Shehi pret 2 mesfushorë, presidenti Takaj: Lojtarët vijnë e ikin, ne fitojmë se e marrim seriozisht

Aug 28, 2018 | 23:07
SHPËRNDAJE

Pas përfundimit të takimit Kastrioti Skënderbeu, ku ekipi korçar fitoi pastër me rezultatin 0-3, presidenti i kampionëve, Ardian Takaj, tha për gazetën se Skënderbeu nuk ka ndryshuar, por do të arrijë të shpallet sërish kampion.

“E kemi deklaruar se Skënderbeu është aty. Ne nuk i kemi ulur pretendimet asnjëherë. Skënderbeu nuk do jetë jashtë pretendimeve për trofeun, pavarësisht asaj që thuhet. Lojtarët kanë ikur, kanë ardhur prapë… Do të vazhdojmë kështu për më tej. Dy fitore radhazi? Fillimi i mbarë për ne është pjesë e seriozitetit të Skënderbeut. Nuk është viti i parë që e nisim kështu sepse gjithmonë Skënderbeu kështu e fillon. E merr me seriozitet kampionatin, pasi kampionati është shumë i rëndësishëm, jo vetëm te ne, por në të gjithë vendet e Europës”, tha Takaj për “Panorama Sport” pas ndeshjes.

takaj

SITUATA NË KLUB

Dy fitore në po kaq ndeshje në kampionat dhe një në Superkupë nuk janë pak për një ekip që është riformatuar së fundmi dhe kërkon të konfirmohet si kampion në fuqi i këtij sezoni. Gjithsesi, pavarësisht ndryshimeve, Skënderbeu i Shehit duket i kompletuar në formacionin bazë që hedh në fushë. Këtë e tregon mjaft mirë edhe loja me grintë, por edhe shumë dëshirë për të fituar. Ngërçi i vetëm i kampionëve në fuqi, që drejtohen nga ishkapiteni bardhekuq, është stoli i rezervave. Me shumë pak alternativa për të hedhur në fushë që të ndryshojnë ritmin e një takimi, ku vetëm Lulaj duket se ka potencialin dhe eksperiencën për të qenë titullar, Skënderbeu mbetet disi i brishtë. Një gjë të tillë e di fort mirë edhe trajneri Shehi, prandaj po kërkon me çdo kusht afrime cilësore për të blinduar më shumë ekipin dhe për ta bërë më jetëgjatë për sa u përket emergjencave që mund të lindin.

MESFUSHA

Reparti i mesfushës duket se është “thembra e Akilit” të këtij ekipi, që gjithsesi nuk po njeh stepje. I ndërtuar aq mirë nga ana e Orges Shehit, Skënderbeu po jep maksimumin e mundshëm, por është diçka që duket me sy të lirë. Veç Muzakës, Ditës dhe Demtes, me largimin edhe të Nimagës, tani si alternativa në mesin e fushës ka pak për të mos thënë aspak. Kjo ka sjellë që Sambou dhe Lulaj në dy takimet e para të përshtaten si mesfushorë para mbrojtjes, me qëllim që t’u japin frymëmarrje titullarëve. Jo më kot edhe synimet e trajnerit janë afrimi i dy mesfushorëve që do të forcojnë dhe kompletojnë këtë repart.

AFRIMET

Që Shehi nuk kërkon thjesht lojtarë për të mbushur ekipin, kjo duket qartë, madje u pa edhe nga skarcimet e bëra nga trajneri bardhekuq, pavarësisht numrit të pakët të lojtarëve që ka në ekip. Mirëpo, cilësia dhe rritja e konkurrencës është kërkesa kryesore e trajnerit. I tillë është edhe afrimi i Eskerdinjës, nëse ndodh. Braziliani ka treguar potencialin e tij te Skënderbeu dy sezone më parë, kur u largua për shkak të “qokave” dhe jo në unanimitet. Shehi një gjë të tillë e dinte mirë, madje aq mirë saqë e priti me krahë hapur kërkesën e lojtarit për t’u kthyer sërish. Me Eskerdinjën Skënderbeu dukshëm fiton në cilësi dhe një lojtar që mund të bëjë diferencën në kampin bardhekuq. Pritet tashmë vetëm përgjigjja përfundimtare nga ana e brazilianit, teksa ky afrim nuk do të mbyllë përfundimisht merkaton në Korçë. Negociatat kanë ecur shumë mirë dhe po punohet intensivisht për federimin e tij.

SHKËLQIM HASANI LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura