SHBA: Nji tentativë me përmbysë demokracinë. Faktori Trump!

Nov 22, 2022 | 8:15
SHPËRNDAJE

samirepishtiSAMI REPISHTI, PHD*

Ridgefield,CT.-Më 8 qershor 2022, nji Komision Kombëtar Special, i autorizuem nga Dhoma e Përfaqsuesve (Parlamenti) me nandë anëtarë nga të dyja partitë politike amerikane-demokratike dhe republikane- mbajti sesionin e parë publik. Komisioni Special kryesohet nga Kongresmeni Ben Thompson (D.Missisipi).

Qëllimi i nji iniciative të këtillë ka qenë dhe mbetet sqarimi i veprimeve joligjore në datën 6 janar 2021, që ish-Presidenti Donald J. Trump ndërmori me diskreditue sistemin e zgjedhjeve elektorale të lira presidenciale të nandorit 2020 dhe përfundimin e tyne me humbjen-diferencë të madhe prej 7+ (shtatëplus) milionë vota ma pak për ish-Presidentin D.J.Trump dhe fitoren e kandidatit demokrat të ishnënpresidentit demokrat, Joseph J. Biden JR, për postin e Presidentit të Republikës Amerikane.

I paknaqun me këto zhvillime, ish-Presidenti Trump shkeli traditën 238- vjeçare të transferimit normalisht të pushtetit në mënyrë paqësore, me pranimin publik të rezultateve. Z. Trump deklaroi se votimet ishin të padrejta, të manipulueme, të vjedhuna e të tjetërsueme; prandej të pavlefshme.

Karakteristika dalluese e këtyne votimeve ka qenë organizimi korrekt, regjistrimi, zhvillimi i lirë, numërimi i tyne pa incidente, kontrolli nga përfaqësues zyrtarë të dy partive politike, si dhe deklarimi publik e zyrtar i rezultatit. Kërkesat e Z. Trump kanë nji karakteristikë të përbashkët: mungesën e provave, akte të pakonfirmueme, dhe mashtrime të qëllimshme – të njohuna me sloganin “The Big Lie” (gënjeshtra e madhe), dhe rrëzimin e të gjitha kërkesave të tij nga Gjykatat e Apelimit.

Më 5 janar 2021, djali i ish-Presidentit Trump, Donald Trump Jr., ka tekstue për shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadoës, nji plan: si krijohet mundësia që babaj i tij të qëndronte në fuqi edhe katër vjet të tjera si President mbas numërimit të votave. Ky mesazh kërkonte që ndjekësit e z.Trump të krijojshin nji situatë ku thuhej se asnjeni kandidat kishte fitue dhe se vendimi mbetej në duert e Dhomës së Përfaqësuesve. Në fakt, plani ishte përgatit nga këshilltari jozyrtar (eminence grise!) Stephen K. Bannon, nji figurë e njohun mirë për parimet e tij ultrakonservatore.

Kjo taktikë kërkonte dy ndërhymje ilegale;

E dyta, me zgjedhë të gjithë anëtarët e ri të Kolegjit Elektoral nga elemente pro-Trump në Asambletë e 50 shteteve dhe me sigurue kështu fitoren e tij.

Hapi i parë, presioni dhe kërcënimet direkte mbi nënpresidentin Pence, i cili refuzoi me zbatue urdhnin e Presidentit Trump “si i paligjshëm” tue shkelë Kushtetutën. Për këtë qëllim, më 6 janar 2021, ish-Presidenti Trump urdhnoi ndjekësit e tij me sulmue Kapitolin, ndërtesa e Parlamentit dhe fortesë e demokracisë. Demonstratorët luftuen me Policinë e Kapitolit për tri orë. Nënresidenti Pence dhe Zonja Nancy Pelosi, speaker e Parlamentit, u kërcënuan me varje në litar, por ata shpëtuan. Nji strukturë prej druni me litar për varje u ngrit në oborrin e Kapitolit.

Kush ashtë “fajtori”? Ligjërisht, “fajtor” ashtë ai që ban nji akt të keq, të dënueshëm nga ligji dhe të kryem me qëllime kriminale. Për 16 muej me radhë, Komisioni Special ka mbledhë dokumentacionin e akteve të kryeme dhe tashti i paraqet për njoftimin për qytetarët amerikanë. Ashtë opinioni i shumicës dërmuese të qytetarëve amerikanë se demonstruesët luftuen me Policinë e Kapitolit për tri orë me inkurajimin direkt të ish-Presidentit Trump.

Natyrisht, pyetja kryesore ashtë: Nëse ish-Presidenti Trump deklarohet “fajtor” për aktet e tij dhe zhvillimet e rrjedhuna, ai mund të arrestohet, të gjykohet e të dënohet? Kushtetuta amerikane konfirmon se asnji qytetar qëndron përmbi ligjin, tue përfshi kështu edhe Presidentin. Ndërkohë, drama në Kongres vijon…

Shtypi amerikan paraqet këtë dramë politike si lufta e Trump-it me qendrue në zyrën presidenciale edhe mbas humbjes së thellë në votime. Për këtë, Z.Trump kishte përkrahjen e nji turme lojale, por të paedukueme politikisht, mbrenda dhe jashtë strukturës së Administratës. Kapitull mbas kapitulli drama u përsërit pa efekt, sepse organet gjyqësore refuzuen kërkesat për zhvleftësimin e votimeve dhe gjykatat federale përfunduen se ankesat ishin “without merit” (pa meritë), si dhe aktet në esencë kishin elementë të nji “konspiracioni kriminel”, rrjedhimet e të cilit ishin damtimi i njenës nga shtyllat e demokracisë amerikane (zgjedhjet e lira dhe të drejta). Z. Trump shkoi aq larg saqë planifikoi mundësinë e përdorimit të forcave ushtarake të Departamentit të Homeland Security për konfiskimin e të gjitha kutive të votimit (siç!).

Evidenca që konfirmon nji dramë të këtillë ashtë tronditëse! Z.Trump humbi kontrollin e duhun. Speakeri i Dhomës së Përfaqësuesve, Zonja Nancy Pelosi, e frikësueme nga sjellja e ishPresidentit, kontaktoi Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosuna Amerikane, Gjeneralin Miller, dhe e këshilloi të konsultohet para se të veprojë me masa të jashtëzakonshme me kërkesë të ish-Presidentit… Gjenerali Miller u përgjigj pozitivisht.

(Kushtetuta amerikane cakton Speaker-in e Dhomës me marrë pozitën e Presidentit në rast emergjence për Presidentin dhe N/Presidentin). Manovrimet e Z. Trump morën nji drejtim absurd. Deklarata “Italogate” reklamonte pa asnji bazë se disa persona italianë kanë përdorue teknologjinë ushtarake me konvertue votat në maqinat e votimeve në SHBA. Ide të këtilla qarkullojshin në Shtëpinë e Bardhë, si sekuestrimi i të gjitha kutive të votimit, përdorimi i forcës ushtarake dhe invokimi i “ligjit martial”, përdorimi i reparteve ushtarake për qëllime të caktueme etj.

Marc Meadows shkruente gazeta “The New York Times konfidon për Këshillin e Shtëpisë së Bardh se (Presidenti) Trump mendon (N/Presidenti) Pence ‘meriton’ të varet në litar” (21.VI.2022). Dëshmitarja Cassidy Hutchinson, Kryesekretare e Mark Meadows, tha para Komisionit Special: “Më kujtohet Pat (Cipolloni, këshilltar legal i Presidentit Trump) që thonte diçka të këtillë”. Mark, duhet detyrimisht të bajmë dikça. Åta (ndjekësit e ish-Presidentit Trump) kërkojnë që N/Presidenti (Pence) të varet në litar”; dhe shtoi: “… Mark (Meadows) përgjigjet diçka si “Ju e ndigjuet këte Pat. Ai (ish-Presiden ti Trump) mendon se Mike (Pence) e meriton. Ai mendon se ata (ndjekësit) nuk e kanë gabim…”

Këtu, ish-Presidenti Trump mohonte votat e 83 milionë votuesve pro-Biden dhe “fitoren”: Presidencën edhe për katër vite tjera. Hapi i parë: me sulmue Kapitolin- ndërtesa e Kongresit. Demonstratorët sulmuen Policinë për Mbrojtjen e Kapitolit për tri orë dhe shkaktuen shumë dame materiale… Pesë viktima vdiqën. Ma shumë se 100 u plagosën, mbi 800 demonstrues u arrestuen dhe do të dalin para Gjyqit.

Përforcimet policore ia dolën me zmbrapë demonstruesit që shkaktuen konfuzionin e madh dhe rreth 36 milionë dame materiale. Por N/Presidenti Pence ia arriti me konvokue Mbledhjen Solemne dhe me lexue publikisht rezultatet e dhanuna nga Komisioni Qendror i Votimeve: Z. Joseph R. Biden, Jr. fitonte bindshëm me shumicë votash. Ky akt kushtetues konfirmonte zgjedhjen e Z. Joseph R. Biden Jr. President i Amerikës.

Tentativa me vazhdue në përpjekjet e rritjes së “krimit të pengimit qëllimisht të nji procesi zyrtar” dhe konspiracioni me mashtrue Shtetet e Bashkueme dështoi, me gjithë kundërshtimin e hapët të humbësit, Z. Trump, i cili fillloi, drejtoi dhe inkurajoi këtë proces revoltimi kundër Kushtetutës amerikane me fjalime të mbajtuna pubiikisht, dhe instruksione sekrete. Makina propagandistike e ish-Presidentit Trump prodhoi nji lum keqinformimesh për konfuzion të masave.

Zyra legale e Shtëpisë së Bardhë njoftoi shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësuesit republikanë të Kongresit se “…plani me përdorue ‘zgjedhje alternative’ për zgjedhjen e Presidentit nuk kishte ‘nji bazë legale të shëndoshë’; Z.Trump e përkrahësit e tij nuk e pranuen verdiktin. Mbetej presioni mbi N/Presidentin Pence me vendosë arbitrarisht: me mohue legjitimitetin e votimeve të deklarueme më 6 janar 2021, dita kur Kongresi do të mblidhej me konfirmue rezultatin e votimeve, akti final i zgjedhjes së Presidentit. Kur N/ Presidenti Pence refuzoi kërkesën e ishPresidentit Trump, në turmën e grumbullueme filluen thirrjet “Pence në litar!”, dhe “Ku ashtë Nancy Pelosi?” u rritën dhe konfirmuen egërsinë e revoltës trumpiane .

I dekurajuem, tue folë para përkrahësve, Z. Trump përsëriti: “Këto zgjedhje u vodhën… por ashtë koha me u shpërnda”… dhe “ne ju duem, ju jeni të veçantë për ne…”. Simbas nji dëshmitari okular, raporton gazeta “The New York Times”, Z. Trump tha edhe “…ndoshta Z. Pence duhet të varet në litar!…! E pabesueshme!”.

Përforcime policore dhe të ‘National Guard’ zmbrapsen demonstruesët agresivë. Asnji ushtar i Forcave të Armatosuna nuk u mobilizue për veprim. Amerikanët janë shumë të kujdesshëm mos me angazhue ushtrinë në probleme të brendshme, që zakonisht janë “probleme” për Policinë dhe National Guard. Ndërkaq, në sallën e caktueme të Kapitolit, N/Presidenti kryesoi mbledhjen solemne të Kongresit (të dy Dhomat) dhe lexoi publikisht Raportin e Komisionit Qendror të Votimeve. Kandidati Joseph R. Biden Jr., u zgjodh President i Amerikës me shumicë votash: Biden-306 vota; Trump- 232 vota. Tentativa me vazhdue veprimtarinë antkushtetuese të pengimit të aktit zyrtar dhe konspiracioni me mashtrue 330 milionë amerikanë dështoi përfundimisht.

Në edicionin e saj të 14 qershorit 2021, fletorja “The New York Times” përshkruan me hollësi qëndrimin e ishPresidentit Trump: “Pa interesim me u familjarizue me faktet”, nji frazë e ishProkurorit të Përgjithshëm, William Barr. Komisioni special që heton ngjarjet e 6 janarit 2021, “Sulmi mbi Kapitolin”, shkruente gazeta, trajtoi me hollësi rastin kur ish-Presidenti Trump krijoi, dhe pa ndërpremje përhapi “gënjeshtrën e madhe” sikur zgjedhjet e vitit 2020 kanë qenë të vjedhuna në kurriz të tij tue marrë parasysh evidencën përherë në rritje e të grumbullueme nga nji grup këshilltarësh.

Komiteti special ashtë tashti në kërkim të zanafillës dhe zhvillimit te asaj që ashtë përshkrue si “gënjeshtra e madhe” (the Big Lie!) e Z.Trump. Ky kërkim nga dëshmitë e gjata okulare të regjistrueme zbulon si ish-Presidenti kundërshtonte këshillat e “ndihmësve” të tij, tue insistue se ai kishte fitue “votimet e nandorit 2020” para se të deklarohej përfundimisht numërimi nga Komisioni Qendror i Votimeve, si dhe u banë përpjekje me kundërshtue humbjen e tij me argumente të pabesueshëm dhe pa nji bazë. Para nji situate të këtillë, Prokurori W.Barr bani deklaratën e masipërme… “pa interesim me u familjarizue me faktet…”!

Analisti me renome ndërkombëtare, Thomas L. Friedman komentonte: “…realisht, nuk ka as edhe nji dyshim se Trump bani përpjekje me përmbysë rezultatet e zgjedhjeve ligjore dhe çdo gja deshtoi… Trump u inkurajue dhe bani përpjekje tue ndihmue nji sulm violent kundër Kongresit…. Nuk ka persona të arsyeshëm që mohon se ajo që ngjau mbas zgjedhjeve të vitit 2020 ka qenë nji përpjekje për nji grusht shteti dhe nji tradhti kundër çdo vlere që Amerika përfaqëson… Veprimet e Trump-it janë shumë ma të damshme se çdo gja që nji tjetër President të ketë ba… Megjithatë, 175 përfaqësues republikanë në Dhomën e përfaqësuesve votuan KUNDER formimit të nji komisioni kombëtar për hetimet e kryengritjes së 6 janarit (2020) dhe vetëm 35 në FAVOR…! Pa dyshim, nji disfatë morale historike për partinë republikane amerikane.

Politologu Richard L. Hansen komentoi: “ish-Presidenti duhet të ndiqet penalisht për hir të mbrojtjes së demokracisë…. Z.Trump çdo gja që bani në tanësi dhe në disa raste edhe në veçanti ka qenë kriminale! Analisti Bret Stephens shtoi: “Nuk shpresoj se (fanatikët republikanë) do t’u tregojnë ndjekësve: ‘Na ishim në rrugë të gabueme; na ngritëm në idhull nji njeri të gabuem. Por, mund të shohim nji lëvizje të qetë në anëtarësinë republikane të largimit nga ky qëndrim anormal që të mjaftojë për (eklipsimin e Trumpit)….

Qëndrimet ekstraegoiste të ish-Presidentit Trump kanë shkaktue ndasinë e thellë të shoqënisë amerikane. Åmerika ka nevojë për nji periudhë kohe kur të gjithë – jo vetëm nji parti!- të dedikohen në forcimin e idesë së shërbimit për atdhe, patriotizëm të sinqertë, ku “partia”, “ideologjia” e “-izma” të tjerë zajnë vendin e dytë e të tretë në prioritetet e mbarë kombit amerikan. Aleksander Hamilton në frazën e parë të “The Federalist Papers” e percaktonte momentin kritik: “Këto janë kohë që vejnë në provë shpirtët tonë”.

Që tashti kanë fillue të krijohen shoqata amerikane, dedikue lavrimit të idesë patriotike. Të gjitha kombet përjetojnë stuhitë e historisë së tyne. Ata mobilizohen, rezistojnë dhe fitojnë kur qytetarët mbahen të fortë në këto stuhi që na sjell fati, mbeten të fortë dhe marrin frymëzim nga pëshpëritjet e stërgjyshërve të tyne që kërkojnë ruejtjen e andrrës dhe kthimin e saj në realitet.

“Z. Trump,- shkruen Richard L. Hansen,- ka qenë i 45-ti President dhe jo mbreti i parë amerikan; por nëse na nuk përbuzim praktikën e tij, mbasardhësi President mund të shkojë edhe ma larg, dhe ma afër deklarimit të nji lloj pushteti absolut, i cili do të ishte antiteza e gjithçkaje që na vlerësojmë sot me krenari si amerikanë”.

*Autori ashtë qytetar amerikan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura