tjetër, për të cilin akuzohen inspektorët e INUK, ka ndodhur në datën 23 tetor 2014, në banesën e shtetasit Hamdi K, në bulevardin “Petro Nini Luarasi”. Pa paralajmërim, INUK ka shembur aty një banesë në pronësi të banorit nga Tirana, i cili para se t’i rrafshohej ndërtesa u ka bërë me dije punonjësve të INUK se kishte dokumente të rregullta.

“Qytetari u ka bërë me dije inspektorëve se ndërtesa është ngritur në vitin 1996 mbi bazën e lejes së ndërtimit dhe trualli ku ndodhej kjo godinë ishte në pronësi të tij”, theksoi Prokuroria.

Sipas saj, dokumentacioni i paraqitur nga pronari i objektit nuk është marrë në konsideratë nga dy të akuzuarit Bulent Mullaj dhe Gjon Gjeka. Për këtë arsye, ndaj tyre është ngritur akuza shpërdorim detyre, ndërsa dosja penale është dërguar në Gjykatë.

Trazhgim Sokolaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura