Shefi i Antidrogës shiti të dhëna sekrete në Itali

May 7, 2014 | 12:34
SHPËRNDAJE

Agur Malaj, një nga të arrestuarit në Gjykatë
Të dhënat e marra nga rrjeti i informatorëve të antidrogës së Policisë së Fierit i janë raportuar në detaje një shtetasi italian nga Dritan Zagani, 42 vjeç, deri pak ditë më parë shef sektori në Policinë e Fierit.
Zyrtari i policisë është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas hetimeve mëse 6-mujore që janë zhvilluar ndaj tij. Ende nuk është e qartë arsyeja e qarkullimit të këtyre informacioneve, ndërsa burimet nga hetimi thonë se veprimet e ish-shefit të antidrogës në Policinë e Fierit përbëjnë shkelje të ligjit të policisë dhe kanë dëmtuar disa hetime dhe aksione kundër trafiqeve të cilat ishin në ndjekje prej muajsh. I tillë është rasti i 13 janarit 2014, kur pa koordinim me prokurorinë dhe eprorët e vet, Dritan Zagani organizoi kapjen në Levan të një ngarkese me 110 kilogramë drogë, e cila po ndiqej prej muajsh nga strukturat e hetimit që synonin kapjen e pritësit të lëndës narkotike. Organi i akuzës pretendon se raportimet e zyrtarit të policisë te shtetasi italian kanë qenë të detajuara dhe të shpeshta. Komunikimet mësohet se janë dokumentuar me anë të përgjimeve telefonike voluminoze të kryera me urdhër të gjykatës. Sipas Prokurorisë, në të paktën dy raste është provuar se shtetasi italian i ka dërguar shuma parash zyrtarit të policisë në këmbim të informacioneve sekrete që merrte nga Dritan Zagani. Ky i fundit i ka tërhequr paratë në dy pika transfertash në Vlorë.  
Hetimet nisën në Vlorë
Një procedim penal i nisur pas dyshimeve për korrupsion nga një punonjës i Bashkisë Vlorë, ka qenë origjina e hetimit që zbuloi grupin e trafikut të drogës nga Lazarati drejt Italisë, por edhe implikimin e zyrtarit të Policisë së Fierit. Rastësisht, gjatë përgjimit të zyrtarit të Bashkisë, hetuesit kanë pikasur bisedën e shtetasit Jorgo Naçi, i njohur si Emiljano Brahimaj. Ndjekja e mëpasshme e aktivitetit të këtij personi i çoi hetuesit te trafiku i drogës, pasi u mësua se i dyshuari ishte duke organizuar nisjen e një gomoneje me drogë Lazarati nga Vlora në drejtim të Italisë. Sipas hetimeve, dy vëllezërit Emiljano Brahimaj dhe Niko Brahimaj, nga Vlora, të dy të arrestuar, porositën në Lazarat rreth 1200 kg hashash dhe organizuan transportimin e saj për në bregdetin e Vlorës. Ata përdorën ndihmën e të arrestuarve Saimir Shoshi, Agur Malaj, Edison Latifi, Ismail Ruçi dhe Ermal Daja, dhe në datën 23 dhjetor 2013, ngarkesa me drogë mbërriti në Vlorë. Policia ndërhyri në kohën kur mendohej se droga do të vendosej në gomone në zonën e hidrovorit, por trafikantët kishin arritur të largohen. Forcat e rendit ndërhynë dhe bllokuan 910 kg hashash, dy makinat që kishin transportuar drogën dhe gomonen që po përgatitej për nisjen drejt Italisë. Të njëjtët persona, vëllezërit Brahimaj, kanë tentuar të trafikojnë edhe 110 kg hashash në janar 2014, ku është ndaluar dhe arrestuar shoferi i makinës ku ishte futur lënda narkotike. I njëjti grup trafiku akuzohet se ka futur në Shqipëri 35 klandestinë kurdë nga Greqia me destinacion vendet perëndimore, por personat e huaj janë kapur në Vlorë.                tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura