Shehi: As nuk e nënvlerësuam Kamzën, as nuk ishim të lodhur. Partizani vlen 3 pikë si të gjithë

Sep 20, 2017 | 22:50
SHPËRNDAJE

Orges Shehi parashikon një kampionat të fortë. Kapiteni i Skënderbeut, dje në një konferencë për shtyp, deklaroi ndër të tjera se barazimi në Kamzë e tregoi edhe një herë se nuk ka ndeshje të lehta. Nga ana tjetër, ai bën me dije se, mes kampionatit dhe Europës, për Skënderbeun është një rrugëtim që mund të përballohet në mënyrën më të mirë.

shehi1

Shehi, ndaj Kamzës nuk arritët më shumë se një pikë. U zhgënjyet?

Sigurisht që ishte një ndeshje që ne do të donim ta fitonim dhe, për tri pikë, shkuam në Kamzë. Nuk kemi qenë ekipi që pritej në fushën e lojës dhe ajo që mund të veçoj, është se nuk ishim agresivë. Nëse do të kishim bërë mirë gjithçka mirë, sot do të ishim në krye me gjashtë pikë, por që gjithsesi Kamza për mua dhe për shokët e skuadrës është një kapitull i mbyllur dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera.

Mos ndoshta Skënderbeu e nënvlerësoi Kamzën dhe ndodhi kjo që ndodhi?

Jo, nuk besoj që ishte një gjë e tillë. Unë e theksova që nuk ishim agresivë në fushë. Por, pas golit që pësuam, reaguam dhe krijuam disa raste, pavarësisht se koha nuk ishte shumë e gjatë deri në fund. Mbi të gjitha, nuk patëm edhe fat që të dilnim me tri pikë nga Kamza.

Skënderbeu luan në tre kompeticione, a ndikon lodhja?

Edhe kjo nuk ndikoi. Nuk e kemi treguar në asnjë moment në fushë që ishim të lodhur, pasi ne dominuam dhe miqtë shumë pak na u afruan në zonën tonë, sepse bëmë presion dhe e mbajtëm kundërshtarin larg. Skuadra ishte e freskët dhe dominimi është një tregues jo fort i vogël.

Pas këtij barazimi vjen radha e Partizanit dhe, më pas, udhëtoni drejt Kukësit. Duket se kanë nisur “maloret”?

Për ne të gjitha ekipet kundërshtare vlejnë tri pikë. Edhe Kamza vlente po aq pikë sa ne do të kërkojmë në çdo ndeshje në vazhdim, por ja që ka edhe hapa të gabuara, pasi ndryshe një skuadër nëse bënte gjithçka perfekte në çdo ndeshje, titulli mbyllej që në dhjetor.

Nuk ka rëndësi kë do të kemi përballë, pavarësisht se do të jetë Partizani kundërshtari i radhës. E rëndësishme është që në fushë të kemi një “marsh” më shumë dhe këtë do ta tregojmë ndaj të kuqve në fundjavë. Ne jemi një ekip që nuk qëndrojmë të “qajmë” ato që ikin, sepse nuk ia vlen një gjë e tillë. Shikojmë vetëm përpara dhe për ne nga ky moment do të flitet vetëm për Partizanin dhe për asnjë kundërshtar tjetër.

Duket se e keni detyrim rikthimin te fitorja?

Sigurisht që unë e theksova edhe më sipër që, si ndaj çdo kundërshtari edhe ndaj Partizanit, do të futemi me tri pikë në fushën e lojës. Kemi kohë për ta përgatitur këtë 90-minutësh dhe shpresojmë që do ta arrijmë objektivin.

Skënderbeu ka katër pikë, ndërsa të kuqtë vetëm një. Ju bën përshtypje?

Janë luajtur vetëm 180 minutat e para dhe është shumë shpejt për të folur se kush është në krye dhe kush në fund. Nuk është tregues situata në renditje. Me Partizanin ne do të kërkojmë të bëjmë detyrën, aq më tepër që luajmë në shtëpinë tonë, atje ku sigurisht nuk na lejohet asnjë hap i gabuar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura