SAKIP CAMI
Studimin e thelluar, gati dhjetëvjeçar të veprës letrare të poetit dhe prozatorit Shefki Karadaku, Halil Rama e ka finalizuar me monografinë letrare “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”.
Nëse para tre muajsh (në Akademinë Përkujtimore që organizoi në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur) u prezantua para publikut me dokumentarin televiziv me të njëjtin titull, të shfaqur edhe nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar në kanalin RTSH 3, në 81-vjetorin e lindjes, Halil Rama (autor i 21 librave me monografi, profile e kritikë letrare) prezanton sot librin e sapobotuar “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”.
Personalitete të botës së letrave e artit, si “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa – “Nderi i Kombit”, prof. Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit”, regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar, si dhe poetët e prozatorët e shquar: Dr. Mujë Buçpapaj, Adriatike Lami, Andon Andoni, Agim Pipa, Josif Daja etj., vlerësojnë nivelin e lartë artistik të kësaj monografie, në të cilën Shefki Karadaku vjen thuajse i plotë me një arsenal veprash krijuese.
Në profilin e tij që hap monografinë, autori, ndër të tjera, nënvizon faktin se që nga libri i parë “Kënga e karrove të drithit” (poezi1967) te “TORAKS” (2020), Shefki Karadaku, si krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.
Dhe për të qenë sa më i besueshëm në këtë konkluzion, autori sjell referenca nga të mëdhenjtë e letrave shqipe, si: Dritëroi, Petro Marko, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Moikom Zeqo, Dr. Lutfi Turkeshi etj. Kështu, në këtë libër (fq. 12-15) H.Rama shkruan se: “Nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera, Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit, shprehet me një kuadër plot lëvizje: “Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/ Në largësinë e fushës, si lejlek,/ Atëherë, pas karrove të drithit,/ Udhën e kaltër të arave do ndjek…”
Më tej, autori perifrazon poetin Llazar Siliqi: “…kur më 1967, Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”, për të vijuar me vlerësimin e shkrimtarit të madh Petro Marko, i cili pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para”, shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri…” Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar dhe studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”, shkruan H.Rama në këtë libër. Kjo, sipas tij, për faktin se në këtë konkluzion arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi:
‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si përfundim ai e quan të veçantë, të jashtëzakonshme e të bukur poezinë Shefki Karadakut. Referuar dr. Turkeshit, autori nënvizon faktin se poezia e Karadakut është shumë refleksive dhe sa më shpesh ta lexosh e rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë.
Në librin e ri të H. Ramës, profilin krijues të Sh. Karadakut e bëjnë më të besueshëm edhe referimet nga Petraq Risto, i cili si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardhezi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë, ndërkohë që edhe Moikom Zeqo nuk e ka pasur të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare, madje duke e cilësuar si “një Esenin shqiptar”.
Halil Rama që e ka studiuar në detaje veprën e Shefki Karadakut, me të drejtë konkludon për krijimtarinë letrare mjaft cilësore të këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.
Korpusi letrar i Sh. Karadakut, sipas H. Ramës, përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Ai evidenton gjetjet metaforike, forcën krijuese, gjuhën e pasur e shpesh poetike, përdorimin mjeshtëror të fakteve, kronikat, përshkrimin e heronjve, legjendat dhe episodet që bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.
Një tablo më të plotë të veprës së këtij shkrimtari e japin në këtë monografi edhe intervista e bashkëshortes Nadire Karadaku si dhe recencat e mbajtura në Akademinë përkujtimore të datës 16 mars 2021, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, nga Dr. Mujo Buçpapaj, prozatori Andon Andoni, poeti Agim Pipa si dhe nga analiza që poetja Adriatike Lami i bën vëllimin poetik “Toraks” të këtij autori.
Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11”, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN.
Para pak kohësh, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit iu dhurua selive të huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë, që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.
Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirëpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje, në vitet ‘73- ‘74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin bohçet e pishave”.
E kompozuar në katër kapituj (Profili & Reportazhi & Intervista –Akademia përkujtimore – Pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e tij dhe Kritika letrare për veprën e Sh.Karadakut), kjo monografi sjell në vëmendje të lexuesit trashëgiminë letrare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë artistikisht që nuk është pak. Ato, sipas autorit Rama: “… janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë ‘Puthje të ngrirë’, që fjala e lirë të rrjedhë si ‘Ujëvarë’, që ‘Gjergj Elez Alia’ t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.
Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al