“Shekspirotët” e Idlir Azizaj shpallet “Vepra më e mirë” për 2016

Dec 7, 2017 | 14:30
SHPËRNDAJE

Idlir Azizaj dhe Diana Kastrati janë fituesit e Çmimit të Madh të Letërsisë. Në një ceremoni të zhvilluar në sallën e Teatrit të Kukullave, u ndanë çmimet letrare të ndara nga Ministria e Kulturës.

cmim

Pas prezantimit të të gjithë kandidatëve për çmimin “Përkthimi më i mirë”, erdhi radha e shpalljes së fituesit. Dhe ishte pikërisht “Kanali Musolini (shtëpia botuese “Dituria”), përkthyer nga Diana Kastrati, “për sjelljen në një shqipe sa të bukur e të pastër, aq shprehëse dhe të begatë të romanit”.

“S’isha përgatitur as për fitoren dhe as për humbjen. Është romani që më ka sjellë dhimbjet dhe kënaqësitë më të mëdha”, tha ndër të tjera Kastrati, duke ndarë me të pranishmit paragjykimin që kishte pasur për së pari për këtë vepër e që më pas iu kthye në një kënaqë- si pune dhe zbulim.

cmim1

Më tej u prezantuan kandidatët e çmimit “Vepra më e mirë e letërsisë shqipe”, ndërsa emrin e fituesit e shpalli ministrja Mirela Kumbaro. Duke u shprehur se në këtë natë, bashkë me çmimet vinin edhe tri lajme të mira, Kumbaro tha se së pari emrat e kandidatëve “janë 10 autorë që i kam njohur që në krijimet e para, në 10-15 vitet e fundit, që s’mund të quhen autorë të rinj, por të konsoliduar, që i japin dritë dhe shpresë letërsisë shqipe, që nga Agron Tufa te Romeo Çollaku.

Lajmi i dytë i mirë është konfirmimi që përkthyesi është definitivisht një shkrimtar”, tha Kumbaro, duke shpejtuar të thotë se pavarësisht nga të qenët ministre, të qenët përkthyese vazhdon edhe përtej mandateve. Ndërsa lajmi i tretë lidhej me “10 ftesa të bukura nga anëtarët e jurisë, për të lexuar këta libra. Nuk ia kam pasur zili jurisë, pasi duhet ta kenë pasur shumë të vështirë”.

Ndonëse shprehu simpatinë e saj për “Mjalt në teh” të Romeo Çollakut, që më herët gjatë prezantimit Primo Shllaku e quajti “Romeo të dy Zhuljetave”, pasi ishte kandidat në të dyja kategoritë, Kumbaro shpalli emrin fitues: Idlir Azizajn. “Vepra më e mirë e letërsisë shqipe” për vitin 2016, i jepet shkrimtarit Idlir Azizaj, për veprën ‘Shekspirotët’, të shkruar në një zhanër që ndërthur imagjinatën groteske me peizazhin dramaturgjik. Rezultati është një tekst ku thuren me nerv dhe humor të zi në unitet mjedisi i trazuar shqiptar i shekullit XXI me një stil moderniteti”, lexoi Kumbaro motivacionin.

“Jam munduar shumë në këto novela dramaturgjike t’i shkëputem asaj që ndodh rëndom, duke iu qasur kohës së Shekspirit, të bëj një Hamlet të kohëve të sotme, të kthehem drejt origjinave, t’i jap tekstit një kornizë më arkaike”, tha ai ndër të tjera. “Shekspirotët” është botuar nga shtëpia botuese “Toena”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura