Shegushe Bebeti, aktorja e dashur e fëmijëve, nga gëzimi i fëmijëve te dhimbja e të rriturve

Jun 9, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Mund të ketë pasur nga ata që janë çuditur kur e kanë parë aktoren e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebetin, në një teatër të rriturish. Pak ditë më parë përfundoi vënia në skenë e shfaqjes “Made in Albania”, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kur e shihje, në rolin e një gruaje të dhunuar, mes rrobaqepëseve të tjera, as që të vinte ndër mend se puna që ka bërë gjithë jetën ka qenë për fëmijët. 

shega

Të gjithë mund ta identifikoni me Bardhoshen, Borëbardhën apo të tjera personazhe të së shkuarës që kanë lënë gjurmë e ende kujtohen nga ata që dikur kanë qenë fëmijë e janë rritur me kukullat prej teli. Ç’i “shkrepi” Shegushes që të shfaqej në skenën e të rriturve pas më shumë se 30 vitesh karrierë?!

Në këtë rast ishte kërkesa e regjisorit, Altin Bashës, ajo që e bëri të provonte për herë të dytë një përvojë që e pati ëndërruar që studente, ende pa u caktuar në Teatrin e Kukullave…

Pse zgjedh një aktor i sapodiplomuar t’u kushtohet kukullave?

Në kohën time nuk ishin tonat zgjedhjet. Atje më caktuan, atje shkova.

Nuk ishte ajo që donit të bënit?

Jo, në kohën e parë të emërimit, flitet për vitin 1983, nuk e prita fare mirë. Stazhin e kisha bërë për një vit në Teatrin Kombëtar, kjo e bënte edhe më të vështirë pranimin e vendimit të “të mëdhenjve’. Si të gjithë moshatarët e mi, edhe unë doja të isha pjesë e atij që atëherë quhej Teatri Popullor apo të luaja nëpër filma. Megjithatë, sot mendoj që ka qenë një fat i mirë për mua.

A studiohet ky zhanër i aktrimit, e kishit të përfshirë në programin shkollor?

Jo, nuk dija asgjë rreth kukullave, mirëpo Teatri i Kukullave, asokohe, kishte fatin e madh që të kishte drejtuese Lavdie Toron, e cila ishte specializuar në Rumani dy vite dhe i njihte kukullat shumë mirë, njihte teatrin e hijes, njihte Petrushkën ruse. Bashkë me të ishte edhe piktori e skenografi Tonin Shiroka, i cili ishte diplomuar në Pragë.

Të dy ishin një shkollë e mirëfilltë për ne që erdhëm më pas. Na mësuan gjithçka dinin dhe na e bënë punën jo vetëm më të lehtë, por edhe të pëlqyeshme për ne që kishim shkuar pa shumë dëshirë.

shegushe bebeti made in albania

A nuk menduat të largoheshit, kur ndërruan sistemet e kushdo mund të bënte ç’të donte?

Kur unë u emërova te Kukullat, erdhi shumë shpejt ndërrimi i sistemeve, pra nuk kishte shumë kohë të bëje diçka në ato vite. Nga ana tjetër, pas ’91-shit, situata ishte mjaft e keqe, nuk bëhej asgjë, nuk investohej askund. Edhe ata që ishin të afirmuar po gjendeshin pa angazhime. Ishim të gjithë të papërgatitur, ndoshta edhe të frikësuar.

Ndërkaq, unë e kisha nisur karrierën në Teatrin e Kukullave, kisha bërë Borëbardhën, Ditëlindjen e Pinokut, Bardhoshen, Kokëarrën, pra role që ende sot kujtohen. Pra, u përpoqa të punoja fort për të ruajtur atë punë që kisha bërë e për të mbajtur në një- farë mënyre Teatrin e Kukullave, sepse, nga ana tjetër, shumë aktorë të teatrit u larguan jashtë. Në ’94-n u largua edhe Lavdie Toro dhe ngelëm një grup i vogël që u përpoqëm ta ruanim këtë institucion. Kështu, kaluan vitet, bashkë me ’97- n, kur ne vazhdonim të punonim.

Një tjetër periudhë e rëndë- sishme ka qenë ajo e Luftës së Kosovës, jepnim shfaqe nëpër kampet e fëmijëve kosovarë. Pra, në vitet e para të demokracisë kam qenë vazhdimisht e përfshirë. Pastaj, drejtoreshë te ne erdhi Elvira Diamanti, me një mentalitet krejt të ri, me mendime të reja e mundësi për t’i rikthyer teatrit shfaqjet e bukura e bashkëkohore.

shegushe

Shumë vite më vonë, provuat teatrin e të rriturve. Si ndodhi?

Pikërisht në këtë kohë, Elvira bashkë me Stefan Çapalikun vendosën të bënin një shfaqje për të rritur. Ka qenë drama e parë e Çapalikut, “Ballkan Ekspres”. Kam pasur rolin e Dhisë, ky ishte emri i personazhit.

Patët mëdyshje për ta pranuar këtë rol, meqenëse mund të konsiderohet i pari i një lloji tjetër?

Jo, absolutisht, madje e kam pritur, e kam punuar për të me dëshirë të madhe. Pastaj, meqenëse shfaqja u prit shumë mirë, ishte më e thjeshtë dalja e mëtejshme në skenë.

Kaq u desh që të vijonit?

Jo, pas kësaj përvoje nisa një bashkëpunim në Itali për fëmijët e sëmurë. Pata një ftesë nga Paolo Comentale, drejtorin e Teatrit “Casa di Puçinela” të Barit. Kjo kohë më shërbeu edhe për mësime të reja. Paradite unë trajnoja fëmijët me kukullat tona, ndërsa pasdite trajnohesha për kukullat me karton. Kjo përvojë ishte shumë e dhimbshme në fakt, por kishe ç’mësoje. Prej asaj kohe, prej 10 vjetësh, unë shkoj atje çdo janar dhe korrik.

Ndërsa 2 vite më parë, pas një festivali shumë të bukur kukullash, me kukulla të përmasave njerëzore, më lindi ideja të bëja diçka për të rinjtë, kështu në bashkëpunim me Sokol Marsin vumë në skenë “Katedralen e Parisit”, për herë të parë shqip. Pas entuziazmit të këtij muzikali, erdhi përvoja e dytë me teatrin e të rriturve. Paolo pati idenë për të vënë “Salomenë” në skenë. Pas idesë fillestare, kam parë gjithë vëniet e mundshme në skenë të “Salomesë”, nëpër vende të ndryshme të botës, por bindjen përfundimtare ma dha filmi i Al Paçinos.

E vumë në Teatrin e Metropolit dhe morëm vërtet atë dashuri që kishim dhënë duke punuar për të. Pas “Salomesë”, për rastësi edhe ajo në maj, ishte edhe roli te “Made in Albania”. Nuk e kisha menduar në fakt, më erdhi e papritur telefonata. Madje, kur Altini më telefonoi e më tha për një rol, i thashë: “Po ç’dua unë te Portokallia?!”.

Ku ndryshon puna e një aktori të Teatrit të Kukullave me atë të të rriturve?

Për të vënë një pjesë në skenë është pothuajse e njëjta procedurë, por ndryshimi është që te të rriturit ti del vetë, ndërsa te kukullat ke vështirësinë e interpretimit përmes një elementi tjetër që është kukulla. Sado vite të kesh si aktore, çdo kukull ka specifikën e vet dhe elementin e saj të ri që ti duhet ta bësh tëndin. Për mua është më e vështirë.

U bënë 34 vite tashmë që punoj në Teatrin e Kukullave, ku kam investuar shumë nga jeta ime, pasi duhet të ecësh me teknikat e kohës, pra të jesh gjithnjë e angazhuar.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura