SHBA dhe Meksika hapin dyert për refugjatët ukrainas

May 14, 2022 | 23:58
SHPËRNDAJE

Në qytetin meksikan të Tijuanës janë mbledhur mijëra ukrainas që shpresojnë të kërkojnë azil dhe të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare.

REFUGJATET

Pas intensifikimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, më shumë ukrainas filluan të shfaqeshin në Tijuana të Meksikës, në kërkim të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

“Në fund të shkurtit, filluam të shihnim mbërritjen e grupeve të ukrainasve në rajonin tonë. Numri i tyre filloi të rritet me kalimin e javëve.”

Zyrtarët meksikanë si Roman Cota thonë se mijëra njerëz kanë mbërritur atje.

“Ndryshe nga grupet e tjera të njerëzve, që zakonisht vijnë këtu, dhe që vendosin pas një kohe të shkurtër, nëse do të kalojnë kufirin, apo do të qëndrojnë, njëqind për qind e tyre fillojnë procesin e aplikimit për azil për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

19-vjeçari Davyd Shetela nga Lutsku, një qytet në veriperëndim të Ukrainës, është njëri prej tyre.

“Isha në Londër, ku punova për një vit. Unë kisha një biletë avioni për t’u kthyer në Ukrainë më 25 shkurt, por lufta filloi atje më 24 shkurt. Kështu që erdha me aeroplan këtu.”

Ai thotë se ndihet i mirëpritur në Tijuana.

“Kur mbërrita në Tijuana, vullnetarët më ndihmuan. Ata më përqafuan dhe ishin shumë mikpritës. Më pyetën se nga isha, sa vjeç isha dhe më dërguan në një tendë ku u regjistrova. Ata ma shpjeguan se si funksionon sistemi dhe më sollën këtu me një furgon”, thotë refugjati ukrainas.

Mijëra njerëz janë duke u strehuar në Qendrën Sportive Benito Juárez, ku presin të transferohen në portin e hyrjes në El Chaparral.

“Do të dëshiroja që njerëzit e të gjitha kombësive, që mbërrijnë këtu në shtetin e Tijuanës, të kishin të njëjtën mbështetje. Por me ukrainasit, organizatat amerikane kanë ofruar mbështetje të plotë dhe kjo na ka lejuar të bëjmë shumë përparim”, thotë zyrtarja meksikane e emigracionit, Adriana Minerva Espinoza Nolasco.

Patricia McGurk-Daniel, zëvendësdrejtore e Patrullës Kufitare në San Diego, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për ta bërë procesin të funksionojë.

“Ky është një shembull i mirë i angazhimit qeveritar për të ndihmuar një grup të caktuar njerëzish, që po ikin nga lufta. Ne ishim të përgatitur dhe e dinim se ata do të vinin. Tani po shqyrtojmë rastet e tyre”, thotë Patricia McGurk-Daniel, Zëvendës Drejtore e Patrullës Kufitare të San Diegos.

Farmacistja Iryna Potapska u largua nga Odesa me vajzën e saj para fillimit të luftës, për pushime në Turqi. Dy javë më vonë, me kërkesën e familjes së saj, në vend që të kthehej në Ukrainë, ajo u ribashkua në San Ysidro të Kalifornisë, me motrën e saj, Alona Bastys, që banon në Nju Jork.

“Po planifikoj të kthehem në Ukrainë. Unë e dua vendin tim. Unë e dua Nju Jorkun dhe Amerikën, por dua të kthehem në shtëpinë time”, thotë ajo.

Pavarësisht mikpritjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Meksika, shumica e këtyre refugjatëve thonë se nuk duan të qëndrojnë në këto vende. Pas përfundimit të luftës, ata shpresojnë të kthehen në Ukrainë dhe të rindërtojnë vendin e tyre./VOA

© Panorama.al

Te lidhura