Shehi optimist: Na mungon Europa, me “senatorët” u forcuam dhe do të mbrojmë titullin

Jul 16, 2018 | 15:28
SHPËRNDAJE

Orges Shehi shpreh keqardhje për rezultat negative të skuadrave shqiptare në arenën europiane. Trajneri i Skënderbeut tregohet i sinqertë kur thotë se ndihen “bosh” pa Kupat e Europës. I ftuar në “RTSH Korça”, ish-kapiteni është ndalur gjatë te kjo pjesë, por edhe te skuadra e tij. Ai deklaroi se me rikthimin e titullarëve, bardhekuqtë që do të garojnë sërish për objektivat madhorë.

shehi

“A na mungon Europa? Kjo as që nuk diskutohet. Kjo skuadër gjatë gjithë këtyre vite ka lënë gjurmë në Europë, duke luajtur edhe në grupe. Vjet kemi pasur kulmin tonë, duke qenë pretendentë për të kaluar edhe më tej. Kjo nuk është arritje vetëm e jona, pasi edhe koeficienti i Shqipërisë ngrihet. Skënderbeut i mungon Europa, ashtu siç i mungojmë dhe ne Europës. Është një arritje e madhe që ne kemi bërë dhe nuk kemi nderuar apo ngritur vetëm nivelin e futbollit në Korçë, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

Shehi

Na vjen keq për ekipet e tjera, pasi donim të ecnin para, sikundër kemi bërë ne. Sa u përket rikthimeve të ‘senatorëve’, jam i kënaqur. Me titullarët bëhemi ekipi më i fortë. Ne jemi skuadër që kemi dalë 7 herë kampion në 8 vitet e fundit. Na vjen mirë që po kthehen lojtarët. Jam i bindur që në ditët në vijim, ekipi do të bëhet më i plotë dhe sigurisht që objektivi nuk ndryshon, pasi te Skënderbeu, titulli kampion është ai që kërkohet gjithmonë”, përfundoi trajneri.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura