SHBA: Mirëpresim largimin e Doshit, është i përfshirë në veprimtari kriminale

Mar 2, 2015 | 17:14
SHPËRNDAJE

Pas përjashtimit të deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, nga grupi parlamentar i PS-së ditën e hënë, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, duke nxitur partitë politike në Shqipëri që të largojnë nga radhët e tyre personat e dyshuar për lidhje kriminale.

Ambasada Amerikane ne Tirane

Në një deklaratë për median, ambasada e SHBA-së thotë se i bën thirrje prokurorisë të hetojë lidhjet me krimin tek zyrtarët e lartë, ndërsa nxit Kuvendin të hartojë legjislacionin në bazë të marrëveshjes që palët kanë arritur me konsensus në rezolutën e dhjetorit të një viti më parë. 

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë”

Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura