Shefi i Antikorrupsionit në Kryeministri kapet me targa false, policët i kërcënon: Ju shkarkoj

May 9, 2014 | 9:05
SHPËRNDAJE

SHEFI I ANTIKORRUPSIONIT NE KRYEMINISTRI, ERGYS HOXHA (MAJTAS) MAKINA ME TARGA FALSE
Tiranë, bllokohet mjeti i zyrtarit të Qeverisë, kanosi policët për gjobën

Ergys Hoxha parkoi keq, u kap me makinë me targa false

Drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha, është kapur në parkim të gabuar dhe me makinë me targa false, por ka fyer dhe kundërshtuar policët rrugorë të Tiranës.
Ngjarja ka ndodhur më 6 maj në orët e mbrëmjes, në zonën e Bërrylit në kryeqytet. Zyrtari i Kryeministrisë që rezulton të ketë lëvizur me një makinë me targa false, ka parkuar në mënyrë të parregullt. Dy policë kanë konstatuar makinën dhe pas disa minutave kanë nisur procedurën e vendosjes së gjobës. Duke përdorur postin dhe emrin e tij, Ergys Hoxha ka refuzuar të firmosë fletën e gjobës. Që në momentin e parë ai u ka vënë policëve para fytyrës kartën në të cilën shkruhej se ishte punonjës i Kryeministrisë, me detyrë drejtor i Antikorrupsionit. Burimet nga Policia thanë se zyrtari në fjalë ka shkelur Kodin Rrugor tri herë, pasi ka pajisur makinën me targa false, ka parkuar në mënyrë të gabuar dhe në fund ka kundërshtuar e fyer efektivët rrugorë. Deri në mbrëmjen e djeshme, me gjithë publikimin e rastit, nuk rezulton që ndaj Hoxhës të jetë marrë ndonjë masë siç parashikon ligji. Makina e tij është bllokuar mes kundërshtimeve, pasi targat rezultojnë false, konkretisht janë të një mjeti tjetër.

INCIDENTI

Burime të rezervuara nga Policia e Tiranës, vetëm dje, kur rasti i kreut të Antikorrupsionit u përmend në Parlament nga deputetët e opozitës, pranuan se kishte ndodhur vërtet një incident mes tij dhe dy efektivëve të Policisë Rrugore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10 të datës 6 maj, në afërsi të zonës së njohur si “Bërryli” në kryeqytet. Burimet thanë se drejtori i Antikorrupsionit, Ergys Hoxha, ka kundërshtuar, fyer dhe u ka bërë shantazh dy efektivëve rrugorë me inicialet V. B. dhe E. J. Incidenti i rëndë ka ndodhur kur 2 punonjësit e Qarkullimit kanë konstatuar mjetin tip “Audi A5” me ngjyrë të bardhë të parkuar gabim në zonën pranë urës së Bërrylit. Në këtë moment ata kanë nisur të plotësojnë fletën e gjobës për parkim të gabuar në vlerën një mijë lekë të rinj, por kur kanë verifikuar targën e automjetit kanë zbuluar se shkelja ishte shumë më e rëndë se kaq. Pasi kanë njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Rrugore, ka rezultuar se targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip “Audi A5” i Hoxhës, në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip “Fiat Punto” me ngjyrë gri, pronari i të cilit është një person nga Laçi.

KUNDERSHTIMI
Në momentin kur efektivët e Qarkullimit V. B. dhe E. J. i kanë kërkuar shpjegime Ergys Hoxhës për targën e mjetit që rezultonte e parregullt, ai ka nisur t’i fyejë, madje edhe t’i kërcënojë se do t’i hiqte nga puna. Njërit prej efektivëve ai i ka përplasur në fytyrë dokumentin e identifikimit me logon e Kryeministrisë. Në këtë kohë efektivët kanë kërkuar në sallën operative që të nisej në vendngjarje edhe grupi i gatshëm. Burimet thanë se grupi i gatshëm është nisur, por nuk ka mbërritur në destinacion, pasi drejtori i Policisë Rrugore, Ervin Hoxha, i njohur i kreut të Antikorrupsionit, u ka kërkuar të ktheheshin, pasi situatën do e qetësonte vetë. Efektivët rrugorë, kur kanë parë se nuk po u vinin shërbime në mbështetje, kanë kërkuar një karroatrec për të transportuar automjetin e Hoxhës në pikën e bllokimit, te Komisariati i Policisë Rrugore. Për incidentin është vënë në dijeni edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Atij i janë vënë në dispozicion edhe pamjet ku duken me zë e figurë të gjitha veprimet në zbatim të ligjit që kanë kryer dy efektivët rrugorë, si dhe kundërshtimi që ka bërë Hoxha.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura