SHÇBA çon në Prokurori anulimin e konkursit për gradën “Komisar”

Nov 16, 2018 | 14:45
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Përsëritja e testimit për 470 oficerë Policie, që konkurruan për gradën “Komisar”, nuk u zhvillua as dje, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në urdhrin e Ardi Veliut, që anuloi procesin për parregullsi.

policiaa

Ende nuk është dhënë një informacion zyrtar për datën se kur do të zhvillohet testimi, por burime nga Policia e Shtetit thanë se shkak për këtë anulim të dytë është bërë riformulimi i tezës. Nga ana tjetër, duket se i gjithë ky proces nuk do mbetet vetëm në kuadrin e ankesave nga vetë oficerët, si ata që fituan, ashtu edhe ata që nuk arritën të merrnin gradën në konkursin e datës 7 nëntor.

Tashmë, me këtë çështje duket se po merret edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Burime nga Ministria e Brendshme thanë dje se SHÇBA ka referuar një material për “shpërdorim detyre” në Prokurorinë e Tiranës. Ndërsa nuk saktësohet nëse materiali i referuar ka të bëjë me shkeljet e pretenduara gjatë procesit të konkurrimit, me shpërdorimin e detyrës nga ndonjë oficer, apo me vetë procedurën e ndjekur nga kreu i Policisë së Shtetit për anulimin e konkursit.

Në urdhrin për anulimin e këtij testimi, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, theksonte se janë konstatuar mangësi që kanë cenuar integritetin e procesit. Ndërkohë, oficerë të shumtë në lidhje me këtë rast të paprecedentë i janë drejtuar Sindikatës së Policisë.

TESTIMI

Ndonëse për drejtuesit e Policisë së Shtetit, konkursi për gradën “Komisar” u anulua për parregullsi, disa oficerë që iu nënshtruan këtij konkursi thonë që parregullsia qëndron te vetë anulimi e më tej, edhe te ndryshimi i procedurave e formati i testit. E para, sepse anulimi nuk ndodhi për ndonjë rast flagrant parregullsie, por 6 ditë pasi ishin shpallur rezultatet dhe e dyta, sepse asnjë nga monitoruesit e procesit në Akademinë e Sigurisë nuk raportoi për shkelje.

Sipas urdhrit të Veliut, ritestimi i kandidatëve për gradën “Komisar”, ishte parashikuar të kryhej sot, megjithatë duket se edhe kjo datë është anuluar. Nga ana tjetër, nuk kaloi pa incidente edhe konkursi i së hënës, për gradën “Kryekomisar”. Dëshmitë e disa oficerëve të pranishëm në konkurs, qoftë si pjesëmarrës, qoftë si mbikëqyrës, flasin edhe për largim të përfaqësuesve të misioneve të huaja, të cilët ishin të pranishëm si vëzhgues. E sipas dëshmitarëve, kjo ka ndodhur për shkak se vetëm pak minuta para se të niste konkurrimi është ndryshuar formati i testit.

Format, që me shumë mundësi do të jetë i ngjashëm edhe për ritestimin për gradën “Komisar”. Ndryshe nga si është përcaktuar me rregullore, që testi përmban 100 pyetje me alternativa, të cilat korrigjohen me aparaturën elektronike “Scantron” dhe rezultatet dalin brenda pak orësh, në këtë konkurs nuk ka ndodhur kështu.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura