SHBA, sërish për Shqipërinë e lirë

Dec 19, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

zogajNga gjithë larmia e mar rëdhënieve që vendi ynë ka pasur me vende të tjera përgjatë një shekulli, marrëdhëniet me SHBA-të spikasin në dy plane:

e para, SHBA na janë gjendur në ditë të vështira, siç është për shembull dalja e Presidentit Uillson në mbrojtje të pavarësisë së brishtë të Shqipërisë në vitet njëzet të shekullit të kaluar, apo kontributi i veçantë amerikan për shmangien dhe dështimin e stratagemave shpërbërëse të shtetit shqiptar në vitin 1997.

E dyta, SHBA kanë marrë vendime dhe kanë udhëhequr vendimmarrje ndërkombëtare të mëdha diplomatike, politike dhe ushtarake në favor të çështjes shqiptare, ku spikat fushata për çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj. Në traditën tonë, miku në ditë të vështira është miku më i mirë. SHBA janë miku ynë më i mirë.

Që, duke qenë ai që është dhe duke qenë ne këta që jemi dhe këtu ku jemi e mbajmë më shumë në zemër sesa e reklamojmë si një dhuratë të Zotit. Nuk duam as të mërzisim, as të shqetësojmë njeri në gadishullin dhe kontinentin tonë me lidhjet preferenciale dhe me partneritetin strategjik me SHBA.

Janë lidhje miqësore që vazhdojnë si të rrahurat e një zemre të shëndetshme. Pavarësisht se kemi përfituar nga SHBA shumë më tepër sesa mund të jepnim. Kjo është e kuptueshme.

Madje ka pasur raste, siç ishte ai i armeve kimike para dy vjetëve, kur qeveritë shqiptare nuk kanë qenë në lartësinë e partneritetit dhe miqësisë, për çfarë politika amerikane është zhgënjyer me qeveritë apo me politikanë të caktuar, por nuk ka manifestuar në asnjë rast ftohje me shqiptarët apo tërheqje nga mbështetja konstante e aspiratave të tyre.

Këtë vit politika amerikane në Shqipëri po regjistron dy nga ato kulmet e ndihmës së veçantë që zakonisht na ofrohet nga miqtë amerikanë, kur na kanosen ose na rrethojnë rreziqe. I pari është ligji tashmë i miratuar i dekriminalizimit.

Shefi i opozitës, Basha, falënderoi me shumë të drejtë për këtë arritje SHBA-të dhe BE-në, ambasadorin amerikan Donald Lu në Tiranë dhe dy eurodeputetët Kukan dhe Flackenshtajn, që ishin kumbarët e marrëveshjes politike që i hapi rrugën hartimit të ligjit.

Në kurbën e përpjekjeve njëvjeçare për të shkuar drejt finalizimit në rrafshin ligjor të kësaj kauze, do të mbahen mend ecejaket e ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, sa në takime me Lulzim Bashën dhe opozitarë të tjerë, aq edhe në takime me krerët e qeverisë, duke ndihmuar e nxitur palët drejt një drafti konsensual.

Mbi të gjitha, do të mbahet mend dhe jehon akoma thirrja e tij drejtuar qytetarëve shqiptarë në prag të zgjedhjeve vendore të këtij viti për të mos votuar kandidatë me rekorde kriminale, kandidimi i të cilëve “është një poshtërim për popullin shqiptar”.

Shprehje të tilla kaq të forta e të drejtpërdrejta, që kishin në shënjestër ata kryetarë partish dhe gjithë një  kulturë politike që promovon trafikantë, vrasës dhe kontingjente të krimit të organizuar në politikë, nuk ishin dëgjuar ndonjëherë nga goja e ndonjë diplomati amerikan në Tiranë.

Edhe pse ambasadorët e këtij vendi mik kanë qenë gjithnjë shumë aktivë në raport me zhvillimet në vendin tonë. Çdo ambasador ka diçka vetjake në stilin e tij dhe në gjithë interpretimin e rolit të tij.

Ambasadori Lu nuk është shtetas shqiptar. Ashtu si paraardhësit e tij, ai do të largohet kur t’i mbarojë mandati, pra nuk e ka të lidhur jetën e tij dhe të familjes me të ardhmen e Shqipërisë.

Nga kjo pikëpamje, ai do të ishte më komod të fliste me fraza të rrumbullakosura apo si diplomat klasik. Por me zërin dhe fjalët e zgjedhura prej tij ka folur dhe flet Uashingtoni, politika zyrtare amerikane.

Të njëjtën gjë mund të themi për prononcimet pa doreza, aq të forta, konkrete dhe plot simbolikë të ambasadorit Lu për domosdoshmërinë e një reforme të thellë në Drejtësi, si një parakusht për të këputur nyjen gordiane të pandëshkueshmërisë dhe “qytetarisë” që ka fituar korrupsioni në rrethin vicioz të “ortakërisë” së individëve të korruptuar në të dy pushtetet, në Ekzekutiv dhe në Drejtësi.

Është përsëri politika zyrtare amerikane që flet. Janë SHBA-të që kanë vendosur të ndihmojnë Shqipërinë në një udhëkryq të ri të fatit të saj, ku ndahen dy rrugë: ajo e sundimit të një grushti njerëzish të pasuruar më shumë se deri në grykë me abuzime dhe ajo e sundimit të shtetit ligjor; korrupsioni në sistem ose ndershmëria në sistem. Ky është leximi dhe nuk besoj se ka tjetër.

Korrupsioni është bërë një përbindësh. E keqja ka shkuar aq larg dhe është bërë aq e madhe, sa nuk e shkulim dot pa ndihmën e mikut të madh e të fuqishëm. Në ditët më të vështira për demokracinë e rrezikuar, opozitat e Shqipërisë dhe njerëzit e lirë të këtij vendi u janë drejtuar për ndihmë SHBA-ve, pa nënvlerësuar aspak rolin e BE-së. Këtë ka bërë edhe opozita aktuale e Bashës, kur po shtynte përpara përmes shumë pengesash ligjin e dekriminalizimit.

Nga ana tjetër, vetë SHBA, edhe pa marrë një thirrje të drejtpërdrejt për ndihmë nga faktorët shqiptarë, ka identifikuar drejt në kuadrin e politikave globale dhe të partneritetit strategjik me Shqipërinë shkallën e lartë të rrezikimit të demokracisë dhe sovranitetit të vendit tonë nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.

Në këtë pikëpjekje të thirrjeve nga Shqipëria dhe përgjigjeve nga SHBA ka lindur angazhimi i ri amerikan për ta kapur demin nga brirët, siç themi ne shqiptarët. Pra për të nisur betejën e madhe kundër pandëshkueshmërisë në nivele të larta përmes reformës në Drejtësi. Duhet të jemi mirënjohës dhe bashkëpunues.

Çfarë ka ardhur dhe çfarë vjen nga SHBA-të është e mirë për ne. Korrektimin e hollësirave, skarciteteve apo devijimeve, rëndom të pashmangshme në operacionet e mëdha, duhet ta bëjmë ne shqiptarët. Duke bashkëpunuar si mes miqsh me amerikanët dhe europianët.

Është e vërtetë se nuk janë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të korruptuar, është e vërtetë se kjo drejtësi ka vënë në pranga kriminelë të rrezikshëm dhe meritat nuk u janë njohur, siç i meritojnë, prokurorëve dhe gjyqtarëve heronj.

Por është po aq e vërtetë se korrupsioni i disa politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj. po merr peng demokracinë dhe po rrezikon seriozisht sovranitetin e qytetarëve; është e vërtetë, ma merr mendja, se ka më shumë korrupsion në Ekzekutiv dhe në administratë sesa në sistemin e Drejtësisë, por është po aq e vërtetë se politika ka arritur të vendosë një vijë të kuqe të pakalueshme për prokurorët dhe gjyqtarët; është e vërtetë se qeveria “Rama” ka dhënë disa prova të dukshme të tundimit dhe qëllimit për ta kapur Drejtësinë me alibinë e reformës; është vërtetë gjithashtu se reforma në Drejtësi nuk është shkopi i Mosiut për të ndarë në dysh malin e korrupsionit.

Por është po aq e vërtetë se këtu mund të fillojë. Rezultatet do të varen nga cilësia e draftit dhe vullneti për ta implementuar. Ekspertiza nga Komisioni i Venecias, por edhe nga ekspertë amerikanë, është një garanci se reforma do të jetë e standardeve demokratike, e papërdorshme nga asnjë palë politike për interesa të axhendës partiake.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura