SHBA i ndërpreu ndihmën financiare Palestinës, reagon ashpër Turqia

Sep 1, 2018 | 14:41
SHPËRNDAJE

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka reaguar ndaj vendimit të SHBA-së për ndërprerjen e plotë të ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu Agency (AA).

turqia

Në deklaratën e MPJ së Turqisë thuhet se “Vendimi i SHBA-së do të ndikojë negativisht në jetën e më shumë se 5 milionë palestinezëve. Ky vendim në të njëjtën kohë do të dëmtojë paqen dhe stabilitetin rajonal si dhe vizionin për gjetjen e një zgjidhjeje me dy shtete për çështjen e Palestinës”.

Në deklaratë theksohet se UNRWA, e cila ka marrë përsipër përmbushjen e nevojave më themelore të palestinezëve si edukimi, shëndetësia e punësimi, është shndërruar në një prej simboleve kryesore të solidarizimit të komunitetit ndërkombëtar me popujt e shtypur.

“Deklarata e pafat e SHBA-së në lidhje me atë se do të ndalë kontributin financiar për UNRWA-në ka shkaktuar një dëshpërim të madh”, thuhet nga MPJ e Turqisë.

Më tej rikujtohet se në shkollat e UNRWA-së shkollohen më shumë se 500 mijë fëmijë palestinezë dhe se rreth 1 milion palestinezë vazhdojnë jetesën e tyre në pritje të ndihmës emergjente të UNRWA-së në ushqim. “Në këto kushte, vazhdimi i pandërprerë i aktiviteteve të UNRWA-së është shndërruar në një provim legjitimiteti dhe detyrë e ndërgjegjes së komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

MPJ e Turqisë thekson se do të vazhdojë me vendosmëri të tregojë çdo përpjekje për mbështetje të UNRWA-së.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka njoftuar se SHBA-të kanë marrë vendim për ndërprerjen e plotë të ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Nauert shprehu se pas kontributit prej 60 milionë dollarësh të SHBA-ve për agjencinë në fjalë, “tanimë nuk mund të bartin në mënyrë të vetme një pjesë të madhe të kësaj barre”.

Vendimi i SHBA

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka njoftuar se SHBA-të kanë marrë vendim për ndërprerjen e plotë të ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim në lidhje me çështjen, zëdhënësja Nauert ka bërë të ditur se SHBA-të nuk do të ofrojnë më fonde për UNRWA-në.

Nauert tha se pas kontributit prej 60 milionë dollarësh të SHBA-ve për agjencinë në fjalë, “kanë shprehur qartazi se tanimë nuk mund të bartin në mënyrë të vetme një pjesë të madhe të kësaj barre”.

Ajo pretendon se edhe më parë kanë përmendur problemet në mënyrën e funksionimit të agjencisë, por që nuk kanë parë ndonjë ndryshim.

Nauert thotë se ndjejnë shqetësim se ndërprerja e ndihmave për agjencinë do të prekë negativisht sidomos fëmijët palestinezë. “Palestinezët meritojnë më të mirën se modeli i ofrimit të shërbimeve të fokusuar në krizë. Ne si SHBA do të punojmë me Kombet e Bashkuara, shtetet përkatëse dhe aktorët tjerë për modele dhe qasje të reja”, tha Nauert.

Mediat amerikane më parë pretendonin se SHBA-ja, e cila muajt e kaluar ka ndërprerë 300 milionë nga 365 milionë dollarë ndihma të ofruara për UNRWA-në, do të ndërpresë plotësisht ndihmat në fjalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura