Shehi rrëfen 5 muajt e parë si trajner: S’kam më kohë të lirë, ju tregoj ndeshjen më të mirë dhe më të dobët

Nov 16, 2018 | 15:51
SHPËRNDAJE

Ka hyrë në muajin e pestë si trajner dhe duket se ky rol po i merr shumë kohë Orges Shehit. Edhe pse si kapiten kishte përgjegjësi të mëdha, në “timon” pushimet i ka harruar.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, durrsaku i stolit të Skënderbeut analizon 13 javët e para dhe flet për objektivat. Titulli sigurisht mbetet synim, por edhe promovimi i talenteve duket se i intereson 41-vjeçarit. Gjatë intervistës së dhënë, ai evidenton se një ndër ndeshjet më të mira që ka bërë ekipi i tij është ndaj Partizanit, ndërsa më e dobëta kundër Kamzës.

Shehi

Skënderbeu përtej ndonjë gabimi, vazhdon të shohë nga kreu. I mundshëm titulli këtë vit?

Në kampionat gjithmonë do të ketë gabime dhe ato janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë. Ne shohim gjithmonë përpara dhe e rëndësishme është që të rikuperosh menjëherë hapat fals dhe të rikthehesh te fitorja. Ne kemi një objektiv të përcaktuar që në fillim, për të bërë sa më mirë në një sezon të nisur me shumë ndryshime dhe me shumë lojtarë të rinj e të talentuar. Promovimi i tyre mbetet objektivi tjetër. Besoj se deri tani kemi bërë mirë.

Lufta duket sikur është përqendruar vetëm me Partizanin, është vërtet kaq i fortë si rival ekipi i kuq?

Jo, nuk mund të themi se është një luftë vetëm mes nesh dhe Partizanit. E gjithë kjo ide është krijuar prej diferencës në pikë mes dy vendeve të para dhe ekipeve të tjera që janë pas, por do të ishte paragjykim nëse do ta mendonim kështu. Por, të jeni të bindur se në një kampionat gjërat ndryshojnë shpejt.

Në gjithë këto vite që jeni në Korçë, si lojtar dhe tani si trajner, cili ka qenë ekipi që gjithnjë e keni cilësuar të frikshëm?

Nuk mund të them me bindje, që po është një ekip. Me kalimin e viteve dhe nuk janë pak, por 8 vite, rivalët kanë qenë të ndryshëm. Fillimisht mund të them se kanë qenë Flamurtari me Teutën ekipet që i kemi pasur rivalë. Më tej, Partizani dhe Kukësi kanë qenë ekipet, me të cilat kemi luftuar më së shumti. Të gjitha kanë qenë aty-aty, ndaj nuk mund t’i ndaj dot.

Si kanë qenë këto 13 javë në stol?

Është një kampionat i mbushur me javë pozitive, ku ne kemi arritur të marrim pikë mjaftueshëm dhe kemi një pozicion të mirë në renditje. Duhet të them se me një diferencë prej dy pikësh nga vendi i parë, jemi të bindur që mund të bëjmë akoma edhe më mirë. Kjo na bën që të ecim dhe të shohim përpara.

Më mirë kapiten apo trajner?

Janë eksperienca të ndryshme, por pa dyshim që të dyja janë shumë të bukura dhe mjaft të këndshme. Fillimisht, si kapiten ishte një ndjesi e veçantë. Ndërsa, tani si trajner është një përgjegjësi më e madhe. Jeton gjithmonë me futbollin dhe je gjithmonë në punë. Ka më shumë impenjim dhe më pak kohë të lirë, pasi të duhet gjithmonë të mendosh për lojtarët dhe për ndeshjen e radhës.

Çështja e KAS-it, sa po ndikon te ju?

Një çështje e tillë normalisht që na prek, pasi përveçse jemi në fushë, kemi dëshirën dhe bindjen që kjo punë të mbyllet sa më shpejt dhe pozitivisht për ekipin. Unë jam i bindur se Skënderbeu e ka ankimuar në KAS dhe prej andej presim të marrim lajme të mira. Nuk e di se kush është i interesuar për të shpërqendruar situatën në Korçë dhe bën të tilla detaje që nuk kanë asnjë sens.

Nëse do kishit mundësi të ndryshonit diçka nga ndeshjet e deritanishme, çfarë do bënit ndryshe?

Gjithmonë ka vend për ndryshime dhe çdo trajner apo ekip mendon sesi mund të ndryshojë më mirë ekipin e vet. Kemi pasur edhe ne momente kur nuk kemi dhënë më të mirën tonë dhe kishim mundësi ta bënim apo moment kur nuk kemi marrë pikët që donim të merrnim.

Ndeshja më e mirë që keni bërë deri tani?

Ndeshja më e mirë ka qenë ajo ndaj Flamurtarit në Vlorë dhe ajo me Partizanin në javën e parë në Korçë. Kam parë një ekip të lidhur dhe që dinte të bënte çdo gjë në mënyrë perfekte.

Po më e dobëta?

Më e dobëta ishte ajo që kemi luajtur në shtëpi kundër Kamzës.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura